Aktualitet

Ushtari i ‘Çopjave’ u arratis nga spitali i Durrësit/ Ndoci u prit nga një person me makinë, dyshohet se fshihet në Tiranë

Makina me të cilin udhëtonin dy personat është parë nga kamerat e sigurisë në autostradën Tiranë-Durrës, duke kaluar Vorën.

13 Janar 2026, 21:36 Nga E. D
Ushtari i ‘Çopjave’ u arratis nga spitali i Durrësit/
Arratisja e Altin Ndocit

DURRËS- Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arratisjen e Altin Ndocit. Dyshohet se sipas grupit hetimor Ndoci fshihet në Tiranë, ndërsa ai u prit nga një person me automjetin tip “Audi” jashtë ambienteve të spitalit.

Makina me të cilin udhëtonin dy personat është parë nga kamerat e sigurisë në autostradën Tiranë-Durrës, duke kaluar Vorën. Gjithashtu raportohet se policia e Durrësit është njoftuar me vonesë për ngjarjen, duke ngritur dyshime se mund të ketë persona të implikuar në radhët e punonjësve të Burgjeve.

Si ndodhi ngjarja?

Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin Rajonal të qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit. Nga burgu drejt spitalit, Ndocin e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë, por 2 prej efektivëve kanë qëndruar në makinë bashkë me drejtuesin dhe 2 policë të tjerë e kanë shoqëruar brenda spitalit.

Gjatë vizitës, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar. Në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit. Të dy efektivët që e shoqëronin brenda spitalit, e ndoqën dhe njëri prej tyre mësohet se ka qëlluar në ajër jashtë spitalit për ta trembur të arratisurin.

Ngjarja dyshohet të ketë qenë e mirë menduar dhe e planifikuar, pasi jashtë spitalit të paraburgosurin e priste një makinë, një Audi luksoze A7 e bardhë me targë AA700RS në pjesën e parkimit, me të cilën u larguan. Po ashtu, pas arratisjes, postblloqe të shumta policie janë ngritur në rrugët e Durrësit për lokalizimin dhe kapjen e tij. 

Policia e Durrësit, përveç kontrolleve në qytet dhe fshatrat përreth ka shtrirë kontrollet edhe në Kavajë. Ndërsa në qarqet kufitare, Fier, Tiranë, Lezhë, e më gjerë ka pika kontrolli ne hyrje të qyteteve. Sakaq, Drejtoria e Burgjeve ka nisur një hetim për sqarimin e plotë të rrethanave se si u arratis 38-vjeçari Altin Ndoci./Dosja.al

arratisja e altin ndocit

Sondazh

Poll