Bota

Aksident me teleferik në Itali, plagosen katër persona dhe mbeten të bllokuar 100 të tjerë

Sipas vlerësimeve fillestare, kabina nuk e ngadalësoi siç duhet me të hyrë në stacion dhe u përplas me shufrën e fiksuar të sigurisë.

30 Dhjetor 2025, 16:42 Nga E.d
Aksident me teleferik në Itali, plagosen katër persona dhe mbeten
Foto ilustruse

ITALI- Katër persona u plagosën të martën në mëngjes në një aksident që ndodhi në një teleferik në Macugnaga, në provincën Verbano-Cusio-Ossola të Piemontes, Itali. Sipas mediave të huaja, katër persona, tre pasagjerë dhe një operator u plagosën kur kabina e teleferikut mbërriti në stacion me shpejtësi të madhe.

Sipas vlerësimeve fillestare, kabina nuk e ngadalësoi siç duhet me të hyrë në stacion dhe u përplas me shufrën e fiksuar të sigurisë. "Pati një problem teknik. Indikacionet fillestare janë se sistemi nuk u ngadalësua siç duhet kur hyri në stacion dhe kabina goditi barrierën mbrojtëse", tha për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, Filippo Besocci, drejtor ekzekutiv i Macugnaga Trasporti e Servizi, e cila operon teleferikun.

Ai shtoi se asnjë nga të lënduarit nuk është në gjendje kritike. "Për fat të mirë, nuk ka lëndime serioze ose lëndime kërcënuese për jetën. Nga një perspektivë shëndetësore, janë përfshirë gjithsej gjashtë persona. Incidenti më i rëndë ka të bëjë me një burrë 59-vjeçar me një dëmtim në dorë, ndërsa të tjerët kanë gërvishtje të lehta", tha ai.

Duke iu referuar shkaqeve të aksidentit, Besocci shpjegoi se sistemi i frenimit nuk funksionoi siç duhet dhe sistemet e emergjencës u aktivizuan. Siç vuri në dukje ai, teleferiku nuk duket se ka pësuar dëme serioze, por do të pasojnë kontrolle të hollësishme teknike.

Operacioni i evakuimit përfundoi pak para orës 14:45, kur të gjithë rreth 100 personat që kishin mbetur të bllokuar në zonën Passo del Moro, në një lartësi prej afërsisht 2,800 metrash, u larguan pasi teleferiku ndaloi së funksionuari për shkak të aksidentit. Të gjithë pasagjerët u transportuan të sigurt përsëri në bazë./Dosja.al

itali 100 persona teleferik

Sondazh

Poll