Politike

Kreu i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, pezullon punimet e resortit “Strata” pas përplasjes me Kishën

Sipas Tavos, Bashkia është vënë në dijeni për pretendimet e Kishës dhe ka kryer verifikimet në terren dhe në dokumentacion.

8 Shkurt 2026, 09:08 Nga I.A

Kreu i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, pezullon punimet e resortit

HIMARË- Bashkia Himarë ka pezulluar punimet në kompleksin turistik “Strata – Luxury Villas” në zonën e Livadhit, pas ankesës së paraqitur nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë për konflikt pronësie. Lajmi është konfirmuar për “MA Shqip” nga kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, i cili deklaroi se punimet do të mbeten të pezulluara derisa çështja të sqarohet ligjërisht mes palëve.

Sipas Tavos, Bashkia është vënë në dijeni për pretendimet e Kishës dhe ka kryer verifikimet në terren dhe në dokumentacion. “Ndërtuesi rezulton se ka vendimin për zhvillimin e zonës dhe lejen e ndërtimit të dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Kjo leje është dhënë pasi ndërtuesi dispononte certifikatën e pronësisë për një sipërfaqe prej 2260 m². Kjo pronë është blerë nga një banor i Himarës, i cili jeton dhe punon në Greqi,” – u shpreh Tavo për “MaShqip”.

Nga ana tjetër, sipas kryetarit të bashkisë, Kisha Ortodokse disponon një vendim gjykate që e njeh si pronare të tokës, por ky vendim nuk është regjistruar në Kadastër. “Kisha duhet ta kishte regjistruar vendimin në Kadastër, në mënyrë që prona të mos tjetërsohej. Për shkak se nuk është regjistruar, AMTP-ja dhe komisioni i ndarjes së tokave në vitin 1991 ia ka kthyer këtë pronë banorëve të zonës, të cilët më pas e kanë regjistruar në Hipotekë,” – tha Tavo.

Ai pranoi se në këtë proces kanë pasur gabime si nga institucionet, ashtu edhe nga Kisha, për shkak të mungesës së regjistrimit të pronës. Në këto kushte, Bashkia ka vendosur pezullimin e punimeve deri në sqarimin përfundimtar të çështjes në rrugë ligjore.

I pyetur për gjurmën e rrugës hyrëse dhe dalëse të resortit, të miratuar nga bashkia, Tavo konfirmoi se ajo është vendosur mbi pronë publike. “Në sistemin elektronik, rruga rezulton mbi pronë publike dhe jo private. Nëse do të ishte pronë private, nuk do ta kishim miratuar,” – u shpreh ai.

Nga ana tjetër, burime të “MaShqip” bëjnë me dije se ndërtuesit, vëllezërit Bashkim dhe Shefki Karamuça, pretendojnë se e kanë blerë tokën në mënyrë të ligjshme nga një shtetas himariot që jeton në Greqi, i cili e kishte përfituar pronën nga AMTP-ja në vitin 1991. Megjithatë, sipas banorëve të zonës, kjo tokë njihet historikisht si pronë e Kishës, ashtu si një pjesë e madhe e tokave në Himarë.

Burime pranë komunitetit lokal thonë se ndërtuesit kanë qenë në dijeni për konfliktin e pronësisë, por pavarësisht kësaj kanë vijuar blerjen dhe aplikimin për leje, pa përmendur në dokumentacion faktin se prona është e kontestuar dhe ndodhet pranë kishës së vjetër. Sipas këtyre burimeve, kjo është bërë për të lehtësuar procedurat e marrjes së lejeve dhe për të shmangur pengesa institucionale.

Tashmë pritet që çështja të përfundojë në gjykatë, ndërsa pezullimi i punimeve do të mbetet në fuqi deri në një vendim përfundimtar mbi pronësinë./MaShqip.com

vangjel tavo

Sondazh

Poll