Ekonomi

OSHEE ble 4.9 milionë euro për shtatorin, KESH shiti mbi 236 mijë euro në gusht

2 Shtator 2020, 08:43 Nga DOSJA
OSHEE ble 4.9 milionë euro për shtatorin, KESH shiti mbi 236 mijë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bëri dy blerje energjie për shtatorin në fund të muajit gusht duke siguruar në procedurën e parë 61,056.00 MWh e konvertuar në vlerë monetare 3.13 mln euro, me një çmim mesatar prej 51.23 Euro/MWh  dhe ne procedurën e dytë 34,944.00 MWh e konvertuar në vlerë monetare 1.8 mln euro, me një çmim mesatar prej 52.47 Euro/MWh.

Procedura paraardhëse ishte ajo e korrikut kur u sigurua energjia për të gjithë muajin gusht e cila i kushtoi OSHEE 4.3 milionë euro dhe që u zhvillua në dy faza. Paralelisht OSHEE merr energji edhe nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare që sipas legjislacionit ka detyrimin e sigurimit të energjisë në një përqindje të caktuar që maksimalisht është plotësimi i kërkesës për konsumatorin fundor familjar.

Vetë KESH nuk ka përjetuar një vit të mirë sa i takon prodhimit duke qenë se situate hidrike në kaskadën e Drinit ka qenë problematike. përgjatë vitit janë zhvilluar disa procedura optimizimi që kanë synuar shitjen e energjisë në pik dhe blerjen jashtë pikut ndërkohë që në disa raste vetë KESH ka kërkuar blerje energjie për të ruajtur rezervën e nevojshme. KESH zhvilloi për periudhën 18-31 gusht procedurë shitjeje çka i siguroi asaj mbi 236 mijë euro të ardhura.

Vështirësinë e sektorit dhe kryesisht të kompanive publike e kanë konfirmuar edhe vetë drejtuesit e kompanive një vështirësie që përveç situatës hidrike i është shtuar edhe pjesa e pandemisë.

Sa i takon bilancit në 6 muaj për sektorin të dhënat e fundit të INSTAT treguan se konsumi nga bizneset ra me 23 për qind ndërsa ai i familjarëve u rrit me 19 për qind.

“Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e dytë të vitit 2020, u ul me 8,7 % duke arritur vlerën 1.334 GWh nga 1.461 GWh që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2019. Ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë të cilët kontribuuan me -13,4 pikë përqindje, përkundrejt kontributit prej +4,7 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë” vlerëson INSTAT.

I njëjti publikim nënvizoi se gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, energjia elektrike në dispozicion u ul me 9,6 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 1.188 GWh nga 1.280 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2019, duke shënuar një rënie të prodhimit me 7,1 %. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 48,1 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 51,1 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e dytë të vitit 2020, arriti vlerën 681 GWh nga 683 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rënie me 0,2 %. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 224 GWh nga 142 GWh duke shënuar një rritje me 57,9 %.

Marrë nga Monitor.al 

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

ekonomi ekonomi kesh oshee ble 4.9 milionë euro kesh oshee ble 4.9 milionë euro

Sondazh

Poll