Bota

Përmbytje në Bangladesh dhe Indi/ Dhjetëra të vdekur dhe miliona të bllokuar

Shirat e pandërprerë gjatë javës së fundit kanë përmbytur sipërfaqe të tera të rajonit verilindor të vendit.

20 Qershor 2022, 08:20 Nga j.c
Përmbytje në Bangladesh dhe Indi/ Dhjetëra të vdekur dhe
Bangladesh

BANGLADESH- Rreth 59 persona janë raportuar të vdekur nga rrufetë  dhe rrëshqitjet e dheut nga stuhitë e forta që kanë goditur Indinë dhe Bangladeshin. Miliona njerëz kanë mbetur të bllokuar ndërkohë punonjësit e emergjencës janë përpjekur të arrijnë tek të rrezikuarit.

Sipas BBC, meterologët kanë paralajmëruar se përmbytjet do të vazhdojnë dhe pritet të përkeqësohen ditët në vazhdim. Zyrtarët e qeverisë së Bangladeshit i kanë përshkruar përmbytjet e fundit si më të rëndat në vend që nga viti 2004.

Shirat e pandërprerë gjatë javës së fundit kanë përmbytur sipërfaqe të tera të rajonit verilindor të vendit. Shkollat ​​janë shndërruar në streha të improvizuara dhe forca të shumta janë vendosur në gatishmëri për të evakuuar familjet e prekura nga komunitetet fqinje si rezultat i rritjes së ujërave.

Në Assam në Indi, më shumë se 1.8 milionë njerëz janë prekur nga përmbytjet pas pesë ditësh rrebeshe të pandërprera. Shefi i ministrit të Assam, Himanta Bisëa Sarma, u tha gazetarëve se ai kishte udhëzuar zyrtarët e distriktit që të ofronin "të gjithë ndihmën e nevojshme" për ata që janë prekur nga përmbytjet.

Një 28-vjeçare e cila jeton në një tendë plastike me fëmijët e saj që nga e enjtja u shpreh se ato janë në një gjendje të vështirë pasi djali i saj është sëmurë nga i ftohti.

"Shtëpia jonë është e zhytur në ujë. Unë kurrë nuk kam parë përmbytje kaq të mëdha në jetën time. Këtu nuk ka ujë të pijshëm në kamp. Djali im ka temperaturë, por unë nuk mund ta çoj te mjeku," tha ajo.

Shirat e kësaj jave vijnë pasi rajoni Sylhet i Bangladeshit ishte ende duke u rikuperuar nga përmbytjet më të këqija në gati dy dekada në fund të majit, kur të paktën 10 njerëz u vranë dhe katër milionë të tjerë u prekën.

shira ne bangladesh

Sondazh

Poll