Bota

'Kemi vetëm Serbinë',mediat ruse 'PRO' Putinit: Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut kanë humbur sovranitetin

Këtë e konfirmon një koment i publikuar në një nga mediat më të rëndësishme ruse, RIA Novosti, të nënshkruar nga një prej gazetarëve të preferuar të Putinit, Pyotr Akopov. Prandaj, teksti mund të interpretohet lirisht si një manifest jozyrtar i politikës së Putinit në Ballkan për momentin.

7 Qershor 2022, 19:10 Nga d.a
'Kemi vetëm Serbinë',mediat ruse 'PRO' Putinit:
Putin

RUSI- Ndonëse anulimi i vizitës së kreut të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Moska nuk planifikon të heqë dorë nga vasali besnik i saj, presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Sipas Danas, këtë e konfirmon një koment i publikuar në një nga mediat më të rëndësishme ruse, RIA Novosti, të nënshkruar nga një prej gazetarëve të preferuar të Putinit, Pyotr Akopov. Prandaj, teksti mund të interpretohet lirisht si një manifest jozyrtar i politikës së Putinit në Ballkan për momentin.

Ky koment është i rëndësishëm sepse për herë të parë që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, është e qartë se Kremlini sheh rajonin dhe Serbinë dhe se çfarë duan prej tij.

“Mjafton që Rusia të vëzhgojë sjelljen e evropianëve dhe në të njëjtën kohë të forcojë vazhdimisht praninë e saj në Serbi. Jo vetëm të forcohet, por edhe të zgjerohet sa më shumë, duke shfrytëzuar si potencialet e simpatisë reciproke, ashtu edhe interesat e përbashkëta gjeopolitike. Nuk është e nevojshme vetëm që Serbia të bëhet dega jonë në Evropë, ne duhet ta ndihmojmë atë të bëhet një qendër e pavarur e pushtetit në rajon. Po, një qendër relative e pushtetit, por që mund të qëndrojë derisa ndryshimi global të çojë në një ekuilibër të ri fuqish, si në Evropë ashtu edhe në skenën botërore në tërësi. Gjatë tre shekujve të marrëdhënieve tona me serbët, ne kemi përjetuar aq shumë përmbysje sa nuk ka arsye të mos besojmë se do të dalim me nder nga kriza aktuale dhe më të fortë se sa kemi hyrë në të”, ka shkruar Akopov.

Ajo që është 'halë' në sy për gazetarin e RIA Novosti-t, ndoshta edhe të gjithë Rusisë, është bllokada e ardhjes së ministrit të Jashtëm rus në Serbi, e cila, sipas tij, mbështetet nga Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Serbia nuk është anëtare e BE-së dhe nuk e ka mbyllur qiellin për avionët rusë dhe gjithashtu nuk ka vendosur ende sanksione kundër Lavrov. Për më tepër, Beogradi gjatë gjithë këtyre tre muajve mbetet i vetmi qytet evropian nga i cili ka fluturime për në Moskë. Teorikisht, Lavrov mund të përdorte një nga këto fluturime, por Ministria jonë e Punëve të Jashtme vendosi të testojë mendjen e shëndoshë të BE-së," tha Akopov.

Kur bëhet fjalë për vendet që mbyllën hapësirën ajrore për Lavrov, gazetari beson se ata e humbën plotësisht sovranitetin e tyre duke u anëtarësuar në BE dhe NATO.

Prandaj, tani është e kotë t'u kujtojmë se origjinën e tyre ia kanë borxh Rusisë. Perëndimi dëshiron të vendosë kontroll ushtarak mbi rajonin, por nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë për standardet e jetesës së vendeve të varfra me një të ardhme të zymtë. Kjo i referohet kryesisht Bosnje Hercegovinës, por edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha ai.

Kur bëhet fjalë për Malin e Zi, dikur destinacioni i preferuar veror i Rusisë, gazetari kujton se vendi i tij ka investuar një shumë të madhe në këtë vend dhe se në fund të fundit ai ka zgjedhur NATO-n.

Tani të gjitha lidhjet me Moskën janë duke u ndërprerë dhe autoritetet e tyre, ndryshe nga Hungaria, as që po përpiqen të mbrojnë interesat kombëtare”, thekson gazetari.

Serbia mbetet shteti i preferuar i Rusisë

Gazetari shpjegon më tej se si Ballkani ka qenë gjithmonë një fushëbetejë e perandorive të mëdha, qytetërimeve të ndryshme dhe që luftuan kundër osmanëve dhe monarkisë së Habsburgëve, vetëm për t'u shpëtuar prej saj nga rusët.

Një shekull e gjysmë më parë Rusia siguroi sovranitetin e vendeve të Ballkanit dhe pas luftës u bënë aleatët tanë”, shton Akopov.

Gazetari beson gjithashtu se tani që konfrontimi midis Perëndimit dhe Moskës ka arritur kulmin e tij, BE-ja po përpiqet të përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që duan të bëhen anëtarë të aleancës më të madhe evropiane për të parandaluar Moskën të shtrijë ndikimin në rajon”.

“Ballkani Perëndimor po perceptohet gjithnjë e më shumë si një nga zonat e konfrontimit. Por situata e përgjithshme ekonomike në BE në vitet e ardhshme definitivisht nuk do të jetë e përshtatshme për integrimin e anëtarëve të rinj. Në fund të fundit, edhe për këtë nevojiten subvencione. Edhe më e rëndësishme është disponimi në vetë BE-në, popullsia e së cilës nuk dëshiron t'i bashkohet Ballkanit”, beson gazetari i RIA Novosti.

Në përfundim, ai dërgon mesazhin më të rëndësishëm për zyrtarët serbë, duke thënë se Serbia mbetet vendi më i rëndësishëm ballkanik dhe i vetmi që përpiqet të mbrojë marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe se nuk ka dyshim se Lavrov dhe Putin do të zbresin në Beograd.

Sondazh

Poll

Bota 7 Qershor 2022, 18:47 I.A

Çfarë është lufta e llogoreve?

Foto Ilustruese UKRAINË- Konflikti në disa pjesë të Ukrainës është përshkruar si të kujton luftën e ...