Aktualitet

Efektivi vret kolegun brenda komisariatit nr.3, Policia jep detajet e para: Autori është ndaluar

Siç bën me dije Policia me anë të një njoftimi zyrtar, Ludian Ziami, 25 vjeç është ndaluar dhe menjëherë ka nisur marrja në pyetje, ndërsa viktima ndodhet në morgun e spitalit.

23 Maj 2022, 22:07 Nga DOSJA

 

Efektivi vret kolegun brenda komisariatit nr.3, Policia jep detajet e para:
Foto ilustruese

 

TIRANË- Policia e Shtetit ka dhënë detajet e para lidhur me ngjarjen e ndodhur në Tiranë, ku një efektiv policie i ka marrë jetën kolegut duke qëlluar me armën e shërbimit. Siç bën me dije Policia me anë të një njoftimi zyrtar, Ludian Ziami, 25 vjeç është ndaluar dhe menjëherë ka nisur marrja në pyetje, ndërsa viktima ndodhet në morgun e spitalit. Po ashtu, po punohet për të mësuar lidhur me detajet e sherrit të ndodhur. 

NJOFTIMI I PLOTË: 

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën "Mine Peza", në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.

Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.

Efektivi Ludian Ziami, 25 vjeç, qëlloi me armën e shërbimit efektivin, me pozicion inspektor, 55-vjeçarin e identifikuar si Çaush Saliasi. Ende nuk dihen detaje mbi shkakun e sherrit, por mësohet se ka ndodhur gjatë zhvillimit të instruktazhit të patrullës së përgjithshme.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll