Bota

PDK: Qeveria Kurti po i varfëron qytetarët, Kosova ka shënuar rekord me 4 mld euro deficit

Ndërkaq, sipas tij, krahasuar me Tremujorin e Parë 2021 Çmimet e Importit pësuan ngritje në një mesatare prej 21.8%.

5 Qershor 2022, 20:34 Nga F.M
PDK: Qeveria Kurti po i varfëron qytetarët, Kosova ka shënuar
Blerand Stavileci

KOSOVË- Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqqeverisje, pasi sipas tij vendi ka shënuar deficitin më të lartë tregtar, rreth 4.6 miliardë euro. Në një konferencë për mediat, Staliveci tha se në këtë mënyrë, Qeveria po kontribuon aktivisht në thellimin e krizës së qytetarëve të Kosovës. Ndërkaq, sipas tij, krahasuar me Tremujorin e Parë 2021 Çmimet e Importit pësuan ngritje në një mesatare prej 21.8%.

Pjesë nga fjala e tij:

Ditët po ecin e javët po shkojnë. Kriza ekonomike po thellohet. Qytetari e familja po varfërohet. Shporta e prodhimeve të konsumit po pakohet. E, Qeveria dhe Pushteti po vazhdojnë të struken dhe ta vështrojnë krizën nga jashtë, pa ndërmarrë masa konkrete ekonomike dhe fiskale që ta zbusin këtë rëndim të jetesës së qytetarëve dhe familjeve kosovare. Të gjitha çmimet po vazhdojnë të rriten, e pagat nuk kanë lëvizur. Jeta çdo ditë e më shumë po shtrenjtohet. Në vend të dialogut social Qeveria ka imponuar injorimin institucional dhe kjo ka sjellë sot më shumë se kurrë pakënaqësinë më të madhe të qytetarëve dhe sindikatave të cilat po protestojnë vazhdimisht në kërkim të të drejtave elementare dhe të zgjidhjeve për t’i tejkaluar gjithë këto kriza. Derisa ne po flasim në vendin tonë çdo ditë po shohim raporte e vlerësime të reja në lidhje me ekonominë, të cilat do të duhej ta zgjonin nga gjumi pushtetin. Tregtia e mallrave në vitin 2021 kishte deficit tregtar në vlerë prej afro 4 miliardë Euro, që tregon për një vlerë më të lartë për 39.2% krahasuar me vitin 2020. Pra, kemi rekord negativ importesh me 4,6 miliardë Euro. Të dhënat e tregtisë së mallrave për Importin e Kosovës në vitin 2021 kanë shënuar një rritje vjetore për 42.1% krahasuar me vitin 2020. Meqenëse nuk po ka vizion, më e pakta që mund ta bëjë është që t’i imitojë qeveritë e rajonit dhe ato europiane që po u dalin në ndihmë qytetarëve me masa konkrete. Secila prej tyre ka përgatitur pako të lehtësimit dhe po zbaton politika e masa kreative dhe të guximshme në përballje me këtë krizë ekonomike. Qeveria nuk e ka pasur fajin për shtrenjtimin e çmimeve në tregjet e jashtme, por ajo ka shumë faj në politikat e brendshme, që s’po e merr as mundin minimal për të bërë zgjidhje. Është përgjegjësi e saj, është detyrë e saj. Këtu nuk ka asnjë dyshim”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se qytetarët duan zgjidhje.

Sondazh

Poll