Ekonomi

Rritja e interesave “trazon” tregun e borxhit të qeverisë, pak kërkesë për obligacionet

8 Prill 2022, 04:59 Nga DOSJA
Rritja e interesave “trazon” tregun e borxhit të qeverisë,

Pritshmëritë për rritje të normave të interesit duket se po e trazojnë disi tregun primar të instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare.

Në ankandin e rihapjes së obligacioneve 10-vjeçare (emetimi fillestar ishte kryer në janar të këtij viti) të zhvilluar këtë javë u shënua pësëri një kërkesë apo pjesëmarrje e ulët e investitorëve. Nga 4.5 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur nga Ministria e Financave, në ankand u paraqitën kërkesa për vetëm 1.79 miliardë lekë.

Ndërkohë, yield-i i obligacionit shënoi një rritje të ndjeshme në 5.75%, nga 5.1% që kishte qenë në muajin janar. Që prej fillimit të muajit mars, qeveria nuk po arrin dot të sigurojë të plota shumat e parashikuara për financim në ankandet e bonove dhe obligacione. Paralelisht, yield-et po shënojnë rritje të ndjeshme, si për bonot, ashtu edhe për obligacionet.

Ekspertët e tregut financiar e shpjegojnë rënien e ndjeshme të pjesëmarrjes në ankandet e titujve qeveritarë gjatë javëve të fundit me momentin e tranzicionit drejt normave më të larta të interesit.

Pritshmëritë që normat e interesit të vazhdojnë më tej rritjen duket se kanë bërë që shumë investitorë të mëdhenj, sidomos banka, të qëndrojnë në pozita pritëse. Kjo mund të vlejë sidomos për instrumentet më afatgjata.

Për shembull, nëse rritja e normave të interesit vazhdon, një obligacion që sot jep një yield 5.7% pas disa muajsh mund të ofrojë një kthim me disa pikë më të lartë. Për këtë arsye, ka investitorë që po qëndrojnë në pozita pritëse, për të siguruar kthime më të larta nga investimet e tyre.

Pritshmëritë për rritjen e interesave u forcuan më shumë pas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që më datë 23 mars vendosi të rrisë normën bazë për herë të parë aps 10 vjetësh.

Për shkak të keqësimit të projeksioneve inflacioniste nga lufta në Ukrainë, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë erdhi më shpejt se pritej, por ndoshta edhe përmasa e rritjes (0.5 pikë) ishte më e lartë nga sa pritej.

Javën e ardhshme, Ministria e Financave do të ketë një tjetër provë të rëndësishme në tregun e brendshëm financiar, me ankandin për të rifinancuar obligacionin prej 100 milionë eurosh të prillit 2020, që u maturua pak ditë më parë.

Me qëllim lehtësimin e pjesëmarrjes së bankave, Banka e Shqipërisë vendosi të lejojë njohjen e këtyre instrumenteve me peshë rreziku 0 për efekt të llogaritjes së treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit, praktikë e përkohshme e ndjekur për periudhën 2020-2021.

Ekspertët mendojnë se për këtë ankand pjesëmarrja e bankave mund të jetë më e lartë, duke pasur parasysh likuiditetin e lartë në euro dhe alternativat më të pakta të investimit me kthim të kënaqshëm dhe me rrezik të kufizuar në monedhën europiane.

Megjithatë, ata besojnë se do të jetë e pashmnagshme një rritje e ndjeshme e normave të interesit edhe për monedhën në euro. Në prill 2020, obligacioni dyvjeçar u shit me një kupon prej 1.96%.

Banka Qendrore Europiane ende nuk e ka rritur normën bazë të interesit, por ekspertët mendojnë se kjo është vetëm çështje kohe, duke parë nivelet në rritje të inflacionit në Eurozonë. Kjo ka krijuar pritshmëri të qarta për rritje të normave të interesit edhe për instrumentet financiare në euro../MONITOR

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

ekonomi ekonomi obligacione qeveria tregu obligacione qeveria tregu

Sondazh

Poll