Politike

Skandali me të dhënat personale, Meta i dërgon shkresë SPAK: Nisni hetimet, cënim skandaloz

12 Prill 2021, 12:21 Nga DOSJA
Skandali me të dhënat personale, Meta i dërgon shkresë SPAK:

TIRANË– Presidenti Ilir Meta i ka dërguar shkresë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku i kërkon të nisë hetimet pas skandalit me krijimin e regjistrit të të dhënave personale të mbi 910 mijë qytetarëve. Në letër, shkruhet se të dhënat personale të çdo shtetasi, që këta të fundit i depozitojnë në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj, dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit dhe nuk mund të keqpërdoren në këtë formë, siç edhe ka ndodhur.

Në letër, Meta shton se çdo përdorim i këtyre të dhënave, qoftë dhe për të furnizuar baza të tjera të dhënash që krijohen nga një parti politike për qëllimet e saj, është një cënim skandaloz i të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Kreu i Shtetit kërkon që SPAK të nisë menjëherë hetimet, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të administruar dhe sekuestruar jo vetëm provat që faktojnë këtë veprimtari të paligjshme, por edhe për të ruajtur dhe ndaluar abuzimin që kryhet me të dhënat personale të shtetasve, nga Partia Socialiste në këtë proces zgjedhor.

Letra e plotë:

Nisur nga të dhënat e denoncuara publikisht ditën e djeshme nga ish-deputeti Enkelejd Alibeaj dhe atyre të bëra publike në median sociale, ka rezultuar se strukturat politike të Partisë Socialiste, mbajnë, administrojnë, përdorin dhe përpunojnë një bazë të dhënash në format elektronik, me tregues sensitive individuale dhe konfidenciale të shtetasve me të drejtë vote në Republikën e Shqipërisë. Sipas asaj që është bërë publike, rezulton se ky model formati, që administrohet dhe përpunohet nga Partia Socialiste, ka të dhëna të njëjta me ato që administrohen nga AKSHI, përmes portalit e-Albania.

Përdorimi i të dhënave personale që administrohen nga një Regjistër Publik shtetëror, si ai i AKSH-it, është nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur përgjatë kësaj fushate zgjedhore. Përdorimi i bazave të të dhënave shtetërore, nga një subjekt politik si Partia Socialiste, e cila është dhe forcë qeverisëse, për qëllime shantazhi, intimidimi, ndërveprimi me zgjedhësit, për të siguruar votën dhe mbështetjen e tyre, si dhe grumbullimi e përpunimi i këtyre të dhënave në mënyrë të paligjshme, përbën jo vetëm veprimtari të ndaluar nga neni 91 i Kodit Zgjedhor, por përmban elementë të disa veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal, duke filluar nga shpërdorimi i detyrës (neni 248, i Kodit Penal) konsumuar nga funksionarët që kanë për detyrë të administrojnë dhe mbrojnë këto të dhëna, deri të “Përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a, i Kodit Penal.

Të dhënat personale të çdo shtetasi, që këta të fundit i depozitojnë në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj, dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit.

Çdo përdorim i këtyre të dhënave, qoftë dhe për të furnizuar baza të tjera të dhënash që krijohen nga një parti politike për qëllime të saj, është një cenim skandaloz i të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që veç të tjerave krijon terren për keqpëdorimin e tyre. Presidenti i Republikës, i shqetësuar nga ky skandal i denocuar tashmë publikisht, i kërkon SPAK-ut, të nisë menjëherë hetimet, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të administruar dhe sekuestruar jo vetëm provat që faktojnë këtë veprimtari të paligjshme, por edhe për të ruajtur dhe ndaluar abuzimin që kryhet me të dhënat personale të shtetasve, nga Partia Socialiste në këtë proces zgjedhor.

Të dhënat e publikuara, jo vetëm që evidentojnë një veprimtari të paligjshme, të konsumtuar në formë të organizuar, por nga ana tjetër, cenojnë rëndë integritetin dhe besimin e publikut në paanshmërinë e organeve kryesore të shtetit si SPAK, SHISH, etj. Kjo është një arsye më shumë, për nevojën urgjente që paraqet hetimi i këtij rasti.

Presidenti vlersëson se, në një situatë të tillë, nuk mjafton vetëm nisja e hetimeve për rastin konkret, por SPAK duhet që me veprime konkrete proaktive, të parandalojë dhe hetojë çdo lloj veprimtarie që cenon të drejtën për zgjedhje të lira e të ndershme, mbi të gjitha për të rikthyer edhe besimin e qytetarëve tek funksionimi i drejtësisë, pavarësia e saj, dhe ndëshkimi i shkelësve të përsëritur të ligjit.

Por çfarë ka ndodhur me të dhënat personale të qytetarëve?

Skandali është zbuluar ditën e djeshme nga Lapsi.al. Një database me të dhënat e mbi 910 mijë votuesve, përfshirë këtu një sërë emrash të njohur të gazetarëve si Blendi Fevziu, Ylli Rakipi, Mero Baze, Fatos Lubonja, Andi Bushati, Armand Shkullaku, Arjan Cani e Eni Vasili, janë të skeduar me preferencat politike dhe shanset se për kë do të votojnë me 25 prill. Sipas portalit, ky regjistër elektronik është shpërndarë në të gjitha degët e PS në Shqipëri dhe të dhënat janë marrë nga e-albania. Në një reagim, AKSHI mohoi të ketë gisht në këtë database, ndërsa Taulant Balla tha se PS ka regjistra prej vitesh.

(F.M/DOSJA.AL)

Rama është propozuar për president nga disa deputetë socialiste, mendoni se:

View Results

politike politike ilir meta investigimi i lapsi.al skandali me te dhenat personale ilir meta investigimi i lapsi.al skandali me te dhenat personale

Sondazh

Poll