Aktualitet

KRIMIN S’E NDAL AS COVID! 49 të vrarë në 12 muaj, mbizotëruan atentatet e dyfishta, s’u kursyen as nëntë jetë grash (

31 Dhjetor 2020, 16:11 Nga DOSJA

SHQIPËRIA– Ata janë 49! 49 jetë njerëzish, burra e gra, të vrarë e të masakruar, të nxjerrë në pritë e të tradhëtuar që nuk do të trokasin gotat për fundvit….As karantina nuk i mbrojti nga hasmi, rivalët dhe duart e burrave xhelozë. Nën nxitimin e ruajtjes nga Covid-19, për të blerë maska e dezinfektantë e nën ritmet e raportimeve për të infektuarit e viktimat e shkaktuara nga koronavirusi, krimi gjeti kohë ‘të ngjallej’ e të zgjeronte ‘shoqërinë’…Dhe nuk priti shumë, veç pesë ditë pas festave të fundvitit, më pesë janar, kur ndodhi edhe vrasja e parë e këtij viti sfidues.

Drita Saliaj, gruaja që u grabit, u përdhunua dhe u vra në mënyrë makabre nga nipi i bashkëshortit

51-vjeçarja Drita Saliaj u vra më 5 janar, por u gjet dy ditë më pas në rezervuarin e fshatit Gjerbës në Mallakastër pas denoncimit që bënë familjarët për zhdukjen e papritur. Ajo jetonte e vetme, pasi burrin e kishte emigrant në Greqi dhe nuk ia priste mendja që pikërisht nipi i të shoqit do t’i merrte jetën në mënyrën më të tmerrshme të mundshme. Ishte data 4 janar, në orën 22:30, kur Luis Saliaj telefonoi mikun e tij Sindi Shehaj dhe i tha që të shkonte në Gjerbës ta takonte pasi ashtu e kishte punën. Në këto rrethana është nisur me makinën e tij e ka shkuar tek Luisi, ku janë takuar në afërsi te banesës së këtij të fundit. Të dy bashkë me Ervis Zotajn dhe Sindi Shehaj shkuan në shtëpinë e Drita Saliajt, ku do të merrnin hashash. Pazari për lëndën narkotike bëri që mes tyre të lindin debate dhe gjithccka të përfundonte në vrasjen e 51-vjeçares. Sipas dëshmisë së një prej të arrestuarve Sindi Shehaj, 16 vjeç, ai së bashku me 26-vjeçarin Ervis Zotaj dhe nipin e burrit të viktimës Luis Saliaj, kanë shkuar në banesën e saj për të blerë hashash, por që kanë debatuar për çmimin. Pas debatit Sindi Shehaj tha se 26-vjeçari Zotaj ka përdhunuar 51-vjeçaren dhe më pas e kanë lidhur duke e futur në makinë dhe mbytur në rezervuar. Të tre tashmë ndodhen në pranga.

Vritet Guxim Gjyriqi, kushëriri i Fatmir Haklajt

Guxim Gjyriqi, biznesmen dhe djali i tezes së Fatmir Haklajt u ekzekutua me armë zjarri në hyrje të karburantit dhe restorantit të tij në Tropojë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 janar rreth orës 23:32, në momentin që Gjyriqi ka dalë nga restoranti i tij. Kamerat e sigurisë filmuan makinën e autorëve që largohej me shpejtësinë e dritës pasi vranë biznesmenin e njohur në zonë. Guxim Gjyriqi njihej në zonë si një njeri i qetë, pa probleme dhe pa precedentë penalë, kështu që pistat ku u hetua ishin dy: konflikte të kohëve të fundit dhe konkurenca për shkak të bizneseve të tij. Gjyriqit iu zbulua dhe një lidhje gjaku me Fatmir Haklajn, të cilin e kishte djalë tezje, por ende nuk dihet nëse ngjarjet kanë lidhje me njëri-tjetrin.

Vrasja me tek plumb snajperi, si u ekzekutua Kastriot Reçi, rindezi hakmarrjen mes fiseve Reçi-Gjini

Paraditen e 7 janarit, Kastriot Reçi u nis si çdo ditë të zhvillonte aktivitetet e tij të përditshme, por këtë herë koha nuk i mjaftoi as për të pirë ‘kafen e zgjimit’. Teksa u afrua në një nga bizneset e tij, pikërisht në derën e lokalit, Reçi u mbajt në shënjestër me snajper. Ai u ndalua të përshëndeste një fëmijë të zonës, të shoqëruar nga i afërmi i tij dhe vetëm pak sekonda pasi u largua nga fëmija, plumbi i snajperit e kapi në zemër dhe e la të vdekur në vend. Pamjet e vrasjes bënë xhiron e rrjetit dhe të gjitha hetimet u fokusuan tek fisi Gjini, rivali i përjetshëm i familjes Reçi, që nga viti 2016. Burime në Policinë e Shtetit, i thanë Dosja.al se gjurmët e siguruara deri më tani, të çojnë drejt të afërmve të Armando Gjinit, i ekzekutuar më 12 gusht 2019, në sy të fëmijëve të tij të mitur, në qendër të qytetit të Rrëshenit, ndërsa për këtë vrasje u dyshua Kastriot Reçi dhe grupi i tij, por kurrë akuza nuk u faktua. Autori i veshur si grua, me paruke, një kapuç të zi e një fustan ngjiti shkallët për në katin e shtatë të pallatit, ku kishte apartamentin Armando Gjini dhe ekzekutori Reçin me sukses e pa rënë në sy. Apartamenti në pronësi të Gjinit e përforcoi pistën. ‘Snajperi’ është një person me eksperiencë me armët luftarake, por ende hetuesit nuk kanë rënë në gjurmët e tij…

Enkeleda Çapoku, gruaja që i mori jetën kunati, xhelozitë mes tyre

Enkeleda Çapoku, nënë e një vajze dhe me burrin në burg, u vra nga kunati i saj, Erdet Ccapoku, më 9 janar. Në orët e vona të 9 Janarit, Erdet Çapoku teksa ndodhej në gjendje të dehur, shkelmoi derën në banesën ku jetonte Enkeleda Çapoku, nusja e vëllait të tij së bashku me të ëmën dhe vajzën 17 vjeçe, duke masakruar me thikë e me bishtin e sqeparit 38-vjeçaren. Çapoku u vu në pranga dhe rrëfeu para efektivëve se ishte në gjendje të dehur e për këtë arsye e kishte kryer edhe krimin. Ndërkohë që Elton Çapoku, burri i viktimës, pra vëllai i autorit, që ndodhej në burg duket se e kishte parandjerë ngjarjen e rëndë, pasi në një nga vizitat që i kishte bërë i vëllai tjetër Ervini në dhjetor para festave, ai i kishte thënë që “Me nusen time merrem vesh vetë unë, nuk ka punë me nusen dhe vajzën time ai (Erdeti) se do të na bëjë ndonjë të padëme”.

Jani Prenga, rrëmbimi dhe vrasja e 17 janarit, viktima që ende nuk ka varr

49-vjeçari, Jani Prenga, babai i 5 fëmijëve u mor peng me “Range Rover” më 17 janar, në ditën për diell dhe u ekzekutua. Ai u vra në bodrumin e kompleksit luksoz “Golden” në pronësi të Ajtin Hajrit, që sa i shndritshëm ishte nga jashtë, aq I ‘zi’ do të kujtohet për familjarët e Prengës dhe vetë atë. Prenga jetonte prej vitesh në zonën e Bathores dhe hoqi ‘kusuret’ e të vëllai, i cili kishte rolin e korrierit për grupin në Mbretërinë e Bashkuar. Pengmarrësit donin t’i bënin presion, pasi ai nuk kishte dërguar në destinacion 50-60 kg kokainë dhe të gjitha pasoja i vuajti Jani, që merrej me një mobileri, me të cilën kishte rritur e ushqyer fëmijët e tij. Për ngjarjen në fjalë u vunë në pranga vëllezërit Elton, Leonard dhe babai i tyre, Bajram Hajri (që u lirua më vonë për shkaqe shëndetësore), 36-vjeçari Olsi Turja, të gjithë banues në Shijak. Kërkimet me qen e mjete të ndryshme vijuan për muaj me radhë, por familja Prenga ende nuk ka një varr ku ta qajë djalin. Përveç zgjerimit të hartës së trupi për gjetjen e trupit të Jan Prengës, burime policore njoftuan se janë zbuluar në bazë të përgjimeve në marrëveshje dhe me autoritetet britanike se cili ka qenë personi që ka urdhëruar pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës. Bëhet fjalë për Dritan Gramoz Rexhepi, sipas policisë ky është personi që porositi nga burgu në Ekuador ku ndodhet që nga viti 2014, pengmarrjen e Jak Prengës. Rexhepi mësohet se i ka kërkuar Astrit Prengës (vëllai i viktimës) që të japë sqarime në lidhje me drogën që ka humbur. Astriti mendohet se ka patur për detyrë që të marrë lëndën narkotike nga porti i Portsmooth në Britaninë e Madhe dhe ta dërgojë në destinacionin final por droga nuk është dorëzuar nga Astrit Prenga. Duke qenë në këtë situatë Rexhepi ka dhënë urdhrin për rrëmbimin e vëllait Jan Prengës, urdhër i cili u zbatua në 17 janar. Por vetë Rexhepi nuk e ka marrë përsipër këtë ngjarje. Ditë më vonë u arrestua edhe Festim Bexhdili, që dyshohet se dogji rrobat e viktimës dhe është personi kyç që mund të zbardhë vendin ku u varros babai i pesë fëmijëve. Por deri më tani nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë për të treguar vendin ku prehet Jani Prenga….

Vilson Tafçiu, 28-vjeçari i dënuar për drogë që e vrau shoku për Blertën me 16 mijë ndjekës në Instagram

Vilson Tafçiu Noka u ekzekutua me tre plumba në gjoks, mbrëmjen e 20 janarot teksa pinte kafen e fundit me dy mikeshat e tij. Tafçiu ishte ulur në kafe në zonën e Astirit në Tiranë, kur autori i krimit Noel Disha alias Miklovan Prifti alias Noel Kolaveri, e thirri për tu sqaruar. Debati agravoi dhe Disha nxorri armën duke e qëlluar shokun e tij me tre plumba në gjoks dhe duke i marrë jetën në vend. Trupi i Vilsonit u shtri ne rrugë për minuta me radhë, ndërsa autori u fsheh për tu vetëdorëzuar ditë më vonë në polici. Shkaku ishte Blerta L., vajza me 16 mijë ndjekës në Instagram që pa ditur asgjë solli krimin e rëndë. Vetë e reja dëshmoi se i njihte të dy, me Vilsonin kishte një lloj miqësie që kishte nisur nëntë ditë para vrasjes, ndërsa Noeli po përpiqej ta joshte. Blerta dëshmoi se në momentin që Noeli i ishte ofruar edhe ta ndihmonte për të hapur një biznes, ajo e kishte distancuar, por këtu kishte nisur gjithçka pasi Noeli dyshonte se Blerta ishte lidhur me Vilsonin. Nje ditë para vrasjes Noeli me telefonoi dhe me pyeti nga e njeh Vilsonin por unë ju përgjigja pse me pyet vetëm per ate kur kam 16 mije ndjekës ne instagram. Noeli me pyeti pse me gënjen se ti ke qene e lidhur me Vilsonin. Më pas i kërkova llogari Vilsonit se perse mburrej kur ajo nuk kishte raport me te. Ua bëra te qarte te dyve se nuk doja të më përzienin, dhe i bëra bllok por Vilsoni këmbëngulte nga ana e tij se edhe Noeli kishte shkuar ne lokalin pranë Unazes se Re dhe me tregoi se me foton time po i mburrej shiko me ke jam lidhur”. Pas kësaj bisede u shkrepën tre plumbat. Vilsoni kishte edhe një të kaluar të errët. Ai  dyshohej si i përfshirë në trafiqe droge, si heroinë dhe marijuanë ndaj edhe është deportuar nga Franca më 6 nëntor të 2018 pasi kishte kryer 8 muaj burg.Për shkak të problemeve me drejtësinë, Vilsoni kishte ndryshuar edhe mbiemrin e tij disa vite më parë nga Vilson Noka në Tafçiu.

Janari u mbyll me kaq, por shkurti njësoj si muaji i parë i vitit do të niste me vrasjen e një gruaje, këtë herë Manjolës do t’i merrej keta nga duart e të shoqit.

Më 5 shkurt Lulëzim Cuku, që punonte me sezone si emigrant në Greqi mori thikën dhe lau në gjak të shoqen në banjo, para syve të tre fëmijëve të mitur. E gjithë kjo ngjarje erdhi si pasojë e dyshimeve që autori kishte ngritur mbi gruan e tij, duke menduar se kjo e fundit e tradhtonte. Lulëzimi u vetëdorëzua dy ditë pas krimit në polici ku rrëfeu se kishte dashur edhe të vriste veten. Ai tregoi se njerëzit i flisnin për të shoqen, e cila punonte si parukiere në katin e parë të shtëpisë dhe i thonin se e kishte kthyer shtëpinë në një vend drogaxhinj ku fuste të panjohur. Të tre fëmijët janë gjetur pranë trupit të nënës së tyre dhe madje vajza më e vogël ulërinte sepse donte gji. Sot Lulëzimi është në burg ku do të vuajë dënimin për krimin e bërë.

Sërish krim në familje…Shkurti, sa i shkurtër si muaj është, gjeti kohën t’i merrte jetën edhe një tjetër gruaje.

Këtë herë me peshën e rëndë të fajit, Fatmir Kolecaj vrau edhe veten pasi i futi plumbin ish-bashkëshortes, Esmeralda dhe vëllait të saj që tentoi ta mbronte, Vledisoni. Mbrëmjen e 25 shkurtit Kolecaj i bëri pritë Esmeralda Filopatit e cila po kthehej nga puna bashkë me vëllain e saj Vledisonin duke i qëlluar me armë dhe duke u larguar në drejtim të paditur. Vdekjen në vend përveç Esmeraldës e gjeti edhe Vledisoni, që u doli para plumbave për të motrën. Fatmir Kolecaj dhe Esmeralda Filopati kishin tre fëmijë bashkë por 47- vjeçari e dhunonte gruan derisa në 2017 u dënua me 10 muaj burg për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Më pas Esmeralda Filopati kishte urdhër- mbrojtje por shpesh Fatmir Kolecaj e kishte thyer dhe kishin pasur edhe konflikte me njëri- tjetrin. Dy ditë pas krimit Fatmir Kolecaj i dha fund jetës. Ai u rrethua nga Policia në banesën e tij në Zejmen të Lezhës ku dhe hapi zjarr ndaj tyre duke plagosur edhe një efektiv të FNSH-së së Shkodrës, por duke parë që s’kishte rrugëdalje, qëlloi veten me armë dhe vdiq.

Dhe dy ditë para se të mbyllej muaji, krimi në familje do të godiste sërish.

Më 26 shkurt, Ruzhdi Tosuni, 63 vjeç goditi të shoqen me metër metalik në kokë duke e lënë të vdekur në vend në dyqanin e metrazheve ku punonin bashkë. Pas krimit, ai ka mbyllur qepenin e dyqanit ku punonin bashkë dhe ka shkuar për të blerë cigare. Më pas ka hyrë në farmacinë pranë biznesit të tyre duke i thënë të pranishmëve që kishte vrarë gruan. Ruzhdi Tosuni është ulur në hyrje të biznesit duke pirë cigare, ndërkohë që policia vinte në vendin e ngjarjes. Ruzhdiu dhe Hajrie Tosuni kishin tre vajza nga martesa e tyre e gjatë dhe më e vogla e tyre u shfaq në vendin e krimit duke ulëritur e duke kërkuar të ëmën. Shkak për krimin e rëndë ishin konfliktet e shumta të çiftit për borxhet që kishin.

Muaji mars nisi në ditën e dytë me krim. Këtë herë krimi në familje i la hapësirë atentateve të mirëfillta, madje me dy viktima njëherësh.

Shkoza dhe Avdiaj, dy shokët që u ekzekutuan në Nishtullë, roli i Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës

Dorjan Shkoza 35 vjecc Anxhelo Avdiaj 24 vjecc, shokë me njëri-tjetrin u ekzekutuan me breshëri plumbash në Nishtullë mbrëmjen e 2 marsit, kur autoritetet sapo morën vendim për daljen nga karantina. I vetmi që kishte precedent penalë ishte Dorian Shkoza, i cili kishte qenë i dënuar me 8 vite burg për trafik droge dhe ishte liruar në vitin 2010. Dy të rinjtë merreshin me një servis makinash. Vetëm pak minuta pas vrasjes së dy të rinjve, në hyrje të Rrogozhinës, në vendin e njohur si “Bishti i Zhurit” policia gjeti një mjet tip ‘Benz’ duke u djegur, targat e të cilave kanë qenë të vjedhura nga një tjetër. Një mënyrë e përdorur në pothuajse të gjitha atentatet për të fshehur gjurmët e autorëve. Në krimin në fjalë mendohet se ka dorë Nuredin Dumani, ‘i pangopuri’ nga Dibra dhe i shumëkërkuari Talo Çela. Shkaku? ‘Era’ e parave të Rinasit që do të numërojë edhe disa të vdekur të tjerë për të cilët do të shkruajmë më poshtë…Gjithsesi për këtë krim të dyfisht s’është vënë askush në pranga pavarësisht se u shoqëruan 45 persona.

Ethet e pandemisë së Covid-19 dhe siç duket karantina e izoloi dhe krimin. Pas dy shokëve, krimi i dytë ndodhi në Krujë dhe bëhet fjalë për vrasje brenda familjes. Shkëlqim Halili, 57 vjeç vrau nipin e tij, Julian Halili dy javë pas një sherri që kishin pasur. Ai u arrestua pak çaste pas krimit dhe ende ndodhet pas hekurave.

Edhe muaji prill nisi me qetësinë e karantinës, duke dëgjuar çdo ditë raportimet për viktimat e Covid-19 dhe të infektuarit nga koronavirusi. Nën nxitimin për të blerë maska dhe dezinfektantë, bota e errët nuk duroi më dhe ‘shpërtheu’.

Apostol Bozhgolli vret me thikë fqinjin e tij Petrika Treska, 67 vjeç, shkak dritat e shkallëve

Më 23 prill Perikli Treska u qëllua 9 herë me thikë nga 65- vjeçari Apostol Bozhgolli, pranë banesë së tij në lagjen nr.7 të qytetit të Korçës.  67-vjeçari u gjet i shtrirë në rrugë nga gruaja e tij dhe u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi të shpëtonte. Shkak i ngjarjes ka qenë sherri për dritën e shkallës. Gjatë përleshjes, viktima mori 5 plagë në kurriz, 3 në gjoks, 1 në zemër, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen. Autori është arrestuar nga policia edhe pse nuk e oranoi autorësinë. Bozhgolli rezultoi të kishte edhe probleme të shëndetit mendor. Kjo vrasje solli katër ditë të gjera por ‘plumbi’ u ngjit në veri, konkretisht në Lezhë.

Vriten Preng Simoni dhe Kol Murrani, rapsod i njohur i zonës, sherri për tokat me autorin

Preng Simoni dhe Kol Murrani, rapsod i njohur i zonës u vranë pasditen e 27 teksa po shëtisnin në tokat e tyre në Malm të Lezhe nga Aleksandër Përdoda. Trupat u gjetën orë më vonë nga djali i Simonit pas shqetësimit të familjarëve për mos kthimin e tyre në shtëpi. Si ndodhi ngjarja? Përdoda pa lejen e pronarëve kishte mbjellë kanabis në ato toka. Ai u zu mat nga rapsodi dhe miku e tij e për të shpëtuar i vrau me breshëri plumbash. Përdoda u ndihmua dhe nga Agron Lushi, i cili mblodhi gëzhojat për të fshehur por që të dy u arrestuan dhe ndodhen pas hekurave. Edhe sot…asnjë prej tyre nuk ka pranuar përfshirjen në krim. Brenda kësaj dite vendi u trondit sërish. Ende pa u marrë besh mir ç’kish ndpdhur në Lezhe, Durrësi u vesh në zi.

Vriten dy vëllezërit Haxhia, lidhja me paratë e Rinasit dhe ekzekutimin e dy shokëve në Nishtullë

Më 27 prill në zonën e Nishtullës në Durrës, dy vëllezër Viktor dhe Besmir (i njohur si Miri) Haxhia 27 dhe 35 vjeç, u vranë brenda makinës së tyre tip “Golf” në momentin që dolën nga servisi i tyre me 55 plumba. Sapo të dy vëllezërit dolën nga banesa dhe iu drejtuan parkut, 3 persona iu dolën para me makinën Toyota, viktimat ndaluan dhe ata nisën të qëllojnë drejt tyre. Në burg për këtë vrasje janë Altin Ndoçi dhe Klevis Alla, të dy bashkëpunëtorë të drejtësisë, që filluan të belbëzojnë sapo hasën muajt e parë pas hekurave. Ndoci dhe Alla shënjestruan drejtpërdrejt Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin për këtë vrasje. Arsyeja: Lekët e grabitura një vit më parë në Rinas, 4.6 milion euro. Një pjesë e tyre, Çela dhe Dumani, bashkëpunëtorë, ua kishin lënë për t’ua ruajtur dy vëllzerve Haxhia, por këta të fundit, i zhgënjyen. “Na grabitën,”- tha ata, por kjo ishte një alibi boshe për Çelën dhe Dumanin, të cilët pa u menduar dy herë i vranë. Kjo mjaftoi që Prokuroria të lëshojë një urdhër-aresti për Çelën dhe Dumanin, por jo vetëm për vrasjen e vëllezërve Haxhia. Prokuroria bashkoi dosjen e dy viktimave me atë të një muaji më parë, të Anxhelo Avdias dhe Dorjan Shkozës. Tabulatet telefonike dhe prova të tjera të ngjashme, zbuluan për grupet hetimore se Çela dhe Dumani, ishin edhe pas atij krimi të dyfishtë.

Ditët pasuan dhe krimet nuk pushuan. Më 13 maj, në Skrapar u vra Ramadan Çela, 77 vjeç nga fqinji i tij, Hamza Cela. Ngjarja ndodhi për motive pronësie, dhe autori tashmë është në burg.

Përgjaket Fiter Bajrami, vritet me 5 plumba Kristian Breshanaj në derën e shtëpisë

Mbrëmjen e 23 majit, Kristian Breshanaj, 25 vjeç, u vra natën e Fiter Bajramit me 5 plumba. Breshanaj kishte vetëm 3 muaj që ishte kthyer nga Belgjika, djalë i një mjekut reanimator, Edmond Breshanaj në Spitalin e Vlorës. Një nga pistat kryesore të shkakut të ekzekutimit të të riut, është se i riu ishte pjesë e një grupi kriminal në Vlorë, dhe dyshohej se “spiunonte” te grupi kriminal kundërshtar. Breshanaj kishte edhe një të kaluar krimonale në Belgjikë.

Skema ‘Jemi policia’ vriten nga grupi i Kurbinit biznesmeni Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, të gjithë autorët në pranga

Të shtunën e 30 majit, takimi i Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në një hotel buzë autostradës Laç-Mamurras, u kthye në të fundit për ta dhe vendi godina u bë ‘varri’ i tyre. Të veshur gjysmë-policë e gjysmë-ushtarë një skuadër e mirëfilltë ekzekutorësh zbaekoi në oborrin e hotelit dhe kreu vrasjen e dyfishtë. Si rrallë herë ky krim nuk kaloi pa u ndëshkuar dhe në pranga ra e gjithë skuadra e Kurbinit që përgjaku autostradën, por nuk shpëtoi as vetë pa lagur. Një prej autorëve mbeti i plagosur dhe ajo plagë u bë shenja që i çoi në pranga. Pas më shumë se 3 javësh, pasi kishte arrestuar të riun e gabuar, që më pas u lirua, policia arrestoi Eduart Lamajn teksa mjekohej ilegalisht në spitalin privat “Amavita” në Tiranë. Me emrin Veri Pëllumbi, Lamaj u shtrua në spitalin privat për tu kuruar, i marrë përsipër nga dy mjekët, Viktor Marku dhe Besim Lama, të cilët gjithashtu u vunë në pranga. Dosja.al solli pamjet ekskluzive, ku shihej se si Eduart Lamaj shkoi i fshehur në bagazhin e një fuoristrade luksoze me xhama të errët. Të përfshirë në ngjarje akuzohet se janë edhe Ilir Xhepaj, Elson Aliaj dhe Klaudio Perkola, ky i fundit, djali i një efektivi policie. Ilir Xhepaj, 33 vjeç, u prangos teksa po tentonte të largohej nga Tirana për t’u fshehur në një tjetër qytet. Por para ikjes dëshironte të takonte edhe njëherë të shoqen e fëmijën dhe mesazhi i vend-takimit e nxorri në pritë. Ilir Xhepaj konsiderohet si person i rrezikshëm në Mamuras dhe Kurbin. Xhepaj kishte vetëm tre muaj që ishte liruar nga burgu dhe bënte një jetë mes Tiranës, Laçit dhe Lezhës. Eduart Lamaj, në dëshminë e tij thotë se objektivi ishte Ilirjan Allamani, (pronari i hotelit A&A), e jo dy biznesmenët Lika e Gjergji, por prokuroria nuk është bindur.

Vritet Ylli Luçaj, ‘hapjet’ për punën në SHISH i sollën vdekjen

Më 31 maj Ylli Luçaj që punonte si roje nate pranë makinerive të një kompanie private që po ndërton rrugën Kuç-Himarë u gjet i vdekur pranë vendit të tij të pus, me pesë plumba kallshnikovi në trup dhe në kokë. Mësohet se viktima, Ylli Luçaj, ka punuar pranë SHISH në kohën e komunizmit dhe se këtë gjë e tregonte me mburrje në të gjithë zonën ku banonte. Të paktën, kështu kanë deklaruar edhe banorët e zonës që janë thirrur për t’u dëshmuar.
Pikërisht këto deklarata, dyshohet të jenë bërë shkak për ekzekutimin e Luçajt nga ndodnjë kultivues droge. Frika se mos ai, për shkak të njohjeve, pas punës që kishte bërë në SHISH, mund të spiunonte pranë policisë, i ka bërë ata që të ndërmarrin aktin e rëndë. Për këtë ngjatje nuk ka ende një autor.

Përgjaket Kruja, vriten dy vëllezërit Bardhi

Roland Pula, 32 vjeç vrau Gramoz dhe Xhontil Bardhin. Vrasja e dy vëllezërve Bardhi në Krujë, ka ardhur si rezultat i një konflikti që Besnik Pula ka pasur me vëllanë e madh të familjes Bardhi, Elton Bardhi. Konflikti e ka zanafillën në vitin 19 gusht 2005 kur vëllai i Gramoz dhe Xhontil Bardhi, Eltoni ka plagosur me thikë Besnik Pulën.

Krimi trondit kryeqytetin, ekzekutohet Hekuran Billa, lidhja me OTR, hakmarrja e vrasjes në Angli

Mbrëmjen e 11 qershorit, në kohën kur qytetarët e Tiranës, Hekuran Billës, 40 vjeç, iu pre rruga tek “Qendra Kristal”, ku dhe gjeti vdekjen. Billa i njohur ndryshe si ‘Daja Lani’ ia kishte dalë të mbyllte hesapet me ligjin pas vrasjes që kishte bërë në Angli 14 vite më parë, por në ka gje që nuk harroi familja Marku, ishte gjaku i djalit. 14 vite më parë, Billa vrau në Angli Prel Markun, dhe ia doli të rrëzonte burgimin e përjetshëm por Viktor Marku, mori hakun e të vëllait, duke i futur hasmit një vajzë e cila do ta nxirrte në pritë. Adjola Lakra, 26 vjeçe e bëri për vete Hekuran Billën dhe e nxori në pritë. Edhe pse më herët ishte lidhur me Sebastian Malin, nipin e Markut dhe bashkëpunëtorin kryesor në vrasje, Lakra pranoi të përdorej si karrem për të takuar atë mbrëmje të fundit 40-vjeçarin Billa. Sapo u fut në rrugë që të çon tek qendra tregtare Lani që njihej dhe si pjesë e OTR u pikas nga hasmi dhe brenda 17 sekonda kokai varej anash sediljes së mjetit nga ku u nxorr i pajetë me kufjet në vesh. Të gjithë të përfdhirit janë arrestuar, dhe pse nuk pranuan autorësinë apo bashkëpunimin në krim.

Vritet Ili i Elbasanit, Dumani godet sërish

Më 20 korrik, Emiljano Ramazani, alias Rramani, alias Ili i Elbasanit qëllua me 5 plumba për vdekje. 49-vjeçari, baba i 4 vajzave, rreth orës 16:30 të 20 korrikikut sapo kishte mbaruar palestrën e po kthehej më banesë por në momentin që parkoi mjetin, vrasësi i mori jetën. Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se ekzekutori është Jlevis Kapllani, gjithashtu i vrarë, bashkëpunëtor Nuredin Dumani e ndërsa urdhërues Erion Alibej që ndodhet pas hekurave. Edhe këtë Dumani ia hodhi paq dhe mori arratinë. Ramazani kishte njohje me Talo Çelën, por ‘era’ e parave të Rinasit, ishte futur edhe mes tyre. Dumani, i kënaqur që eliminoi dhe tjetër ‘përfitues’ u nis të fshihej bashkë me Kapllanin. Të dy bashkë, janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj të Rrogozhinës dhe njerëzit që i njohnin i identifikonin me njëri-tjetrin. Por dhe kjo miqësi, do të thyhej, e sërish për shkaqe parash….

Regis Runaj i bashkohet shokut, e drogojnë dhe e vrasin, urdhërin e dha Alibej

Mbrëmjen e 29 korrikut, Regis Runaj, 23 vjeç, shoku i Emiljano Ramazanit u vra, pasi u qëllua mbi 7 herë me thikë. Më 29 korrik, nëntë ditë pas ekzekutimit të Ramazanit, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, pasi konsumuan lëndë narkotike me Runajn, e vranë atë me thikë. Halili është bërë edhe bashkëpunëtor i drejtësisë dhe ka rrëfyer të gjithë zanafillën e ngjarjes. Në pranga në lidhje me këtë ngjarje ka rënë edhe Erjon Shehu, kunat i Xhuliano Hoxhës. Halili dhe Hoxha akuzohen gjithashtu se kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit. Ata dyshohet se janë personat që kanë informuar ekzekutorët për lëvizjet e Ramazanit, në mënyrë që ‘puna’ e tyre, të bëhej më e lehtë. Përpara grupit hetimor, ata rrëfyen se urdhërin për këto dy krime, përgjimin e Ilit dhe vrasjen e Runajt, e kishin marrë nga Alibej në këmbim të parave. Vetë Alibej, nuk ka hapur gojë, për asnjë nga ngjarjet kriminale për të cilat akuzohet.

Shokët vrasin Flor Qorrin, pijet e tepruara që sollën krimin

Florian Lamçe, 40 vjeç, i njohur edhe me nofkën Flor Qorri, u gjet i vrarë në orën 05:30 të mëngjesit, ne lokalin “Piazza Delsol” në qendër të Elbasanit, që menaxhohej nga djemtë e Çim Asllanit. Lamçe, ndodhej në tavolinë me Adriano Hajdarin dhe Sokol Sanxhaktarin, i njohur gjerësisht si dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. Tri djemtë, që njiheshin edhe si miq fëmijërie me njëri-tjetrin, para vrasjes postuan edhe foto të përqafuar në rrjetet sociale duke pirë. Nën ndikimin e alkoolit dhe kokainës, ata vranë viktimën, i njohur edhe me nofkën “Flor Qorri”. Ata e qëlluan shokun e tyre, derisa e lanë të vdekur. Autorët u vunë në pranga dhe edhe sit ndodhen pas hekurave.

Dy djemtë vrasin taksistin në Fushë Prezë, zbuluan lidhjen intime me të ëmën

Sajmir dhe Arsil Shera të dy vëllezër, me një mjet të marrë me qira në biznesin e Gersian Celës pasditen e tre gushtit mbërritën në Fushë Prezë ku Budlla punonte si taksist dhe e vranë. Vëllezërit Shera kanë pranuar autorësinë e vrasjes së 71-vjeçarit Abdulla Budllës duke thënë se e kanë bërë për të ruajtur nderin e familjes, pasi viktima i ngacmonte nënën dhe motrën.

Miqësia përfundon tragjikisht, shoku vret 57-vjeçarin se i tha ‘grek’

Mihal Thimjo, 33 vjeç, muzikant në dasma vrau shokun e tij, Gëzim Saraçi, 57 vjeç. Thimjo e qëlloi viktimën për vdekje me sende të forta, dhe e la të pajetë në kamionçinën e tij në aksin Poliçan-Suhë. Thimjo pranoi krimin, teksa ka thënë se e gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të debatit mbi etnicitetin. Viktima i tha autorit se “ju grekët keni para”, e më pas ka nisur përplasja fizike që përfundoi në vrasje.

Përgjaket familja shqiptare, Olsi i var kokën të ëmës në derë

Olsi Çekiçi 44-vjeç masakroi të ëmën në mënyrë makabre duke i prerë kokën, e duke ia varur më pas tek porta e banesës. Ngjarja ndodhi pas një konflikti verbal, pasi e ëma nuk e lejoi djalin t’i bërtiste vajzës së tij të mitur 14-vjeçare. Koka e Firdes Çekiçit, 70 vjeç qëndroi varur në derë deri në mbërritjen e policisë, pasi sipas Olsit, gjaku i të ëmës kishte magji.

Vrau Rramamin, Klevis Kapllani ekzekutohet pasi festoi me shokët

Pa kaluar as edhe një muaj nga krimi që kishte kryer, Kapllani gjeti vdekjen. Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllanaj kanë qenë miq të ngushtë mes njeri-tjetrit, por pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, Dumanit të shpallur në kërkim i ‘shkoi’ në mendje ta eliminonte mikun për të mbuluar ekzekutimin e Ramazanit, të njohur ndryshe si ‘Ili’. Ky plan i Dumanit u përforcua më tej, kur u fut në sherr me Kapllanin për një sasi parash, origjina e të cilave, dyshohet të jetë nga burime kriminale. Kështu, 37-vjeçari Nuredin Dumani, i njohur dhe për tutorim të vajzave ekzekutoi Kapllanin në Rrogozhinë, vetëm 200 metra larg banesës së tij.

Dita s’kalon bosh, kunati vret Jetmira Hasanin

Po më 15 shtator krismat ushtuan Tiranën.

Jetmira Hasani, 34 vjeçe u vra në shtator mbrëmjen e mërkurës nga kunati i saj, Agron Tanushi në banesën e saj në Bathore. Familja kishte prej kohësh probleme, por për fat të keq nuk u bë i mundur parandalimi i këtij krimi. Nga burgu Agron Tanushi, shprehu pendesë për krimin e kryer.Ai rrëfeu se zanafilla e problemeve me ish-kunatën ishte shtëpia ku banonin të dy.

Terrori i Lefter Zhidrus, RENEA ekzekuton burrin që trembi për vdekje familjen, u drejtoi kaëëashin efektivëve

Pasditen e 24 shtatorit Lefter Zhidru dhunoi ish-bashkëshorten dhe vajzën e tij 14-vjeçare, morri armën dhe shkaktoi terror në qytet duke plagosur dy qytetarë që po kalonin rastësisht poshtë banesës së tij. Pasi ish-bashkëshortja telefonoi policinë, ai nuk i kursye plumbat as ndaj efektivëve. Pas pesë orësh negociata me forcat RENEA, Zhidru u ekzekutua nga të specializuarit për përballjen me të rrezikshmit.

Më ke borxh 70 mijë euro’, pronari i tokës vret biznesmenin Niko Goro në Himarë

Biznesmeni Niko Goro, 51 vjeç, djali i xhaxhait të kryebashkiakut, Jorgo Goro, është ekzekutuar me armë zjarri në shëtitoren e Himarës. Goro u ekzekutua sapo doli nga supermarketi në pronësi të motrës së tij, rreth orës 08.55 minuta të 17 tetorit. Shkak është bërë një konflikt për pronën, pasi autori, 53-vjeçari nga Tirana Kliti Leka pretendonte se biznesmeni i ka marrë tokën duke ndërtuar një pallat dhe nuk i ka “dhënë pjesën e tij”. Dyshohet se bëhej fjalë për një borxh prej 70 mijë euro. “I kam dhënë tokën nuk më ka dhënë lekët. Po ndërton në tokën time”, mësohet të ketë thënë Leka.

Përcillte të shoqen për në punë, vritet nga fqinji Ahmet Toska

Më 26 tetor teksa përcillte të shoqen për në punë, Ahmet Toska u bra nga fqinji i tij Fatmir Hoxhaj. Kamerat filmuan gjithçka që ndihmuan edhe në identifikimin e autorit. Tashmë Fatmir Hoxhaj ndodhet në burg, edhe pse vetë nuk ka pranuar asgjë në lidhje me krimin.

Dolën për gjah, Klodian Kola ngatërron shokun me prenë, e vret në vend

Më 27 nëntor gjuetia e dy te rinjve mori tjetër drejtim. Elidon Basha dhe Klodian Kola dolën për gjah por ky i fundit ngatërroi mikun e tij me prenë dhe e qëlloi me plumb në shpatull. I vetmi i arrestuar për ngjarjen dhe vetë shoku i viktimës, Kola. Ai ka dhënë dëshmi të dyshimta në polici. Fillimisht nuk pranoi autorësin e krimit, duke thënë se shokun e tij e qëlluan prsona të tjerë, që ata nuk e panë, ndërsa më vinë ndryshoi dëshmi. Kola rrëfeu se Basha vrau veten. Pas gjetjes së armës u zbardh gjithçka

Përgjaket dita e Flamurit! I forti i Dajçit vritet me 30 plumba kallashnikovi

30 plumba automatiku i kanë shkaktuar edhe vdekjen e menjëherëshme Ramazanit që me makinën e tij tip “BMW X5” me targa ‘666’ po kthehej në shtëpi. Brenda mjetit u gjet një gëzhojë pistolete dhe një radio policie. Sendet e gjetura kanë ngritur dyshimin se Ramazani ishte përgatitur për një përplasje me armë me grupin e djemve që ishin konfliktuar me djalin e tij. E gjithë masakra e ndodhur në zonën e Dajçit në Shkodër është filmuar e gjitha nga kamerat e sigurisë të një karburanti duke shtuar edhe dëshmitarët okularë, dy punonjësit e karburantgit Blerim Mlloja dhe Marjeta Gramshi. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, autori i krimit Duel Mehmedaj ka zbrazur gjithë karikatorin e tij në drejtim të Ramazanit dhe më pas i ka kërkuar të vëllait, Hydajetit, që të largohet me makinë, ndërsa vetë Dueli është futur në karburant dhe me armë në dorë ka kërcënuar punonjësit që të mos tregojnë asgjë nga çfarë kanë parë. Pasi ka dhënë mesazhin e tij, ende me armë në dorë është larguar nga vendgjarja në këmbë. Për vrasjen e ndodhur më 28 nëntor, në burg ka përfunduar vetëm bashkëpunëtori Mikljor Gjoka, ndërsa dy vëllezërit Duel dhe Hydajet Mehmedaj, vijojnë të jenë në kërkim nga policia. Dyshohet se të dy janë larguar në drejtim të Malit të Zi por ende nuk është bërë e mundur kapja e tyre.

Fiks në datën 1, ky dhjetor u nis i përgjakur nga qyteti i bukur bregdetar i Vlorës, por atë mbrëmje s’do të ishte njësoj për Beniaminin, që do të numëronte orët e fundit të jetës.

E prisnin pas pemëve, si u vra Beniamini në Dukat të Vlorës, problemet me drogën dhe burgu në Itali

Beniamin Bozhanaj, 27 vjeç i sapo kthyer nga Italia, ku kishte vuajtur dënimin për trafik droge u ekzekutua me 22 plumba kallashnikovi. Dy autorët, e prisnin të fshehur pas pemëve në Dukat, dhe në momentin që shënjestra e tyre është shfaqur ‘janë hedhur’ në sulm. Sapo kishte lënë të dashurën në shtëpinë e saj, i riu po kthehej me makinën e tij kur iu zu prita. Për një orë e gjysmë, ai qëndroi i vdekur në mjet, deri kur në orën 21:30 banorët e fshatit e pikasën dhe lajmëruan policinë. Për këtë ngjarje, nuk ka ende një autor apo të arrestuar, ndërkohë që e vetmja pistë ku janë bazuar hetuesit është ajo e larjeve të hesapeve të drogës që i riu mund të kishte në vendin fqinj ose në Shqipëri.

Xhulio Prela, efektivi që iu pre rruga nga Rinasi, nuk nxorri dot armën nga brezi

Dosja.al raportoi ekskluzivisht krimin e kryer në orët e para të mëngjesit në në zonën e njohur si “Gajush” në Lezhë. 26-vjeçari, me detyrë efektiv i Policisë së Shtetit pranë repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, iu pre rruga teksa po kthehej në Lezhë, pasi la në aeroportin e Rinasit, të afërmin e tij, Pjetër Gavoçi. Një makinë i doli para Prelës dhe i bëri shenjë që të ndalonte. 26-vjeçari duke menduar se bëhej fjalë për ndonjë person që i kërkoi ndihmë, ndaloi dhe hapi xhamin e makinës. Menjëherë ekzekutori veproi duke e lënë të vdekur. Vrasja e Xhulio Prelës ka një autor që është identifikuar nga grupi hetimor, por që për publikun mbeten ende ‘sekret’ gjeneralitetet e tij. Ndërkohë që është njoftuar se po punohet për kapjen e tij, në burg është lënë Nikoll Sherrniku, si person në dijeni për ngjarjen. Ndërsa është shpallur në kërkim Brilant Martinaj. E gjithë skena është filmuar nga një kamerë sigurie, pamje në të cilat shihej vetëm Martinaj me kostum ushtarak. Banorët e zones nxituan të tregonin se i riu me kamuflazh ishte pikërisht Brilanti që për momentin ndodhet në Turqi. Dosja.al raportoi pak javë më parë se në drejtim të efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nuk ka qëlluar me armë zjarri as i arrestuari për ngjarjen, Nikoll Sherrniku dhe as Brilant Martinaj që është shpallur në kërkim, por një person i tretë.

Ky i fundit, ka qenë pikërisht personi që është përplasur me efektivin Prela, në orët e para të mëngjesit të datës pesë dhjetor, gjë që solli dhe vdekjen e 26-vjeçarit. Ai është identifikuar nga grupi hetimor dhe po punohet për lokalizimin e arrestimin e tij. Fillimisht, Prela është ‘përplasur’ me drita makinash me një mjet fuoristradë ku udhëtonte ‘misteriozi’, dhe ka marrë të shara e ofendime nga ky i fundit. Efektivi i FNSH-së ka ecur disa metra, pas është kthyer mbrapsht dhe i është vënë pas mjetit në fjalë, ka ulur xhamin e djathtë të makinës dhe me armën e shërbimit në dorë ka kërkuar llogari nga personi që kishte përballë. Sherri ka agravuar në përdorimin e armës nga personi që ende nuk i dihet identiteti, i cili e ka qëlluar tre herë Prelën, nga ana e djathtë, duke bërë që plumbi t’i shkojë në zemër e t’i marrë jetën efektivit. E ndërsa efektivi i FNSH-së nuk ka arritur ta përdorë dot armën e tij, e cila është gjetur poshtë sediljes së pasagjerit të mjetit të tij “Ëolksëagen Passat”. Më pas, autori është larguar duke lënë pas policin e vdekur.

Vrasja e Klodian Rashës, krimi që hëngri kokën e Lleshajt dhe shkatërroi jetën e një efektivi

Pas ngjarjes së Prelës, dhjetori do të pasohej nga një tjetër krim me efektivë të përfshirë por këtë herë, nuk do të ishte ai viktima. Mesnatën e 8 dhjetorit, kur Klodian Rasha, 25 vjeç kishte thyer rregullat e orës policore, do të pikasej nga dy efektivë të forcave “Shqiponja”. Nevaldo Hajdëraj, një efektiv 26-vjeçar u përplas me Rashën dhe përfundoi duke e vrarë atë me një plumb në shpatull. Por si ndodhi krimi që ngriti në këmbë për ditë me radhë të gjithë Shqipërinë? Vetë efektivi që ndodhet tashmë pas hekurave ka rrëfyer se situata i ka dalë nga kontrolli pasi kishte menduar se 25-vjeçari kishte armë. Edhe kolegu i tij, që ishte me të në momentin e patrullimit tregoi se dëgjuan një zhurmë si mbushje arme dhe për këtë arsye qëlloi. Plumbi në shpatull dhe rënia në tokë duke dëmtuar kokën, i morën jetën të riut. Kjo ngjarje revoltoi të gjithë Shqipërinë dhe për ditë me radhë pati protesta ku u kërkua dorëheqja e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Edhe pse pse kjo kërkesë u plotësua, protestuesit kërkuan kokën e Ardi Veliut, kërkesë që kryeministri Edi Rama ua preu shkurt, kur tha se edhe nëse do të dilnin 500 mijë vetë në shesh, nuk mund të ndodhë.

Tre ditë të pajetë në kanal, krimi kaloi në Maliq

Ndërkohë që sheshet në qytete të ndryshme të Shqipërisë zienin nga revolta, krimi s’do të ndalej. Këtë herë mori dy vëllezër. Andi dhe Martin Olldashi, respektivish 33 dhe 31 vjeç u gjetën të vrarë me armë zjarri në një kanal në fshatin Zvërinë të Maliqit, ku kishin qëndruar prej tre ditësh të pajetë. Të ekzekutuar me katër plumba, dy vëllezërit nuk ishin persona të panjohur për Policinë e Shtetit. Të dy akuzoheshin për vjedhje banesash dhe vendosjen e tritolit të lokalit të ish-futbollistit, Gjergji Leka, në qytetin e Pogradecit. Dy vite më parë, dy vëllezërit tentuan që t’i vinin gjobë, duke i kërkuar 4 mijë euro, të cilat ish-futbollisti nuk ia ka dhënë. Kështu që vëllezërit kishin vendosur që t’i hidhnin në erë biznesin duke përfunduar në pranga. Gjithsesi deri më tani, edhe për këtë ngjarje nuk ka asnjë të arrestuar.

Anton Keli u vra me tre plumba, saga e hakmarrjeve mes dy familjeve në Rrëshen që nuk ndalet

Anton Keli, 51 vjeç, u qëllua mbrëmjen e 16 dhjetorit në Rrëshen. Ai ishte kushëriri i Tonin dhe Preng Gjinit, dy persona që rrjedhin nga një familje që prej vitesh është në hasmëri me fisin Reçi. Edhe kjo ngjarje dyshohet se ka lidhje me sagën e hakmarrjeve por vetë familja Reçi është tërhequr duke deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me këtë ekzekutim. Keli jetonte jashtë shtetit bashkë me familjen, por erdhi në Shqipëri për të takuar të ëmën për festat e fundvitit, që nuk arriti t’i priste. Burime nga grupi hetimor i thanë Dosja.al, se mënyra e ekzekutimit dhe largimit nga vendi i ngjarjes janë tipike të një skeme ekzekutimi me porosi. Policia e Shtetit ka shoqëruar dhjetra persona, por asnjëri prej tyre nuk është i dyshuar për ngjarjen. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, të cilat janë pranë vendit të ngjarjes, por viktima e kishte makinën të parkuar pranë pallatit, dhe në këtë vend, nuk është mundur të filmohet asgjë. Por, kamerat kanë fiksuar momentet kur viktima ka shkuar i plagosur për të kërkuar ndihmë në marketin e Petrit Reçit, i cili tha se nuk ka dëgjuar të shtëna. Pavarësisht sagës së hamarrjes mes dy fiseve Gjini-Reçi, këta të fundit janë distancuar nga ngjarja, duke deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me këtë krim.

Sherri që degradoi në vrasje, Polovina i pagoi qiranë Gunelit me 46 kg mish derri dhe i mori jetën

Por, ende pa kaluar 48 orë nga kjo ngjarje, automatiku do të zhvendosej në Berat, këtë herë buzë liqenit të fshatit Gjuraj në Berat. Autori i vrasjes, Vangjel Polovina ka zbrazur një karikator të tërë mbi trupin e viktimës, Ajet Guneli. Dosja.al mëson se autori dhe viktima, ishin ulur të dy bashkë për të pirë kafe në lokalin pranë liqenit të fshatit Gjuraj në Berat. Të dy, kanë debatuar fillimisht pasi Polovina kishte shkuar të kërkonte llogari nga Guneli, sepse pretendonte se ky i fundit e shante dhe e ofendonte çdo ditë. Të dy kishin edhe debate mbi qiranë e stallës së derrave që Polovina i kishte marrë Gunelit. Pas debatit, dyshja janë përleshur fizikisht, ndërsa më pas gjithçka ka agravuar në përdorimin e armëve. Polovina ka nxjerrë kallashnikovin dhe ka qëlluar plot 20 herë në drejtim të Gunelit duke e bërë shoshë e duke e lënë të vdekur. Tashmë autori i krimit është pas hekurave dhe ka deklaruar se nuk i kishte asnjë lekë borxh viktimës, madje i kishte dhënë 46 kg mish derri që korrespondonin me qiratë që s’i kishte paguar ende. Polovina ka nxjerrë dhe mesazhet me viktimën ku shihej se Guneli e kishtë kërcënuar me fjalët: Do të të heq qafe!

Dolën për gjueti, i riu vret shokun, s’e dalloi nga mjegulla dhe i dëgjon rënkimet e fundit

Në të njëjtën ditë më 17 dhjetor, do të përsëritej skena e një muaji më parë. Rifat Xheleshi dhe Gentian Kosiqi dolën ditën e djeshme për gjueti mbi fshatin e lindjes, në Maqellarë në vendin e quajtur “Malet e Obokut”. Xheleshi, 18 vjeç, nga pakujdesia dhe nga mjegulla e dendur në zonë qëlloi me çifte shokun e tij, 27 vjeç duke e plagosur rëndë. gjakderdhj e shumtë bëri që i riu të vdiste pa marrë ende ndihmën e nevojshme mjekësore. I riu është shfajësuar se në momentin që ka shtënë me çifte nuk e ka parë bashkëfshatarin Kosiqi, pasi kishte mjegull të dendur dhe rrëfeu fjalët e fundit që kishte shkëmbyer me viktimën. “Dallova se në një shkurre përballë meje po lëvizte diçka. Mbusha armën dhe qëllova. Në fakt mjegulla nuk më lejonte të dalloja çfarë e lëvizte shkurren disa metra larg meje. Brenda pak sekondash dëgjova thirrjen e Gentianit: ‘Mos, mos, se më vrave’. Hodha armën dhe mbërrita shpejt pranë shokut. Gati më ra të fikët kur pashë Gentin të plagosur,”– tregon ai para grupit hetimor, por asgjë nuk ia kthen më pas shokun.

Siç nisi edhe u mbyll ky vit, krimi nuk kurseu gratë

U përgjak edhe dita e fundit e 2020-ës. 59-vjeçari, shqiptar i Maqedonisë së Veriut, i identifikuar si Përparim Tela (Ademi) nuk e ka pranuar dot faktin se Kristina Bardhi nuk dëshironte që të vazhdonte edhe më tej marrëdhënien intime me të. Ai i shkoi në banesë ku Kristina jetonte me të motrën dhe dy fëmijët e saj të mitur dhe e brau me kallashnikov. Nuk i kurseu as të motrën, duke lënë kështu edhe dy fëmijët jetimë. Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani mbetën të vdekura. Gjithçka ka ndodhur para syve të dy fëmijve të mitur të Zhanetës, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar të palënduar.
Pasi ka kryer vrasjen, 59-vjeçari nga Tetova është larguar me shpejtësi nga banesa duke lënë pas armën e krimit. Megjithatë arratisja e tij nuk ka zgjatur për shumë, vetëm 2 orë e gjysmë dhe më pas ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit. Pasi është shoqëruar në Prokurori, Tela ose Ademi ka treguar se e kishte vrarë të dashurën pasi dyshonte se e tradhëtonte duke mos shfaqur pendesë për krimin e kryer.

(F.m/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet vrasjet e vitit 2020 vrasjet e vitit 2020

Sondazh

Poll

Aktualitet 31 Dhjetor 2020, 14:18

TIRANË-Presidenti i vendit Ilir Meta ka përshëndetur realizimin e Korridorit Jugor të Gazit, si pjesë e Projektit TAP. Me anë të një postimi në ‘Face...