Aktualitet

Sot u arratis nga burgu, Edison Pula grabiste vila e diamante në Itali

Pula ka kryer një grabitje në Mogliano në nëntor 2021, ndaj italianit Luciano Miotto, ndërsa kërkohej së bashku me një bashkëpunëtor për plaçkitjen e shtëpive në Valbelluna.

10 Qershor 2022, 10:34 Nga F.M
Sot u arratis nga burgu, Edison Pula grabiste vila e diamante në Itali
Edison Pula

ITALI- Edison Pula, 27-vjeçari që u arratis sot nga burgu në Itali rezulton të jetë një emër i njohur jo vetëm për drejtësinë shqiptare, por edhe për atë të vendit fqinj. Ai akuzohet për shumë vepra penale si ‘tentativë vrasjeje’, ‘grabitje’ dhe ‘trafik droge’. Mediat në Itali raportojnë se Pula i ka kryer jashtë Italisë të gjitha veprat penale për të cilat mbahej në burg, por në zonën e Venetos ai kishte kryer disa grabitje.

Konkretisht, Pula ka kryer një grabitje në Mogliano në nëntor 2021, ndaj italianit Luciano Miotto, ndërsa kërkohej së bashku me një bashkëpunëtor për plaçkitjen e shtëpive në Valbelluna. Ata renditen si grabitës diamantësh, florinjsh e kasafortash.

Policia kishte zbuluar strofkën e tyre në një vilë të madhe të pabanuar në fshatin Carbonera dhe Zëvendësprokurorja e Bellunos, Marta Tollardo kishte urdhëruar kontroll, i cili rezultoi në kapjen e Pulës e Imer Mashës. Në vendin ku ai u arrestua, agjentët gjetën edhe disa mjete që shërbejnë për të hapur dyert, ku përfshihej një disk prerës, detektorë frekuencash dhe madje edhe instrumente për të matur pastërtinë e diamanteve.

Edison Pula është arratisur nga burgu në Treviso të Italisë bashkë me dy shqiptarë të tjerë. Ata prenë hekurat e qelisë dhe me ndihmën e çarçafëve zbritën nga kati i tretë i burgut e dolën në pjesën e pasme të tij. Pamjet e publikuara tregonin shqiptarët që vraponin në ara për të dalë në rrugë kryesore. Dy bashkëpunëtorët e Pulës u kapën dhe u rikthyen në qeli, ndërsa 27-vjeçari vijon ende të jetë i lirë.

arratisen shqiptaret nga burgu ne itali edison pula

Sondazh

Poll