Sport

Dikur me raketë tenisi, sot me raketë luftarake. Historia e ish-tenistit që lufton për mbrojtjen e atdheut të tij…Ukrainën!

“Që kur jam ushtar, jetoj nga dita në ditë. Aktualisht, dëshira ime e vetme është të mbijetoj”, përfundon ish-tenisti, aktualisht pjesë e ushtrisë ukraianase.

30 Dhjetor 2025, 18:45 Nga DOSJA

Dikur me raketë tenisi, sot me raketë luftarake. Historia e

UKRAINE - Aleksandr Dolgopolov, ish-tenist ukrainas dhe dikur ishte numri 13 i botës, prej gati tre vitesh është pjesë e mbrojtjes së Ukrainës, në luftën kundër agresionit rus.

Në një intervistë të gjatë për revistën gjermane Der Spiegel, ai rrëfen se si ka ndryshuar rrënjësisht jeta e tij nga bota e sportit elitar në realitetin e luftës.

Dolgopolov, i cili në karrierën e tij kishte arritur deri çerekfinalen e Australian Open dhe kishte mposhtur dy herë Rafael Nadalin, e përfundoi karrierën sportive në vitin 2021 për shkak të një dëmtimi.

Vetëm disa muaj më pas, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, ai u kthye vullnetarisht në atdhe dhe iu bashkua ushtrisë. “Jeta ime sot është krejtësisht e kundërt nga ajo e një sportisti profesionist.

Ajo që më mungon më shumë është paqja e brendshme dhe një ditë pa lajme për vdekjen e fëmijëve, civilëve dhe shokëve e të afërmve”, thotë ai.

Ish-tenisti shërbeu si pilot dronësh, duke ndihmuar në mbledhjen e informacioneve nga terreni dhe koordinimin e veprimeve ushtarake. Ai pranon se ka qenë shpeshherë në rrezik dhe se lufta i ka ndryshuar plotësisht këndvështrimin për jetën.

“Problemet që kisha dikur në tenis sot më duken të parëndësishme. Sporti është vetëm lojë. Kur përballesh me humbjen e njerëzve pranë teje, gjithçka ndryshon”, shprehet Dolgopolov.

Ai thekson se përvoja nga sporti elitar e ka ndihmuar edhe në luftë, sidomos përqendrimi, reagimi i shpejtë dhe ruajtja e qetësisë në situata të vështira, aftësi që sipas tij, janë të domosdoshme si në tenis ashtu edhe në fushën e betejës.

Dolgopolov mbështet fuqishëm Ukrainën dhe shprehet skeptik ndaj ideve për uljen e moshës së rekrutimit, duke theksuar se vendit i duhen më shumë armë dhe trajnim më i mirë, jo sakrifikimi i brezit të ri. Sa i përket së ardhmes, ish-tenisti thotë se nuk bën më plane afatgjata.

“Që kur jam ushtar, jetoj nga dita në ditë. Aktualisht, dëshira ime e vetme është të mbijetoj”, përfundon ai.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll