Aktualitet

Vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese, pranon pjesërisht padinë e pronarëve, rrëzon disa nene nga ligji i pronave

16 Shkurt 2021, 08:34 Nga DOSJA
Vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese, pranon pjesërisht

TIRANË–  Gjykata Kushtetuese ka dhënë sot  vendimet e saj të para që nga krijimi lidhur me ligjin për pronat. 

Përmes dy vendimeve, Gjykata ka hedhur poshtë skemën e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve, parashikuar në ligjin e vitit 2015. Në janar të vitit 2017, Kushtetuesja, i dha goditjen e parë ligjit nr. 133/2015 për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, duke rrëzuar pikat 3 dhe 5 të nenit 6 të ligjit, që parashikonin metodologjinë e vlerësimit të pronës. Pikat e rrëzuara parashikonin vlerësimin e pronës në gjendjen e saj në vitin1945, pa marrë parasysh transformimin dhe gjendjen e saj aktuale sot të saj. Pra, nëse një pronari i është konfiskuar një tokë arë në ’45, ku sot është kthyer në zonë urbane, trashëgimtarët do të kompensoheshin sipas statusit të tokës në ’45.

Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dy pika në nenin 7 të ligjit, që parashikonin metodologjinë e vlerësimit të tokës së kthyer ish-pronarëve në raport me  të gjithë sipërfaqen që i është njohur me vendime, si dhe duke hedhur poshtë kufirin maksimal financiar prej 100 mijë USD për kompensimin financiar.

Pikat e rrëzuara sot nga Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të shoqatave të ish-pronarëve, parashikonin që vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kompensim do të bëhet duke vlerësuar financiarisht pronën e njohur për kompensim, sipas nenit 6. Nëse vlerësimi i pronës së kthyer me vendim përfundimtar rezulton se është më i madh sesa  vlerësimi i tokës së njohur për kompensim, atëherë subjekti i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Nëse vlerësimi i pronës që është njohur për kompensim është më i madh sesa vlerësimi i tokës së kthyer, atëherë subjektit i kompensohet diferenca.

Kushtetuesja ka rrëzuar sot edhe dy pika të rëndësishme në VKM-në 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar. Kushtetuesja ka rrëzuar tre format e parashikuara të kompensimit, kompensim fizik në ish-pronën e subjektit të shpronësuar, kompensim fizik nga fondi i tokës dhe kompensim financiar.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe një kushtëzim për kompensimin financiar, sipas të cilit ish-pronari përfiton kompensim financiar nga fondi financiar i kompensimit, deri në 20 % të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë se 10 000 000 lekë. Kështu, Gjykata Kushtetuese detyron qeverinë dhe Kuvendin të miratojnë një formulë tjetër për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve.

Gjykata Kushtetuese u bë funksionale javë më parë me betimin e anëtares së shtatë të saj, Sonila Bejtja. Institucioni përbëhet nga 9 anëtarë, 3 që zgjidhen nga kreu i shtetit, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë, e cila ende nuk është funksionale. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi.

(A.B;kle.mu)/Dosja.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet gjykata kushtetuese gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll

Aktualitet 16 Shkurt 2021, 08:06

TIRANË– Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë informacion në lidhje me situatën që gjendet vendi pas bllokimit të akseve rrugore nga moti i keq. Kështu bëhet...

Aktualitet 16 Shkurt 2021, 07:58

SHQIPËRI– Vendi ynë po përballet me temperatura nën minus dhe reshje dëborë që kanë përfshirë gjithë territorin e Shqipërisë. Sot temperatura më e ulët për...

Aktualitet 16 Shkurt 2021, 07:30

TIRANË– Mjeku Martin Mano ka analizuar kurën e ilaçeve anti-COVID të përdorur nga moderatorja Bora Zemani. Kjo e fundit pasi e kaloi pandeminë...