Aktualitet

Avokati i Shtetit: Në 75 vendime të Strasburgut i janë bërë shtetit 51.5 mln euro dëm

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit Odise Moçka në Komisionin e Ligjeve ka deklaruar e në Gjykatën Evropiane janë edhe 155 vendime të tjera. 

24 Maj 2022, 21:46 Nga DOSJA
Avokati i Shtetit: Në 75 vendime të Strasburgut i janë
Pamje nga seanca

TIRANË- Mbledhja e Komisionit të Ligjeve është përqendruar te vendimet që ka dhënë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në lidhje me paditë e shqiptarëve kundër shtetit. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit Odise Moçka në Komisionin e Ligjeve ka deklaruar e në Gjykatën Evropiane janë edhe 155 vendime të tjera. 

“Theksojmë që janë 155 çështje që janë akoma në gjykim, në GJEDNJ. Janë dhënë në total 75 vendime me vlerë 51.5 milionë euro prej të cilave 67 vendime janë ekzekutuar me 33.6 milionë euro dhe 8 vendime janë ende në shqyrtim me 17.9 milionë euro”, tha Moçka.

Moçka gjithashtu dha dhe detaje me shifra mbi pagesat që ka bërë shteti shqiptar vjet për dëmshpërblimet për palët paditëse.

“Për vitin 2021 janë ekzekutuar 4 vendime që i përkasin vitit 2020, dhe vlera e detyrimeve e shlyer nga Ministria e Financave është 69.650 euro, ndërkohë që 2 vendime të tjera janë akoma në proces nga Ministria e Financave. GJEDNJ ka dhënë 12 vendime për pjesën e Shqipërisë dhe është e rëndësishme për të theksuar se në njërin prej vendimeve janë bashkuar 195 kërkesa që kanë të bëjnë me çështje të trajtimit të pronës”, tha Moçka.

Gjatë vitit 2021, Moçka tha se janë 3 padi të pranuara nga Gjykata, që janë bërë nga persona të burgosur për trajtim jo të duhur në institucionet e paraburgimit.

“Kemi dhe 3 kërkesa të tjera të pranuara nga GJEDNJ dhe ato lidhen me persona të dënuar, ose të dyshuar për vepra të kryera dhe që kanë lidhje direkt me mënyrën e trajtimit në paraburgim. Në këtë kuadër avokatura ka pasur korrespodencë të vazhduar me Ministrinë e Drejtësisë dhe të Shëndetësisë që të bëjë të mundur që masat mjekësore ndaj këtyre personave të përmirësohen më tej”, shtoi ai.

(I.A/dosja.al)

Sondazh

Poll