Politike

Opozitës i skadoi afati! PS mbledh nesër Konferencën e Kryetarëve për zgjedhjen e Presidentit

Mësohet se Partia Socialiste do të propozojë kandidatët për President që ka listuar dhe do të diskutojë mbi këtë çështje me përfaqësuesit e Opozitës që kanë zgjedhur t’i bashkohen këtij procesi.

30 Maj 2022, 19:57 Nga DOSJA
Opozitës i skadoi afati! PS mbledh nesër Konferencën e
Konferenca e Kryetarëve

TIRANË- Raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është ezauruar dhe Opozita e humbi shansin e fundit. Nga ana tjetër, maxhoranca ka nisur punën, raundi i katërt dhe i pesti i takon asaj, sipas marrëveshjes së bërë në Konferencën e Kryetarëve. Ndaj, nesër Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet për raundin e katërt. Mësohet se Partia Socialiste do të propozojë kandidatët për President që ka listuar dhe do të diskutojë mbi këtë çështje me përfaqësuesit e Opozitës që kanë zgjedhur t’i bashkohen këtij procesi. Tani zyrtarisht kryeministri Edi Rama e të deleguarit e tij, Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri do të zgjedhin kreun e ri të shtetit, atë që do të pasojë në detyrë presidentin Ilir Meta, pas përfundimit të mandatit. Publikisht, ende nuk kanë dhënë asnjë emër. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar më herët se PS-ja ka në listë prej 10 kandidatësh, por pa zbuluar asnjë prej tyre.

'Barriera' për 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nuk ekziston më dhe në raundin e katërt e të pestin, socialistët kanë të drejtë që të zgjedhin presidentin e vendit me shumicë të thjeshtë. Sot u zhvillua raundi i tretë. Pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, të cilin grupi i Enkelejd Alibeajt e bojkotoi, u konfirmua se nuk ishte paraqitur asnjë kandidat, nga asnjë prej palëve. Më pas, votimi u krye në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Pas seancës që zgjati 4 minuta, palët dolën për të dhënë prononcime për mediat, ku kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ftoi sërish opozitën për dialog, që të ndajë më mazhorancën përgjegjësinë e zgjedhjes së kreut të vendit. Megjithatë kjo duket se nuk është e mundur, pasi Enkelejd Alibeaj ka lënë të kuptohet se nuk do të jetë më pjesë e procesit. Për mediat, jashtë Kuvendit, Alibeaj tha se të vetmit që morën pjesë në procesin për zgjedhjen e presidentit deri tani ishte opozita, duke shtuar se nuk donin një president të njëanshëm, por një president mbi palët.

Nga ana tjetër, kryedemokrati Sali Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë bojkotuar procesin, duke e cilësuar si farsë, pasi sipas tyre, Rama e ka caktuar tashmë emrin e pasardhësit të Metës.  10 maji është data e konsideruar si nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ndaj maksimumi brenda gjysmës së dytë të qershorit do të kemi një President të ri Republike. Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual.

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll