Sport

Tris i Vedat Muriqit, Mallorca mposht Bilbaon, ‘Pirati’, 14 gola këtë sezon të La Ligas...

Vedat Muriqi nuk përmbahet në kampionatin spanjol të futbollit. Sulmuesi dardan u bë protagonisti absolut i Mallorcës në fitoren e kësaj të fundit ndaj Athletic Bilbaos me rezultatin 3-2.

18 Janar 2026, 09:30 Nga DOSJA

Tris i Vedat Muriqit, Mallorca mposht Bilbaon, ‘Pirati’, 14 gola

SPANJE - ‘Pirati’ Vedat Muriqi ishte autori i të 3 golave për skuadrën ishullore me sulmuesin dardan që shkon në kuotën e 14 golave në këtë sezo. Ai është ndjekësi më i afërt i Mbappe që kryeson klasifikimin e golashënuesve me 19 gola në La Liga.

Vetëm 5 minuta i mjaftuan Mallorcës dhe Muriqit për të zhbllokuar rezultatin me skuadrën ishullore që mori kryesimin në 1-0. Por Bilbao reagoi shpejt dhe pas vetëm 3 minutash barazoi në 1-1 me Unai Gomez.

Në fundin e pjesës së parë Muriqi nuk u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltistë pasi Unai Simon e ktheu topin e gjuajtur prej tij, një top që shkoi sërish në këmbët e Muriqit që e dërgoi atë në rrjetë për t’i dhënë sërish avantazhin Mallorcës në 2-1.

Edhe në këtë rast reagimi i Bilbaos ishte i menjëhershëm me skuadrën baske që barazoi në 2-2 me Nico Williams.

Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 69-të Mallorca fitoi një tjetër 11-metërsh. Ai që shkoi te pika e bardhë ishte sërish Muriqi që këtë radhë e dërgoi direkt në rrjetë topin për të plotësuar tregolëshin personal dhe për t’i dhënë fitoren 3-2 Mallorcas.

Ndërkohë që Bilbao e mbylli ndeshjen me 10 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Guruzetës. Pas kësaj fitoreje Mallorca ngjitet në kuotën e 21 pikëve, 3 më pak se Bilbao që mbetet me 24.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll