Editorial

Opozita si instrument i prishur

5 Maj 2021, 12:57 Nga DOSJA
Opozita si instrument i prishur

Ndërsa vula e votës mbi gisht po shuhet dhe prilli duket i largët, zymtësia e mandatit të tretë, duke u përzjerë më me optimizmin e pranverës së vonuar, po bëhet më e kapërdishme. Për ata që nuk do të ikin.

Rezultati i vulosur u ndie në Durrës ku filloi stërvitja më e madhe e NATO-s. Përveç ministrave buzëpërveshur, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, me prezencën e pajustifikuar, ndihej i llastuar nga vëmendja e veçantë e ambasadores amerikane.

U ndie në Rinas sot në mëngjes, ku Varhelyi, bashkë me vaksinat, dha një “Okej” të rezervuar për Parlamentin e ri, aq sa i duhej Edi Ramës për ta fiksuar plotësisht legjitimitetin e mandatit të tretë.

Për rezervat e blerjes së votës që vijnë nga Brukseli dhe Berlini mendon dora e shtrirë e mandatarit për opozitën. Vula e votës, po i lë vendin vulës së mandatit të tretë, angazhimi partiak po ia lë vendin nevojave të ditës, përplasjet politike bisedave të punës.

Vetëm në Presidencë, PD dhe LSI, koha ka mbetur në 26 prill. Ata vazhdojnë të premtojnë që fitorja është në kuti, vazhdojnë të aludojnë mbështetësit më fanatikë që zgjedhjet nuk kanë mbaruar akoma dhe se hetimi që do përfundojë të hënën, do ndryshojë gjithçka.

Nuk do t’i njohin zgjedhjet, por do të njohin produktin e tyre, parlamentin, nuk do të ketë protesta por takime me mbështetësit. Nuk ka dorëheqje pranim të përgjegjësisë, as konsultime me forumet legjitime. Ata që kërkojnë dorëheqjen cilësohen bashkëpunëtorë të Edi Ramës, beteja do të vazhdojë deri në fitore.

Brenda selive është mbyllur edhe komunikimi, edhe arsyeja. Partia Demokratike, LSI apo edhe Presidenti, duket sikur po bindin veten, se, po të mos e pranojnë realitetin, ai nuk do të ekzistojë. Mungon vetëm një deklaratë “humbja janë të tjerët”, për të jetuar “me dyer të mbyllura” në fitoren që nuk u bë dot mandat për të qeverisur.

Jashtë selive, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin, SHBA dhe BE e kanë njohur, votuesit i janë rikthyer jetës së mëparshme, besimi se ka një çelës magjik në duart e drejtuesve të opozitës është kthyer në zemërim për zhgënjimin e paralajmëruar.

Pavarësisht masakrës elektorale, pavarësisht deformimit të rezultatit, mundësitë për të patur një proces të drejtë nuk janë më. Edi Rama kishte një licencë ndërkombëtare për të marrë mandatin e tretë me të gjitha mjetet dhe për këtë opozita duhet të pyesë veten.

Pse ndërkombëtarët i njohën zgjedhjet më shpejt se KQZ? A ishte mandati i pambaruar i Reformës në Drejtësi që i dha licencën për grabitje Edi Ramës? Ishin qëndrimet e mëparshme të opozitës, apo qëndrimet aktuale të Ilir Metës? Cili është projekti i opozitës për 4 vitet e ardhshme, përveç hyrjes në parlament për t’i bërë fasadën regjimit?

E vërteta është që Perëndimi po e shpreh hapur se është fare pak i interesuar për atë që ndodhi në zgjedhje. Opozita nuk e ka mbështetjen e SHBA dhe BE, të paktën në këtë pikë, nuk mund të mbështetet tek ata për të vënë në dyshim procesin apo rezultatin.

E vetmja mundësi është të kërkojë mbështetjen e popullit, por votuesit nuk mund të flasin pas zgjedhjeve, nëse nuk ka protesta. Për më tepër protestat u provuan që janë të pamjaftueshme dhe, akoma më keq, lidershipi opozitar e provoi që i braktis protestat dhe protestuesit, sapo i jepet mundësia të ulet me Damian Gjiknurin për marrëveshje.

Nëse do të provohet rruga e protestave është e qartë që nuk mund ta udhëheqë ai që mbylli çadrën për një natë ekzotike në zyrat e Kuvendit më 17 maj, apo që mbylli protestat menjëherë pasi dorëzoi pushtetin lokal, për tu ulur me atë që akuzonte më shumë se të gjithë, për blerje votash.

Duke mbajtur fort karrigen e Kryetarit, Lulzim Basha kompromenton edhe betejën për denoncimin e masakrës elektorale. Duket sikur kjo betejë nuk ka si qëllim zgjedhjet e lira, por justifikimin për humbjen që Basha të mbajë karrigen. Nëse do të ishte dorëhequr, beteja do të dukej më parimore, megjithëse pas vjedhjes.

Për të mbrojtur veten, kryetari i PD po e përçan më shumë opozitën, duke akuzuar ata që i kërkojnë dorëheqjen si shërbëtorë të Edi Ramës, apo certifikues të rezultatit. Është e vërtetë, që dikush e harron se fajin e ka hajduti, por kjo nuk e mban dot rojen në punë.

Shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet instalimit të një regjimi, është privatizimi i opozitës, identifikimi i saj me një njeri, shndërrimi i betejës në një duel pa interes. PD ishte vetëm instrumenti me të cilin, një shoqëri e zemëruar nga keqqeverisja, kërkonte ndryshimin. Nëse instumenti mbetet i njëjti, shoqëria do të kërkojë një tjetër. Nuk do të kërkojë për herë të tretë, të bëjë të njëjtën gjë më të njëjtin instrument.

Dosja.al

Rama është propozuar për president nga disa deputetë socialiste, mendoni se:

View Results

editorial editorial edi rama humbja e opozites rezultati i zgjedhjeve edi rama humbja e opozites rezultati i zgjedhjeve

Sondazh

Poll

Editorial 5 Maj 2021, 15:31

Ç’duhet të bëjë Lulzim Basha?

Zgjedhjet përfunduan me rezultat katastrofik për opozitën dhe gjithë vëmendja e shoqërisë dhe faktorit ndërkombëtar, është drejtuar te lideri i opozitës Lulzim ...

Editorial 30 Prill 2021, 08:39

Durim inteligjent

Në shumë biseda për të ardhmen e vendit dhe demokracinë e tij, papritmas dikush thotë fraza të tilla si: “Harrojeni, këta do të qeverisin edhe 20 vjet të ...

Editorial 29 Prill 2021, 13:39

Regjimi nisi rrugëtimin, opozita nuk mjafton

Një hartë dyngjyrëshe, me pakicën blu në krye, ka pushtuar si kërcënim mediat dhe rrjetet sociale. Shfaqet si fortografi besnike e hartës elektorale të Shqipëri...

Editorial 28 Prill 2021, 14:38

Kush i fitoi zgjedhjet?

Zgjedhjet i fitoi regjimi kleoptokratiko-mediatik. Zgjedhjet i fitoi Toma i Doshëve i shpallur “non grata” në Amerikë e Australi për korrupsion dhe trafik droge...

Editorial 27 Prill 2021, 10:26

Pse humbi Opozita?

Zgjedhjet e 25 Prillit prodhuan një shumicë qeverisëse për K/ministrin Rama duke vendosur një rekord të paparë në 30 vite të ashtëquajtura demokraci, me tre man...