Editorial

“Demokracia e ambasadorëve” që po rrënon institucionin e votës

14 Dhjetor 2021, 13:05 Nga DOSJA
“Demokracia e ambasadorëve” që po rrënon

Nëse do ta quante vend krimi zyrën që përdori Berisha me Komisionin e Rithemelimit, nuk do të ftonte ambasadorët, por prokurorinë. Po meqenëse ambasadorët vrapuan të vizitojnë PD-në, mund edhe të tregojnë arsyen. Në mos ata, Lulzim Basha, duhet të thotë përse ambasadorët e vendeve më të mëdha perëndimore shkuan për herë të parë bashkë në PD.

Cila ishte kjo ngjarje e rëndësishme që i mblodhi, kur nuk e bënë të njëjtën gjë në kohën që PD denonconte krimin zgjedhor, masakrën elektorale? Ata që nuk shkuan te opozita, kur u vodh nga qeveria, për cfarë kanë shkuar sot? Kanë shkuar për ta shpëtuar nga Berisha. Mesazhi është i qartë: Kundër Berishës e ndihmojnë, kundër Ramës jo. Si opozitë e mbështesin, mjafton të mos prekë Edi Ramën. Madje po të ekzekutojë pa gjyq ata që nuk pëlqehen nga ambasadat, PD mund të hajë edhe më shumë se bar. (Fjala bar nuk ka parasyh atë që pihet, se ai është tabu për ambasadorët. Ai mund të mbillet në 2021, pothuajse sa në 2016, por fajin e ka Saliu).

Kështu Lulzim Basha, po ofron “demokracinë e Ambasadorëve”, që kupton një mandat për të shkatërruar procesin demokratik. Po bën atë që bëri Edi Rama në 25 prill, pasi siguroi licencën ndërkombëtare për të masakruar zgjedhjet kombëtare. Do ishte naive të mendohej se mjeshtri i koncesioneve, nuk do ta gjente koncesionin e duhur për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare, në masakrimin e demokracisë. Në 25 prill SHBA e para dhe BE më pas, e pranuan shkatërrimin e zgjedhjeve, përshëndetën Ramën ende pa mbaruar procesi i numërimit, lerë pastaj ankimimet dhe rinumërimet që mund të ndryshonin rezultatin. Përpara zgjedhjeve pranuan që Edi Rama të prishte marrëveshjen për të cilën ata u dolën garant jo vetëm partive të opozitës, por gjithë shqiptarëve që duan të votojnë të lirë.

Fajësimi që iu bë nga opozita, media dhe shoqëria për licencimin e regjimit, nuk ka sjellë asnjë reflektim. Në mes të një procesi, kur pritet një referendum dhe një Kuvend në 18 dhjetor, ambasadorët shkojnë për të licencuar një kryetar. A është apo jo Basha kryetari i ligjshëm, do ta vendosë përfundimi i procesit, por për ambasadorët nuk ka rëndësi demorkacia. Ata tashmë e kanë marrë vendimin e mbështetjes së atyre që duan, atyre që u binden dhe u japin stabilitetin që kërkojnë.

Ikja e Berishës duhet të kishte ndodhur në qershor 2013, kur 1 milion shqiptarë votuan kundër tij, kur tentativa e tij për një regjim politiko-ekonomik mori goditje të qartë, kur Drejtësia shpëtoi nga presioni për hetimin e pavarur të Gërdecit dhe 21-janarit, kur ata që bënin grevë urie me slloganin “hap kutitë ose largohu” erdhën në pushtet. Ikja e Berishës, duhet të kishte ndodhur në korrik 2013, kur dy kandidatë të rinj kërkonin ta pasonin, por asnjeri nuk doli kundër qeverisjes së tij, kundër drejtimit që i bëri partisë. Të dy kërkuan vota duke pretenduar se kishin mbështetjen e Berishës.

Berisha duhet të kishte ikur në 25 qershor 2017, në 25 prill 2021, por nuk iku, sepse kryetari i PD-së e mbajti për ta përdorur mbështetjen e tij kundër rivalëve dhe kundërshtarëve në parti. Ai duhet të ikë sot, duhet të kishte ikur në 19 maj. Kur u shpall non grata nga SHBA, duhet të kishte dhënë dorëheqjen për të ndjekur çështjen privatisht.

Nga qershori 2013, çdo orë e Berishës në politikë ka qenë e tepërt, e pajustifikuar, por ai nuk iku. Ai duhej hequr dhe duhet hequr, por jo pa votë, jo me metodën Berishiste të pezullimit apo përjashtimit si vendim personal i kryetarit, apo si një marrëveshje okulte me këdo qeveri të një vendi tjetër. Marrëveshjet okulte dhe aktet antidemorkatike që janë toleruar më parë, kanë sjellë vetëm qeverisje të këqija dhe të korruptuara, pavarësisht se të mbështetura nga ambasadorët apo qeveritë. Nëse kontrolli i shoqërisë ndaj politikanëve dorëzohet pas ndërhyrjes së ambasadorëve apo qeverive të huaja, qeverisja e keqe është e pashmangshme dhe për këtë na shërben historia 30- vjeçare, përveç diktaturës. Ata që justifikojnë mbështetjen për vendimet antidemokratike, me imazhin e Berishës, i shërbejnë, me ose pa dashje, diktaturës së tashme ose të ardhme. Njësoj si ata që kërkojnë ekzekutimin pa gjyq të një të dyshuari, duke e shndërruar Drejtësinë në vetëgjyqësi.

Të mbrosh aksionin demokratik të mbledhjes së Kuvendit nga delegatët, të mos pranosh vendimmarrjen personale të një personi për fatin e një partie dhe më pas të gjithë shoqërisë që kërkon opozitë të fortë, të kërkosh që një shumicë e qartë të mos injorohet me hile proceduriale dhe as me vizita ambasadorësh, nuk është të mbrojtje për Berishën, nuk është mbrojtje për një person, por është mbrojtje e asaj pak demokracie që ende po kërkon hapësirë. Berisha nuk është garant i demokracisë, por halli i tij personal ka krijuar mundësinë që zëri i njerëzve të ketë forcë. Nëse kjo forcë injorohet me procedura dhe asgjësohet me ambasadorë, regjimi do instalohet lehtësisht duke zhdukur çdo hapërsirë demokratike.

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

editorial editorial dosja.al enton abilekaj perplasje ne partine demokratike yuri kim dosja.al enton abilekaj perplasje ne partine demokratike yuri kim

Sondazh

Poll

Editorial 12 Dhjetor 2021, 06:50

Berisha, zoti i pavdekshëm i gjurulldisë

Nga Arlind QoriSali Berisha nuk vdiska kurrë. Për herë të parë emrin e tij e kam dëgjuar kur isha 9 vjeç, dikur nga janar-shkurti i 1991, kur një fqinj u...

Editorial 11 Dhjetor 2021, 19:20

Agonia mbaroi

Çdo njeri ndez një dritë të vetën e cila shpalos përpara të tjerëve fuqinë dhe forcën individuale të tij. Mënyra e vetme për ta ndezur atë është nëpërmje...