Aktualitet

Dumani dhe Hoxhaj 'zbërthyen' vrasjet, SPAK nis hetimet pasurore për 8 grupet kriminale

SPAK pritet të kërkojë informacion në bankat e nivelit të dytë për të gjitha llogaritë bankare të tyre.

23 Maj 2022, 10:07 Nga DOSJA
Dumani dhe Hoxhaj 'zbërthyen' vrasjet, SPAK nis hetimet pasurore
SPAK

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër krimit dhe korrupsionin ka nisur hetimet për pasurinë e 8 grupeve kriminale që u goditën pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, e Henrik Hoxhajt. SPAK do të kalojë edhe në sitë pasuritë e të 32 personave të akuzuar si pjesë e grupeve kriminale, familjarëve e lidhjeve të afërta të tyre.

Hetimi synon identifikimin e cdo pasurie, të luajtshme dhe paluajtshme. SPAK pritet të kërkojë informacion në bankat e nivelit të dytë për të gjitha llogaritë bankare të tyre. Shkresa për të verifikuar pasuritë e këtyre personave  do dërgohen edhe në institucionet e agjencisë së pronave, për të parë nëse ka pasuri në emër të tyre e familjarëve apo jo.

Policia ka marrë në mbrojtje familjet e Nuredin Dumanit dhe të Henrik Hoxhës, pasi i druhen një hakmarrjeje të mundshme me bërjen e tyre “bashkëpunëtorë të drejtësisë”. Me rrëfimet e tyre, ata kanë zbardhur dhjetëra ngjarje që kanë ndodhur dekadën e fundit, duke vënë nën akuzë 32 persona, por vetëm 19 janë vendosur në pranga. Mes tyre, edhe bossë të njohur të botës së krimit, si: Florenc Çapja, Ervis Martinaj, Suel Çela, etj.

Nuredin Dumani, akuzohet për 17 vepra të rënda penale, pasi ai vijon të mbahet ende në spitalin e burgut, jo vetëm për të evituar përballjen me të burgosurit e tjerë, por edhe se ende merr kurim për plumbin e marrë një muaj më parë. Ndërsa për të penduarin tjetër Henrik Hoxhajn rëndojnë shtatë akuza kriminale, por më së shumti në vrasje e plagosje, ka shërbyer si “syri dhe veshi” i Dumani gjatë kohës që ky i fundit ka qenë në Kosovë. Të dy për vrasje të caktuara u janë premtuar qindra mijëra euro, konkretisht për të hequr qafe Endrit Doklen, Ervis Martinaj u kishte premtuar gjysmë milioni euro.

(a.b)/dosja.al

Sondazh

Poll