Bota

​Dënimi i Nasim Haradinajt, flet gruaja e tij: E ndjente dënimin, ma tha që në mëngjes

Ajo shprehet se edhe në vizitat dhe komunikimet tjera përmes telefonit që kanë pasur me Haradinajn gjatë kësaj kohe sa po gjykohet në Hagë, Nasimi ka qenë gjithmonë i qetë. Sipas saj, ky dënim ka qenë i pritshëm prej ditës kur ai është arrestuar.

18 Maj 2022, 17:52 Nga DOSJA
​Dënimi i Nasim Haradinajt, flet gruaja e tij: E ndjente dënimin, ma
Gjejlone Haradinaj

KOSOVË- “Hape derën, mos prit që unë do të lirohem”,- kështu i tha Nasim Haradinaj bashkëshortes së tij Gjejlone disa orë para fillimit të seancës për shpalljen e aktgjykimit të tij dhe Hysni Gucatit. Ajo deklaron për "KosovaPress" se ka qenë e pritshme që të dënohen, por ajo kërkon drejtësi. 

“Nasimi thirri në ora 07:00 edhe ka qenë shumë i relaksuar, i disponuar si gjithherë. Thotë ‘hape derën, mos prit që unë do të lirohem’, ashtu siç kemi biseduar gjithmonë edhe ka qenë shumë i qetë… Edhe ai ka thënë çdo gjë që është e nevojshme për popullin tonë, për atdheun do e bëjë çdo herë. Çështja individuale e Nasimit nuk është në pyetje,“- tregon Haradinaj.

Ajo shprehet se edhe në vizitat dhe komunikimet tjera përmes telefonit që kanë pasur me Haradinajn gjatë kësaj kohe sa po gjykohet në Hagë, Nasimi ka qenë gjithmonë i qetë. Sipas saj, ky dënim ka qenë i pritshëm prej ditës kur ai është arrestuar.

“Për mua edhe për Nasimin ka qenë e pritshme, se prej ditës të parë kur është marrë Nasimi, kur është rrëmbyer, ka qenë e padrejtë. Po të kishte ndodhur tjetra, do të isha befasuar. Këtu po tregon se nuk ka aspak drejtësi në atë gjykatë nuk ka“,- shprehet ajo.

Mes emocioneve, në një intervistë për "KosovaPress", Gjejlone Haradinaj thotë se është e irrituar me deklaratën e prokurorit i cili foli në emër të popullit. Po ashtu, ajo komenton edhe paraqitjen e bashkëshortit të saj, i cili gjatë gjithë kohës ishte i buzëqeshur dhe i veshur me kollare me shqiponjën kuq e zi.

“Unë tërë kohën kam qenë e koncentruar ta shoh vetëm Nasimin. Fjala që mua më la mbresa dhe më irritoj ishte fjala e prokurorit, kur tha ‘në emër të popullit’. Nuk mundesh ta dënosh Nasimin që bën çdo gjë për popullin, në emër të popullit. Populli Nasimin nuk e dënon, e dënon vetëm Serbia edhe ata që bashkëpunojnë me Serbinë. Ajo ka qenë për mua shumë e rëndë. Që ata e dënojnë me katër vjet e gjysmë Nasimin, mua më është dukur si me dënu Serbia. Nga Serbia nuk presim asgjë as unë, as Nasimi. Ashtu siç është Nasimi. Nasimi ka qenë vetvetja. Nasimi është krenar dhe mburret, me popullin e vet, me luftën e UÇK-së edhe për atë ai bën çdo gjë që të mbrohet drejtësia edhe të del e vërteta. Që lufta që e ka bërë UÇK-ja ka qenë e drejtë, ne nuk kemi shkuar në Beograd për të luftuar por ne kemi mbrojtur trojet tona, shtëpitë tona, ne kemi qenë të okupuar. Serbia ka ardhur tek ne të na okupojë e masakrojë, po të ishin dalë në gjykim serbët që kanë bërë krime, plus ata që i kanë vënë dokumentet po ata të ishin dënuar, do të ishte e arsyeshme. Të dënohet pala e tretë, pas asnjë gjë, është e pakuptimtë. Kjo për mua është një skandal që ndodhë mes Evrope në këtë kohë,”- thotë ajo.

Nasim Haradinaj e Hysni Gucati janë dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim dhe me gjobë prej 100 euro e cila duhet të paguhet deri më 18 korrik 2022. Ata janë shpallur fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, por janë shpallur të pafajshëm për pikën e hakmarrjes.

(k.m/dosja.al)

Sondazh

Poll