Editorial

Mes votës së lirë dhe orientimit të Yuri Kim

21 Shkurt 2022, 12:53 Nga DOSJA
Mes votës së lirë dhe orientimit të Yuri Kim

Nga Enton Abilekaj

Deklarata e sotme e ambasadores amerikane, Yuri Kim, mund të ketë patur qëllimin e thjeshtë, që t’i japë një dorë Lulzim Bashës, pavarësisht se më shumë fiton Edi Rama. Pasi e ka marrë në sqetull, diplomatja e SHBA-ve, po mundohet ta çojë me zor t’i sigurojë vota, me shpresën se 6 marsi nuk do të jetë një katastrofë për opozitën e emëruar dhe do t’i japë fund Berishës.

Që nga zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, kur ambasadori William Ryerson dilte hapur në mitingjet e opozitës, ndërhyrja amerikane në zgjedhje nuk është kuptuar asnjëherë hapur. Në atë kohë, dalja e ambasadorit me dy gishtat lart, nuk i shërbente një partie, jepte mesazhin për rrëzimin e sistemit komunist, për rrëzimin e qeverisë së fundit komuniste në Europë dhe ndarjes me diktaturën. Duke qenë se marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë u rivendosën pas shpalljes së pluralizmit politik, duke qenë se 22 marsi ishte një betejë mes Demokracisë dhe Diktaturës, pjesëmarrja e Ryerson në fushatë, dukej më shumë një mbrojtje e miqësisë me SHBA, se sa përfshirje në një betejë lokale.

Pushteti që erdhi pas kësaj mbështetjeje prodhoi një formë të re të qeverisjes autoritare. Pasi u prit në një ceremoni madhështore në Shtepinë e Bardhë nga George Bush, Sali Berisha u kthye me “çekun e bardhë” të riformatimit të pushtetit të trashëguar, sipas stilit të tij. Dhe stili i tij, prej ish-komunisti, u pa në reformën në Drejtësi me Gjyqtarët që u shkolluan në kurse 6-mujore te Plepat e Durrësit, te arrestimi i kryetarit të opozitës, Fatos Nano, nxjerrja jashtë ligjit e Partisë Komuniste, spastrimi masiv i administratës me nenin e famshëm 24/1.

Disa ndryshime të domosdoshme, që u bënë paketimi perfekt i nevojave për pushtet absolut dhe të përjetshëm të Sali Berishës, kishin gjithmonë mbështetjen amerikane. Edhe në 26 maj 1996, kur zgjedhjet u mbyllën pa filluar dhe komisionerët socialistë u detyruan të largohen nga qendrat e votimit, SHBA dhe BE vazhduan ta mbështesin Berishën, i pranuan zgjedhjet duke kërkuar përsëritjen e 40 zonave sa për sy e faqe. Kjo ndodhte kur firmat piramidale po korruptonin çdo qelizë të shoqërisë duke abuzuar me paratë e shqiptarëve, që 1 vit më vonë, të vjedhur deri në qindarkën e fundit, u cuan për ta rrëzuar qeverinë e 26 majit me dhunë.

Pas 1997, kur socialistët erdhën në pushtet, Ilir Meta ishte “Sali Berisha i 1992”. Me mbështetjen e fortë amerikane, u bë Kryeministër në 1999. Ambasadori i atëhershëm i ndjeri Joseph Limprecht, ishte mbështetësi më i fortë i Ilir Metës, garantuesi i pushtetit të tij, që mori në kontroll gjithë mediat dhe nisi një epokë të re të autoritarizmit, i bazuar në korruptimin e politikës, medias dhe shoqërisë civile, i ngjashëm me këtë që po jetojmë sot.

E njëjta mbështetje për qeverinë e dytë të Fatos Nanos, që në 2003 krijoi një marrëdhënie aq të fortë me administratën e George W. Bush, sa mori guximin t’i hakërrehej Gjermanisë dhe Francës, kur refuzuan të bashkoheshin me luftën në Irak. Kjo ishte e mjaftueshme që, megjithë degradimin e qeverisjes, me gjithë korrupsionin endemik, SHBA t’i jepte mbështetje atij që e hoqi në 1998, deri në momentin e fundit. E njëjta gjë ndodhi me Sali Berishën e dytë. Edhe pasi në 21 janar 2011 vrau 4 njerëz në Bulevard, edhe pasi në 11 maj 2011 ia rrëmbeu Bashkinë e Tiranës me dhunë Edi Ramës, live në TV, edhe pasi në 2012 zgjodhi President Bujar Nishanin, anëtarin e kryesisë së PD, edhe pasi nëpërmjet tij, shkarkoi kryetarin e SHISH dhe emëroi njeriun e tij, edhe pasi të njëjtën gjë e bëri me Prokurorin e Përgjithshëm, mbështetja amerikane ishte po ajo.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, do të deklaronte në nëntor 2012, se Shqipëria është shembull i demokracisë, ndërsa gazetarët hetoheshin si puçistë të 21 janarit, institucionet e pavarura ishin pushtuar nga Sali Berisha dhe njerëzit mezi prisnin datën e zgjedhjeve të vërshonin nëpër kutitë e votimit kundër “Burrit të Shtetit”. Sot po ndodh me Edi Ramën e njëjta gjë. Ngjarjet janë të freskëta, korrupsioni galopant, kanbizimi, pastrimi i parave, koncesionet dhe skandale pa fund që janë rrjedhim i kapjes totale të Shtetit nga një person i vetëm, nuk e lëkundin mbështetjen amerikane për Kryeministrin. Jo vetëm amerikane, por mosveprimi e bën BE më pak ndikuese dhe më pak referencë, megjithëse është destinacioni ynë.

Në 30 vjet Shqipëria është qeverisur keq, është grabitur nga të gjithë, është shtypur nga të gjithë, me mbështetjen e Perëndimit. Ky konstatim nuk mohon ndihmën e madhe që Perëndimi u ka dhënë shqiptarëve, që kulmon në 1999 me çlirimin e Kosovës dhe në 2001 me Marrëveshjen e Ohrit për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Por a është e nevojshme vendosja e Stabilokracisë, pranimi i autoritarizmit të korruptuar që kap gjithë Shtetin, në mënyrë që të arrihen suksese rajonale në favor të shqiptarëve?

Nëse nuk do të kishte rrugë tjetër, nëse shqiptarët nuk do të ishin një shtet pro-perëndimor dhe veçanërisht pro-amerikan, rruga e sponsorizimit të Stabilokracisë do të ishte e justifikuar. Në kushtet reale, të një populli që adhuron Perëndimin, e beson atë më shumë se veten, mjafton aleanca me popullin, mjafton që të dëgjohet zëri i publikut, mjafton demokracia, për të patur mbështetje të plotë për gjithçka ndodh në rajon.

Deklarata e sotme e ambasadores, si vijim i një kursi imponues për zgjedhjet, vetëm sa e përfshin atë në një betejë që më shumë është brendapartiake sesa partiake. E largon nga një pjesë e konsiderueshme e publikut. E zvogëlon rolin e SHBA-ve dhe investon për një rrymë anti-amerikane. Është një tjetër përpjekje për të bërë mirë, pa u kujdesur që të mos shkelet vota si themel i demokracisë./Dosja.al

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

editorial kryesore analiza nga enton abilekaj edi rama enton abilekaj sali berisha sali berisha shpallet non-grata yuri kim analiza nga enton abilekaj edi rama enton abilekaj sali berisha sali berisha shpallet non-grata yuri kim

Sondazh

Poll

Editorial 17 Shkurt 2022, 15:00

Ishte fitore, jo për Ilir Metën

Nga Enton AbilekajPër ata që e panë si betejë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte humbje e të dytit dhe fitore e të parit. Ata që...

Editorial 17 Shkurt 2022, 14:58

Pazari politik!

Nga Meri LikaThonë se, njerëzit, e vlerësojnë diçka vetëm atëherë kur nuk e kenë. Unë mendoj se kush e ka thënë këtë ka patur të drejtë. Përfundimisht ne...

Editorial 16 Shkurt 2022, 11:54

Çfarë kërkon Putin në Ukrainë

Nga Garry KasparovSot ka shumë lajme në lidhje me “krizën e Ukrainës” dhe jam i lumtur kur shoh sesi ky kërcënim i madh për rendin botëror më në fun...

Editorial 11 Shkurt 2022, 18:07

Fale nëna Lizën o i nderuar kryeministër!

Nga Meri LikaKa pothuajse një muaj që propaganda qeveritare na ka bombarduar me formularin “Këshillimi Kombëtar. Le të dëgjojmë njëri – tjetrin”. Mua personalis...

Editorial 10 Shkurt 2022, 18:08

Turpi historik i “opozitës” në Kuvend

Nga Enton AbilekajAta që zënë ulëset e opozitës në Kuvend, sot vërtetuan të jenë një çetë e çartur pa asnjë organizim dhe pa asnjë ide. Ndërsa Lul...