Ekonomi

Tregu i sigurimeve u rrit me 15.5% në periudhën Janar-Maj

29 Qershor 2021, 05:50 Nga DOSJA
Tregu i sigurimeve u rrit me 15.5% në periudhën Janar-Maj

Tregu i sigurimeve u rrit me 15.5% për pesë muajt e parë të këtij viti.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se tregu po rritet me ritme më të shpejta, por në një pjesë të madhe ndryshimi me vitin e kaluar i detyrohet efektit të mbylljes së ekonomisë në periudhën mes marsit dhe majit 2020.

Për shkak të kufizimit të lëvizjes, shumë produkte sigurimi pothuajse u paralizuan, duke përfshirë këtu edhe atë kryesor, sigurimin e detyrueshëm të mjeteve për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.

Për këtë arsye, rritja dyshifrore e tregut të sigurimeve këtë vit i detyrohet kryesisht rrethanave të jashtëzakonshme që ndryshuan kushtet e operimit të tregut vitin e kaluar. Segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të jo-jetës u rrit me 15%, rritje që është shtrirë pothuajse në të gjitha klasat e sigurimit.

Pavarësisht se zhvillimet e tregut duhen lexuar në kontekstin e rrethanave të ndryshme krahasuese, pozitiv është rritja e peshës së sigurimeve vullnetare. Primet e sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës për 5-mujorin e këtij viti janë rritur me 41%. Megjithatë, në numër kontratash rritja është më e kufizuar, me rreth 11.5% më shumë ndaj vitit të kaluar.

Ndër produktet e tjera vullnetare, rritje me ritme dyshifrore ka shënuar edhe sigurimi Kasko i automjeteve, sigurimi i mallrave në transport, sigurimi i garancive dhe sigurimi i shëndetit.

Segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të detyrueshme motorike, është rritur me 11.5%, i udhëhequr sidomos nga rritja e sigurimeve të brendshme TPL dhe e policave të sigurimit kufitar.

Në krahun tjetër, totali i dëmeve të paguara për pesë muajt e parë të këtij viti ka rënë me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, edhe në këtë tregues duhen pasur parasysh zhvillimet e jashtëzakonshme, të lidhura me pasojat e tërmetit të nëntorit 2019.

Kjo ngjarje solli një rritje të fortë të dëmeve gjatë vitit të kaluar, duke i çuar ato jashtë parametrave të viteve normale. Në veçanti, dëmet në tregun e sigurimeve të jo-jetës kanë pësuar rënie me 9.7% ndaj vitit të kaluar.

Efekti i përkohshëm i tërmetit është i qartë edhe në ndryshimet në strukturën e dëmeve sipas klasave të sigurimit. Vitin e kaluar, dëmet nga katastrofat përbënin 54% të totalit, ndërsa këtë vit ato zënë vetëm 15%.

Produktet e sigurimit motorrik janë kthyer të dominojnë strukturën e dëmeve. Sigurimet e detyrueshme motorrike sollën rreth 49% të dëmeve totale, ndërsa sigurimet kasko rreth 10%.

Marre nga Monitor

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

ekonomi ekonomi tregu i sigurimeve tregu i sigurimeve

Sondazh

Poll

Ekonomi 29 Qershor 2021, 05:30

Shqipëria përmendet si shteti kryesore i origjinës së kanabisit në Europë dhe i gjashti në botë për periudhën 2015-2019, sipas raportit të fundit global të drog...