Art&Argëtim

Si e ekzekutoi Avni Rustemi Esad Pashë Toptanin/ Sot e 100 vite më parë, i zuri pritë në hotelin ‘Continental’ në Pari

13 Qershor 2020, 17:34 Nga DOSJA
Si e ekzekutoi Avni Rustemi Esad Pashë Toptanin/ Sot e 100 vite më

TIRANË– Sot, në rubrikën Dikur, do të kthehemi, 100 vite pas në 13 qershorin e vitit 1920, përballë hotelit “Continental” në Paris.

Është e dielë….ora 13:00

Esad Pashë Toptani doli nga hotel “Continental” në Paris, kishte ditëlindjen. Ai festonte 57-vjetorin e lindjes dhe atë ditë, kishte menduar ta festonte në një nga lokalet më luksoze në Paris, me të dashurën franceze, 22-vjeçaren Eliz Dyfur dhe nipin e tij, Xhemil Bej Vlorën

Do të shkonin në lokalin “L’Escargot d’Or”.

Para se të dilte nga hoteli, Esad Pashë Toptani porositi te recepsionisti një makinë, e cila u parkua përpara hyrjes. Teksa Xhemili dhe Eliz u futën në makinë, Esadi po ecte disa metra prapa tyre.

Por krejt paparitur, pas Esadit, ndodhej Avni Rustemi. Ai nxorri pistoletën dhe pa thënë asnjë fjalë, e qëlloi dy herë. Herën e parë plumbi e kapi në pjesën ku qafa bashkohet me kurrizin, e ndërsa Esadi po rrëzohej, e qëlloi sërish përpara në anën e zemrës….për t’u siguruar që tashmë, 57-vjeçari nuk do ta gëzonte ditëlindjen e tij.

Rustemi nuk u largua nga vendi i krimit dhe rojet e hotelit e kalimtarët e kapën me dhunë.

Pas krimit, vetë Rustemi ka rrëfyer se ka qenë rastësisht tek hyrja e hotelit. Ai tregon se në momentin që ka parë Esadin, mendja i kishte shkuar në vetëm dy gjëra, te revolveri që mbante në xhepin e djathtë të xhaketës dhe te krimet që kishte kryer Esadi.

Esad Pasha ecte ngadalë e me fodullëk. Me të parë atë, gjithë historia e Shqipërisë m’u përshkua në mendjen time dhe më pushtoi një turbullim i madh. Kapa në xhep të djathtë revolverin e mbushur me 6 fishekë që e mbaja me vete dhe qëllova disa herë… Ai u rrëzua gati menjëherë dhe unë e hodha shpejt për tokë revolverin…”– rrëfeu në atë kohë Rustemi.

Por si u organizua vrasja, si ishin 14 ditët e Avni Rustemit në Paris?

Avni Rustemi hyri në paris në ditën e fundit të majit. Siç thonë raportet e shërbimit sekret dhe policisë franceze, Rustemi mbërriti i paveshur mirë, aq sa nuk e pranuan në hotel “Prens Alber” dhe u detyrua të porosiste rroba të reja në vlerën 375 franga.

Pas disa ditësh kërkoi të stërvitej për qitje në një shkollë. Madje, bleu edhe pistoletë. Nga 31 maji deri më 6 qershor harxhoi 1 mijë franga franceze, ndërsa nga 31 maji deri më 13 qershor qëndroi në dy hotele, “Tyilëri”, rruga “Hiasentë” dhe “Monmatrë” rruga 32.

Në të dy hotelet nuk fliste me askënd. Më 13 qershor duket sikur Avni Rustemi ndryshoi sjellje. I kërkoi kamarierit që t’i sillej shpejt ushqimi, sepse kishte një takim dhe në 12.30 u largua. Gjysmë orë më pas, në orën 13.00, vrau Esad Pashë Toptanin.

Çfarë e shtyu Rustemin të kryente këtë krim?

Ishin shumë ata që besonin se Esad Pashë Toptani kishte dorë në të paktën 10 vrasje. Eqrem bej Vlora, djali i motrës së Esadit, në kujtimet e tij tregonte me detaje se si daja i tij ‘ecte mbi kufoma’.

“Ky njeri që në kuptimin e plotë të fjalës ecte mbi kufoma dhe nuk turpërohej sa here ia donte puna t’i lyente duart me gjak,”- shprehej ai.

Po a e ndiente vetë Esadi që mund ta vrisnin?

E dashura e tij franceze, 21-vjeçarja Eliz Dyfur tregonte: Më kishte folur disa herë mbi çështje të vendit të tij dhe shpresonte mjaft të merrte në dorë pushtetin së afërmi… Më kishte thënë se në Shqipëri kishte shumë armiq e se në Turqi ishin premtuar të holla për kokën e tij, por nuk dukej se kishte frikë që ta gjurmonin armiqtë e tij në Francë.

Raporti i policisë franceze lë të kuptojë se Avni Rustemi kishte kohë që e kishte planifikuar vrasjen. Sipas agjentëve të saj, Avniu mund të ketë takuar Mehmet Konicën, kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, përfaqësues i delegacionit të dërguar nga qeveria e Turhan Pashë Përmetit. Nëpërmjet Konicës, Avni Rustemi duhet të ketë marrë shumë informacion, mes tyre edhe faktin që Esad Pasha prezantohej si kryetar i një delegacioni paralel nga Shqipëria.

Këtë e konfirmojnë edhe dy takime të tjera të Avniut në Paris. Së pari ai takoi Gjergj Gogën, sekretar i Esad Pashë Toptanit në ekspozitën shqiptare në rrugën “La Boesi”10. Dhe takimi i dytë ka qenë me Pal Terkën, ministri i Jashtëm i qeverisë së pretenduar nga Esad Pasha.

Terka ka thënë në polici se bashkë me Esadin kishin ardhur për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, një informacion që duhet t’ia ketë thënë edhe Avniut. Këto të dhëna ishin vlerë e shtuar e qindra informacioneve të tjera që ai kishte grumbulluar rreth Esadit. Ato ishin si një ‘kupë e mbushur’ që po derdhej dhe nga ky moment Avni Rustemi nuk kishte më dilema. Vendosi ta vrasë dhe ashtu bëri.

Si doli Rustemi i pafajshëm?

Autor i pafajshëm. Historia e jurisprudencës botërore nuk njeh një rast të dytë që të vërtetojë se dikush është edhe autor i një krimi, por edhe të shpallet i pafajshëm. Mbrojtësi juridik i Avni Rustemit ishte Anatole De Monzie, që do të bëhej më vonë disa herë ministër i Francës, solli argumente unikaale në sallën e gjyqit.

“A ishte krim politik? Jo, ishte një krim pasioni, sepse nuk ka gjë më të shenjtë se sa dashuria për atdheun,”- thoshtë ai ndër të tjera.

Gjykata e Parisit vendosi që autori Avni Rustemi të shpallej i pafajshëm dhe ai u lirua në sallën e gjyqit. hetimi zgjati 5 muaj e 16 ditë, procesi gjyqësor zgjati 24 orë. Ai nisi më 29 nëntor dhe në mbrëmjen e 30 nëntorit trupi gjykues me 12 anëtarë, deklaroi pafajësinë e Avni Rustemit.

(f.m/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

dikur dikur avni rustemi esad pashe toptani avni rustemi esad pashe toptani

Sondazh

Poll