Aktualitet

'Plumbi i Artë'/ 14 u arratisën, kishte rrjedhje informacioni? AMP nis hetimet

AMP njofton se do të hetojë me seriozitet maksimal çdo dyshim për rrjedhje informacioni edhe nga punonjës policie.

21 Maj 2022, 10:01 Nga DOSJA
'Plumbi i Artë'/ 14 u arratisën, kishte rrjedhje
Gledis Nano, Arben Kraja

TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet se nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit “Plumbi i Artë” të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit. AMP njofton se do të hetojë me seriozitet maksimal çdo dyshim për rrjedhje informacioni edhe nga punonjës policie.

NJOFTIMI:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po verifikon çdo dyshim nëse ka patur rrjedhje informacioni, gjatë operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia e Shtetit, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022, përmes të cilit u caktuan dhe ekzekutuan masat e sigurimit personal të karakterit shtrëngues “Arrest në burg” për 32 shtetas, mes tyre edhe një punonjës policie.Në përfundim të këtij operacioni, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore siguron opinionin publik dhe mediat se do të hetojë me seriozitetin maksimal çdo dyshim për rrjedhje të mundshme të informacionit nga punonjës të policisë, si edhe çdo përfshirje nëse ka, në aktivitete të paligjshme.

Në këtë operacion do të ekzekutoheshin 32 urdhërarreste, me masë të sigurimit personal të karakterit shtrëngues “Arrest në burg”, mes tyre edhe një punonjës policie, por u arrit të ekzekutoheshin vetëm 18 pasi 14 kishin arritur të largoheshin.

E gjithë dosja e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me operacionin “Plumbi i Artë” me dy të penduarit Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj është zbardhur nga Dosja.al. Më shumë se 12 janë ngjarjet kriminale mendohet se janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit, pas arrestimit. SPAK ka goditur 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe bëhet fjalë për krimet ndër më të rëndat në këto vitet e fundit, ekzekutime mafioze por edhe urdhra për vrasje.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll