Bota

"Jepini prioritet njerëzve"/ Sekretari i OKB-së thirrje liderëve botërorë: Duhet të mbizotërojë paqja! Bota ndodhet në kaos, merrni përgjegjësi

Këto mesazhe, Guterres i bëri në deklaratat e tij të Vitit të Ri, duke dhënë alarmin për një botë të zhytur në kaos.

29 Dhjetor 2025, 22:50 Nga E. D
"Jepini prioritet njerëzve"/ Sekretari i OKB-së thirrje
António Guterres

SHBA- Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u bëri thirrje liderëve botërorë që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të vendosinnjeriun dhe planetin në prioritet. Këto mesazhe, Guterres i bëri në deklaratat e tij të Vitit të Ri, duke dhënë alarmin për një botë të zhytur në “kaos”.

“Bota ndodhet në një udhëkryq. Rreth nesh ka kaos dhe pasiguri. Përçarje. Dhunë. Kolaps klimatik. Shkelje sistematike të së drejtës ndërkombëtare. Vënie në dyshim e parimeve themelore që na bashkojnë si familje njerëzore,” theksoi Guterres në një mesazh të regjistruar me video.

“Me hyrjen në vitin 2026, u drejtoj një thirrje lidereve dhe liderëve të mbarë botës: merrni përgjegjësitë tuaja. Mjaft më me vuajtje. Jepini përparësi njeriut dhe planetit. I ftoj të gjithë ata që po e dëgjojnë këtë mesazh të luajnë rolin e tyre.

E ardhmja jonë varet nga aftësia jonë për të gjetur së bashku guximin për të vepruar,” tha ai, duke denoncuar edhe një herë pabarazinë mes shpenzimeve ushtarake dhe financimit të ndihmës për shtresat më të pambrojtura.

“Ndërsa po mbyllim një vit të trazuar, faktet janë të qarta: shpenzimet ushtarake globale u rritën me gati 10%, duke arritur në 2.7 trilionë dollarë. Ky është 13 herë më shumë sesa ndihma totale për zhvillim dhe i barabartë me Prodhimin e Brendshëm Bruto të gjithë Afrikës.

Dhe kjo, në një kohë kur konfliktet nuk kanë qenë kurrë kaq të ashpra që nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë vit të ri, le të marrim vendimin për të rishikuar prioritetet tona. Për ta bërë botën më të sigurt, duhet të investojmë më shumë në luftën kundër varfërisë dhe më pak në luftëra. Paqja duhet të fitojë,” deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, i cili pritet të nisë vitin e fundit të mandatit të tij.

antónio guterres

Sondazh

Poll