Editorial

Agonia mbaroi

11 Dhjetor 2021, 19:20 Nga DOSJA
Agonia mbaroi

Çdo njeri ndez një dritë të vetën e cila shpalos përpara të tjerëve fuqinë dhe forcën individuale të tij. Mënyra e vetme për ta ndezur atë është nëpërmjet vetvetes. Mes kërkimit të vetvetes dhe zbulimit të aftësive ne mundemi të ndezim dritën tonë. Drita e secilit individ është ajo shkallë shkëlqimi që rrjedh nga ai person kur nxjerr në pah aftësitë e tij. Ai shkëlqim cilësor, i bërë me lumturi, e bën atë individ të arrijë shkallën sipërore shpesh mbi të gjithë të tjerët. Të gjithë, me mjetet e tyre, me përpjekjet e tyre të përditshme dhe të vazhdueshme, duke mësuar gjithçka që ekziston, përpiqen fuqishëm gjatë këtij procesi. Gjëja më e rëndësishme për një person i cili arrin të ketë dritën e tij është se ai ka arritur përsosmërinë dhe elegancën e madhështisë së tij. Kur kjo dritë ndizet asgjë dhe askush nuk mundet ta fik më dot. Ky shpjegim, pak a shumë i paraqitur me fjalët e mia, i dhënë nga një psikologe më erdhi në mendje sot kur shihja Kuvendin e Partisë Demokratike.

Unë mendoj se, pikërisht sot, ndezja e kësaj drite ndodhi tek Partia Demokratike, e cila pas përpjekjeve të shumta, arriti shkallën e shkëlqimit që e lartësoi mbi të gjitha partitë e tjera. Kuvendi i saj është një rast unikal në politikën tridhjetë vjeçare, është shprehja më e lartë e frymës së shumicës. Gjatë këtyre muajve të betejës Berisha –Basha, do të ishim naivë infantil nëse, qoftë edhe për një çast të vetëm, do të mendonim se ky i fundit do të kishte më shumë mbështetës se Berisha.

Unë mendoj se as vetë Basha nuk e ka besuar ndonjëherë këtë gjë, madje mendoj se pikërisht kjo ka qenë arsyeja se përse kurrë nuk doli ballë për ballë në fushëbetejë. Kjo ka qenë arsyeja që gjatë këtyre muajve mundohej të kapej pas gjethesh e degëve, të cilat nga nxitimi për të mos u mundur, nuk e shihte se ishin të kalbura dhe të thara.Këto muaj, kam menduar se gjithmonë do të gjendej një moment reflektimi dhe nga selia e PD-së do të dilte një konferencë për shtyp me një dorëheqje ose me një pranim konkurrence, e partia do të çlirohej. Kjo gjë nuk ndodhi por, edhe pas Kuvendit të sotëm jo vetëm që nuk po ndodh momenti politik i reflektimit por, po vazhdohet me zvarritjet dhe hedhjen sa nga një degë e kalbur tek tjetra.

Lulëzim Basha dhe ata që e udhëzojnë, vazhdojnë të përpiqen të godasin, si liliputët Guliverin, me shigjetat e shkarkimeve nëpër degë dhe nuk po munden të pranojnë se anëtarësia në organin më të lartë vendimmarrës foli, foli me pjesëmarrje dhe me votë. Tashmë është e kotë rezistenca. Me vendimin për shkarkimin e 11 kryetarëve të degëve, Lulëzim Basha tregoi se ai kurrë nuk u arriti dot lartësinë e një burri shteti apo të një politikani të denjë si kandidat për kryeministër. Ai nuk e di se fitojnë pikërisht ata që guxojnë. Ai gjatë viteve që drejtoi Partinë demokratike nuk mësoi se, burrat e shtetit dinë të tërhiqen, se personaliteti që ata krijojnë gjatë karrierës së tyre, ka më shumë rëndësi se karrigia ku i ul pushteti.

Gjithsesi, sot agonia e Partisë Demokratike, mbaroi. Ujërat e ndenjura të tetë vjetëve tani duhet të fillojnë të ndryshojnë. Sot, unë si qytetare PA PARTI, jam më e qetë sepse kam një shpresë. Unë uroj dhe shpresoj që tani e tutje të kem opozitën që dua.

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

editorial editorial meri lika meri lika

Sondazh

Poll