Sport

Kupa e Shqipërisë përcakton 1/2 finalistët, Elbasani bën surprizën e madhe, Dinamo vazhdon të “dominojë” kryeqytetin

10 mars.

4 Mars 2026, 22:22 Nga DOSJA

Kupa e Shqipërisë përcakton 1/2 finalistët, Elbasani

TIRANE - E mërkura e 4 marsit solli përfundimin e fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, duke sjellë emocione, surpriza dhe drama të plota deri në minutën e fundit. Katër skuadrat gjysmëfinaliste tani janë: Vllaznia, Elbasani, Egnatia dhe Dinamo City.

Surpriza e ditës: Elbasani eliminon Partizanin

Surpriza më e madhe e mbrëmjes erdhi nga "Arena e Demave", ku Elbasani realizoi një përmbysje të pabesueshme ndaj Partizanit. Të kuqtë kishin fituar 1-0 në ndeshjen e parë, por sot humbën me rezultatin 1-2.

Lajthia shënoi dy herë për Elbasanin, ndërsa Contreras ngushtoi shifrat te Partizani. Teksa 90 minutat nuk mjaftuan, ndeshja shkoi në kohën shtesë, ku në minutën e 119-të Ze Gomes realizoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhuruar Elbasanit kualifikimin historik.

Vllaznia kalon pa emocion

Shkodranët ishin ekipi i parë që siguruan vendin në gjysmëfinale, duke fituar edhe ndeshjen e kthimit ndaj Bylisit me rezultatin 2-1. Balaj shënoi të parin në minutën e 34-t, barazoi menjëherë Olavio për mysafirët, ndërkohë Pusi rivendosi avantazhin e Vllazniës në minutën e 44-t.

Bylis, i reduktuar me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Abeduros në minutën e 63-të, nuk arriti të gjente golin e barazimit. Duke pasur parasysh edhe fitoren 1-0 në ndeshjen e parë, kualifikimi i Vllazniës ishte i pakontestuar.

Dinamo City “deklason” sërish Tiranën

Dinamo City rikonfirmoi epërsinë ndaj kundërshtarit të tyre të madh, duke triumfuar sërish 2-0 ndaj Tiranës, njëlloj si në ndeshjen e parë. Blutë shënuan nga një gol në secilën pjesë të lojës dhe kualifikohen bindshëm.

Me këtë humbje, Tirana humbet edhe mundësinë e fundit për të marrë pjesë në kompeticionet europiane nëpërmjet Kupës.

Egnatia shkon me avantazhin e ndeshjes së parë

Rrogozhinasit barazuan sot 0-0 me Teutën, por fitorja 2-1 e arritur në ndeshjen e parë i siguroi kualifikimin për në gjysmëfinale.

Shorti hidhet më 10 mars

Tani vëmendja kthehet te shorti i gjysmëfinaleve, i cili do të hidhet të martën, më 10 mars. Katër emrat që hyjnë në urnat e shortit janë Vllaznia, Elbasani, Egnatia dhe Dinamo City.

Çiftet që do të dalin nga ky short do të përcaktojnë gjysmëfinalet e edicionit 2025-2026, ku fituesi i trofeut fiton të drejtën e pjesëmarrjes në kualifikueset e Ligës së Konferencës UEFA.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll