Aktualitet

“Plumbi i Artë”/ Debate në gjyq! Spak sjell prova, nga vrasja e Dorian Shkozës te plani për eliminimin e Dokles dhe Emiliano Ramazanit

Mësohet se prokurorja deklaroi se nga hetimet janë identifikuar kodet e platformës së koduar Sky EÇ që disponoheshin nga Nuredin Dumani, duke e përsëritur këtë fakt në tre raste.

19 Shkurt 2026, 11:50 Nga D.S

“Plumbi i Artë”/ Debate në gjyq! Spak sjell prova, nga

TIRANË- Ka nisur seanca gjyqësore për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, ku përfaqësuesja e SPAK, prokurorja Doloreza Musabelliu, po lexon provat shkresore të dosjes hetimore. Mësohet se prokurorja deklaroi se nga hetimet janë identifikuar kodet e platformës së koduar Sky EÇ që disponoheshin nga Nuredin Dumani, duke e përsëritur këtë fakt në tre raste.

SPAK lexoi procesverbalet e identifikimit të tre llogarive Sky nga Dumani, si edhe për të pandehurit Henrik Hoxhaj, Aldo Baho, Erjon Alibej, Armand Tragaj, Ardian Subashi/Çollaku, Arjan Saliu dhe Festim Qoli, ku sipas akuzës rezultojnë episode të ndryshme kriminale.

“Ju vendosim në dispozicion procesverbalet dhe provat shkresore mbi të gjitha faktet penale që nisin nga faqja 174, duke filluar nga sigurimi i kushteve për të vrarë Elton Kilën dhe njëkohësisht tentativa për të vrarë Nuredin Dumanin”, deklaroi Musabelliu.

Në bisedat e administruara si prova flitet për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias, për planet për të vrarë Indrit Doklen dhe Emiliano Ramazanin, si edhe për ngjarje të tjera kriminale. Prokuroria lexoi gjithashtu procesverbalet që lidhen me shkatërrimin me eksploziv të banesës së Talo Çelës, vrasjen e Fatmira Dedjes, si dhe dokumente për ngjarje të tjera, përfshirë atentatin ndaj Sanxhaktarit dhe vrasjen e dy vëllezërve Haxhia.

Ndër të tjera mësohet se gjatë nisjes së seancës, Asllan Plaku akuzoi sërish prokurorin Behar Dibra, se ishte arrestuar pa prova dhe se për Nuredin Dumanin nuk kishte dhënë asnjë deklaratë. Mbrojtja kërkoi që gjykata t’i kërkojë SPAK-ut të vendosë në dispozicion CD-të e ardhura nga autoritetet franceze, në kuadër të parimit të zbulimit të së vërtetës. Sipas prokurores, duhen vënë në dispozicion konkretisht PIN-et apo terminologjia e përdorur në Sky EÇ nga shtetasi Altin Ndoci, si dhe çdo provë që lidhet me akuzën për vrasjen e Andi Zylyfit.

“Me gjithë dëshirën e mirë për të besuar prokurorinë, ne kemi të drejtën t’i verifikojmë provat dhe të ndjekim parimin e kontradiktoritetit. Nuk mjaftojnë email-et me një shtet tjetër, duam provën konkrete”, u shpreh avokatja./Dosja.al

dorian shkozës anxhelo avdias emiliano ramazanit plumbi i arte nuredin dumani

Sondazh

Poll