Bota

Sulmi në Sidnei/ Familjet e viktimave kërkojnë hetim federal mbi rritjen e antisemitizmit

Një baba dhe bir vranë 15 persona më 14 dhjetor gjatë festës hebraike të Hanukkah në plazhin Bondi dhe plagosën dhjetëra të tjerë në një sulm që autoritetet e kanë përshkruar si antisemit.

29 Dhjetor 2025, 09:48 Nga E.d
Sulmi në Sidnei/ Familjet e viktimave kërkojnë hetim federal mbi
Foto ilustruse

AUSTRALI- Familjet e viktimave të sulmit në plazhin e famshëm Bondi të Sidneit i bënë thirrje kryeministrit australian Anthony Albanese, që të ngrejë një komision për të hetuar rritjen e shpejtë të antisemitizmit në vend. Një baba dhe bir vranë 15 persona më 14 dhjetor gjatë festës hebraike të Hanukkah në plazhin Bondi dhe plagosën dhjetëra të tjerë në një sulm që autoritetet e kanë përshkruar si antisemit.

Babai, një shtetas indian, u vra nga policia. Djali i tij 24-vjeçar, një shtetas i lindur në Australi, mbetet në paraburgim policor. Në një letër të botuar sot, 17 familje i bënë thirrje kryeministrit që të krijojë menjëherë një Komision Mbretëror të Komonuelthit për rritjen e shpejtë të antisemitizmit  në Australi dhe të hetojë çdo dështim të inteligjencës që lidhet me sulmin.

“Deklaratat e bëra deri më tani nga qeveria federale në lidhje me masakrën e Bodai janë të pamjaftueshme... Na detyroheni përgjigje. Na detyroheni llogaridhënie. Dhe australianëve u detyroheni të vërtetën”, thanë familjet në një deklaratë, sipas raportimeve të shtypit.

Në Australi, komisionet mbretërore janë organet më të larta hetimore publike me kompetenca të gjera për të hetuar korrupsionin, abuzimin seksual të fëmijëve dhe mbrojtjen e mjedisit.

Mediat e huaja shkruajnë se kryeministri Albanese tha të hënën se ishte ngritur një komision i pavarur për të shqyrtuar punën e agjencive të zbatimit të ligjit pas sulmit dhe për të vlerësuar, nëse autoritetet mund të kishin ndërmarrë hapa shtesë për të parandaluar sulmin terrorist.

Ai tha se komisioni do të shqyrtonte nëse ligjet ekzistuese ose boshllëqet e inteligjencës i penguan shërbimet e policisë dhe të sigurisë të ndërmerrnin veprime kundër autorëve, të cilët policia thotë se ishin të frymëzuar nga grupi i Shtetit Islamik. Albanese, i cili përballet me kritika në rritje nga kundërshtarët të cilët thonë se qeveria e tij nuk ka bërë mjaftueshëm për të frenuar rritjen e antisemitizmit, i ka rezistuar thirrjeve për një komision mbretëror për sulmin. Ai ka përsëritur se do të duhen vite që komisioni të hartojë raportin e tij.

"Qeveria është e përkushtuar të sigurojë që nuk mund të presim me vite për përgjigje. Ne duhet të ecim përpara me çfarëdo ndryshimesh të nevojshme", u tha Albanese gazetarëve./Dosja.al

viktima boda sulm

Sondazh

Poll