Politike

Berisha: Serbia me genocide të reja, Kim fushatë kundër meje, asnjë emër për President

Ai sfidoi kryeministrin Edi Rama që të kalojnë ligjin në parlament për të përjashtuar kryeministrat nga çdo lloj parashkrimi.

13 Maj 2022, 16:33 Nga DOSJA
Berisha: Serbia me genocide të reja, Kim fushatë kundër meje,
Sali Berisha në selinë e Partisë e Demokratike

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Serbisë sot, kur tha se po përgatitet për genocide të tjera. Në një konferencë me gazetarët, Berisha tha se nuk do ta lejojë Presidentin Aleksandër Vuçiç që të nënshtronte Ballkanin, por që do t’I jepte përgjigjen që meriton. Teksa fliste nga selia blu, lideri historik i Partisë Demokratike nuk u kursye në akuza ndaj maxhorancës kur tha se rrëzimi i rezolutës së Srebenicës tregonte se Shqipëria nuk ishte e gatshme që të dënonte genocidin serb.

Ai sfidoi kryeministrin Edi Rama që të kalojnë ligjin në parlament për të përjashtuar kryeministrat nga çdo lloj parashkrimi. Në thirrjet e tij nuk mungoi as ajo për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të cilit i tha që të mos i lejonte të dërguarit të tij që të ndërhynin në politikën e vendit, referuar ambasadores Yuri Kim. Kjo e fundit, sipas Berishës është angazhuar në një fushtë kundër tij, pikërisht në prag të zgjedhjeve që pritet të zhvillohen brenda Partisë Demokratike, më 22 maj e ku Berisha, garon për postin e kryetarit.

Anëtarëve të dordeve që përcaktojnë çmimet e shportës e karburanteve, lideri historik i PD-së u bëri thirrje që të jepnin dorëheqjen e të mos turpëroheshin për zarfet që merrnin. I pyetur për emër në lidhje me procesin e Presidenti, ish-kryeministri tha se nuk kishte asnjë pasi ishte fokusuar në garën brenda PD-së. Kur iu përmend emri i Fatos Nanos si një kandidaturë e mundshme, Berisha tha se se mirë do të ishte që të mos e trazonin nga rutina e tij.

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll