Aktualitet

Kërkohej nga policia prej 25 vitesh! Tentoi të vriste një person, arrestohet autori në Fier

Rapi Muço, 49-vjeç është arrestuar nga policia e Fierit për tentativë vrasje.

1 Qershor 2022, 09:09 Nga DOSJA
Kërkohej nga policia prej 25 vitesh! Tentoi të vriste një person,
Arrestim

FIER- Rapo Muçoi është arrestuar pas 25 vitesh nga policia e shtetit. 49-vjeçari ishte i shpallur në kërkim në vitin 1997 pasi akuzohet për tentativë vrasje. Muçoi tentoi të vrasë me armë zjarri personin me inicialet K.XH, në 24 qershor 1997. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, ka vendosur ndaj 49-vjeçarit masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. 

Njoftimi i policisë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Krimet e Rënda në DVP Fier, operacioni policor i koduar “Vazhdimësia”. Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore një ngjarje e ndodhur në vitin 1997, në qytetin e Fierit. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Pas rifillimit të çështjes penale, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë Fier, strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Fier, pas një pune operative dhe hetimore intensive, kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në datën 24.06.1997, në Fier, ku është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi K. Xh. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit R. M., autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, e cila i ka vendosur shtetasit R. M., 49 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll