Aktualitet

Ministria e Arsimit shkarkon administratorin i Universitetit Politeknik të Tiranës, Avokati i Besmir Ali rrëzon auditin dhe e padit

Në raportin e Auditit thuhet se, Senati Akademik i UPT-së, në korrik të vitit 2019, ka miratuar strukturën e përgjithshme të Universitetit Politeknik, duke i propozuar njëkohësisht Bordit të Administrimit edhe numrin e personelit të institucionit në të gjithë nivelet.

12 Mars 2026, 12:01 Nga I.A
Ministria e Arsimit shkarkon administratorin i Universitetit Politeknik të
Besmir Ali

TIRANË- Administrator i Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT), Besmir Ali, është shkarkuar nga detyra, pasi një audit i Ministrisë së Arsimit ka konstatuar shkelje të rënda ligjore në veprimtarinë e tij. Ministria e Arsimit thotë se Ali ka krijuar një drejtori me organikë 6 zyrtarë, në kundërshtim me kuadrin ligjor që rregullon aktivitetin e institucioneve të arsimit të lartë, duke “krijuar apo mund të krijojë konflikte institucionale midis organeve drejtuese të UPT-së, duke krijuar pasiguri në funksionimin e shërbimeve, si dhe duke rritur mundësinë për vendimmarrje jo të ligjshme dhe të paqarta për personelin e drejtorisë”.

Në raportin e Auditit thuhet se, Senati Akademik i UPT-së, në korrik të vitit 2019, ka miratuar strukturën e përgjithshme të Universitetit Politeknik, duke i propozuar njëkohësisht Bordit të Administrimit edhe numrin e personelit të institucionit në të gjithë nivelet. Krijimi i kësaj strukture duket se ka gjetur të papërgatitur Rektorin e Universitetit Politeknik, i cili, në nëntor të vitit 2020, ka kërkuar informacion zyrtar nga Administratori Besmir Ali për procedurat e ndjekura për krijimin e kësaj Drejtorie. Grupi i Audit të Ministrisë së Arsimit thotë se Administratori nuk ka kthyer përgjigje për këtë shqetësim të Senatit Akademik.

Por përfaqësuesi ligjor i administratorit Besmir Ali ka kundërshtuar publikisht gjetjet e raportit të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Avokati i administratorit e konsideron të pabazuar gjithë procesin dhe pretendon se raportimi i bërë publik nuk pasqyron realitetin e çështjes. Sipas tij, një pjesë e informacionit që po qarkullon është i pasaktë dhe i ndërtuar mbi interpretim të gabuar të situatës.

Ai thekson se në lidhje me përbërjen e organeve drejtuese të universitetit ka edhe një vendim gjykate për masë sigurimi ndaj dy anëtarëve të rinj të emëruar nga ministrja, vendim që sipas tij nuk është zbatuar. Për këtë arsye, avokati paralajmëron se do të depozitojë kallëzim penal për shkeljen e këtij vendimi. Avokati argumenton se kjo drejtori nuk përbën shkelje, pasi ka pasur rol kyç në aktivitetin financiar të universitetit.

Në reagimin e tij ai thekson se struktura në fjalë gjeneron pjesën më të madhe të të ardhurave të institucionit, duke pretenduar se rreth 80 për qind e të ardhurave të universitetit lidhen me aktivitetet që zhvillohen përmes saj. Për këtë arsye, sipas tij, konsiderimi i krijimit të kësaj drejtorie si shkelje ligjore është “i pajustifikuar dhe i pabazuar”.

Çështja pritet të vijojë në rrugë institucionale dhe ligjore, ndërsa reagimi i palës së administratorit paralajmëron një përplasje të re juridike rreth interpretimit të gjetjeve të auditimit dhe vendimmarrjes në strukturat drejtuese të universitetit./Dosja.al

besmir ali

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll