Aktualitet

Punëtorët e inceneratorit në Fier, protestë për pagat, kërcënojnë me grevë urie: Jemi mbytur në borxhe

Sot kanë dalë në protestë dhe nuk i kanë lejuar makinat me mbetje të hynë dhe të shkarkohen në territorin e inceneratorit.

19 Maj 2022, 09:06 Nga DOSJA
Punëtorët e inceneratorit në Fier, protestë për pagat,
Pamje nga protesta

FIER- Punëtorët e inceneratorit në Fier kanë dalë sërish në protestë mbrëmjen e sotme, pasi ende nuk janë paguar për punën e bërë. Në një prononcim për mediat, të gjithë njëzëri dolën dhe thanë se administratori Faraudin Arapi u tha se do u kalonin 5 paga, por ende nuk kanë marrë atë që u takon. Kështu që sot kanë dalë në protestë dhe nuk i kanë lejuar makinat me mbetje të hynë dhe të shkarkohen në territorin e inceneratorit.

“Nuk kemi marrë pagat. Nga hera e fundit erdhi Faraudin Arapi dhe na tha se brenda javës do të merrni lekët. Na erdhi dhe Policia këtu dhe na ka thënë se brenda 24 orëve do të merrni lekët. Ne nuk kemi bërë vrasje, duam lekët tona jemi pa bukë. Do të vijmë çdo ditë këtu do të bëjmë protesta,"- u shpreh një prej tyre. Ndërsa një tjetër tregoi edhe sherret që i kishin nisur në familje për shkak të mungesës së të ardhurave: Nuk kam ku të vetë më. Nëse nuk marrim pagat do të përshkallëzojmë protesta, do të futemi në grevë uria. Po zihemi me gratë dhe fëmijët. S’na i kanë dhënë lekët.

30 punonjës të inceneratorit të Fierit kanë që prej muajit janar të këtij viti që nuk kanë marrë pagat. Punëtorët, të cilët janë më së shumti: mirëmbajtës, roje nate, mekanikë, kërcënojnë se do të bllokojnë depozitimin e mbetjeve urbane dhe nuk do të lejojnë asnjë mjet të futet brenda territorit të inceneratorit nëse nuk marrin pagën që u takon. Pas protestës së tyre të parë, u ra dakord që t’u kalonin 5 pagat mangut, por duket se premtimet nuk janë mbajtur as kësaj here.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll