Bota

Osmani pret në takim Dendias-in: Presim mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Sipas Presidencës, Osmani ka theksuar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin.

8 Qershor 2022, 22:19 Nga I.A
Osmani pret në takim Dendias-in: Presim mbështetje për
Nikos Dendias dhe Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani , ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Sipas Presidencës, Osmani ka theksuar se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin.

Në këtë kontekst, Osmani ka përmendur rrezikun nga tendencat destabilizuese të Rusisë në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi, nëpërmjet Serbisë si satelit i saj. Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të krijuara pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së ndaj Rusisë, duke shprehur mbështetje për popullin ukrainas dhe duke bërë me dije se tashmë Kosova ka strehuar një grup të gazetarëve nga ky shtet, sikurse që është e hapur edhe për strehimin e refugjatëve të tjerë.

Në takim me ministrin Dendias, presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia. Ndër të tjera, Osmani ka potencuar edhe nevojën për rritjen e shkëmbimit tregtar e ekonomik, si dhe bashkëpunimin në politikën e jashtme, turizëm, kulturë si dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm. Dendias do të pritet në Qeverinë e Kosovës edhe nga Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog dhe kryenegociator në dialogun Prishtinë-Beograd.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Dendias pritet të ketë një takim të përbashkët me përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare në Prishtinë (UNMIK, Këshilli i Evropës, OSBE, EULEX, Zyra e BE/EUSR, KFOR-i) dhe ambasadorët nga vendet e Quintit, përkatësisht Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Italia. Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, vizitoi Prishtinën edhe në qershor të vitit 2021.

Sondazh

Poll