Bota

SHBA-të sanksionojnë 5 evropianë për rregullimin e shërbimeve dixhitale/ Franca dhe BE: Censurë dhe kufizim i lirisë së shprehjes

Sanksionet përfshijnë një ndalim të hyrjes, qëndrimit dhe çdo aktiviteti në SHBA, të udhëhequr nga ish-Komisioneri Francez Thierry Breton .

24 Dhjetor 2025, 07:48 Nga D.S
SHBA-të sanksionojnë 5 evropianë për rregullimin e
Thierry Breton 

SHBA- Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të martën vendosjen e sanksioneve ndaj pesë figurave në Evropë që mbështesin rregullore më të rrepta për shërbimet dixhitale. Sanksionet përfshijnë një ndalim të hyrjes, qëndrimit dhe çdo aktiviteti në SHBA, të udhëhequr nga ish-Komisioneri Francez Thierry Breton . Departamenti i Shtetit e justifikoi vendimin duke thënë se veprimet e këtyre individëve synojnë të vendosin censurë kundër interesave amerikane.

Mediat e huaja shkruajnë se, 4 individët e tjerë të sanksionuar janë drejtues të organizatave joqeveritare që luftojnë kundër dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes në internet, Imran Ahmed, Claire Melford, Anna-Lena von Hodenberg, themeluese e HateAid gjermane, dhe Josephine Ballon, CEO e së njëjtës OJQ.

Reagimi amerikan ndaj rregulloreve evropiane

Sanksionet po vendosen si hakmarrje për përpjekjet në Evropë për të shtrënguar rregulloret mbi platformat dixhitale, të cilat qeveria amerikane i sheh si censurë. Ish-komisioneri francez Thierry Breton, i cili kryeson rregulloren evropiane, është ndër ata që janë shënjestruar nga sanksionet e reja. Sipas Marco Rubio, përpjekja evropiane synon të ndëshkojë platformat dixhitale amerikane dhe të heqë përmbajtjen me të cilën zyrtarët evropianë nuk pajtohen. 

"Për një kohë shumë të gjatë, ideologët në Evropë kanë kryer përpjekje të koordinuara për të detyruar platformat (dixhitale) amerikane të ndëshkojnë pikëpamjet amerikane që i kundërshtojnë", tha Marco Rubio.

Reagimi i Thierry Breton 

Thierry Breton, i cili shërbeu si komisioner i tregut të brendshëm të BE-së nga viti 2019 deri në vitin 2024, iu përgjigj sanksioneve me kritika të ashpra, duke thënë se në SHBA po fryn 'një erë McCarthy'. Duke iu referuar periudhës së gjuetisë së shtrigave antikomuniste nga senatori Joseph McCarthy në vitet 1950, Breton tha në Twitter, 'Po fryn përsëri një erë McCarthy?'


Breton kujtoi se 90% e Parlamentit Evropian dhe 27 shteteve anëtare të BE-së votuan unanimisht në favor të rregullores DSA mbi shërbimet dixhitale dhe theksoi se, censura nuk është aty ku mendoni, duke iu drejtuar miqve të tij amerikanë.

Reagimi i Francës dhe BE-së

Qeveria franceze i dënoi me forcë sanksionet, duke i quajtur ato të papranueshme dhe në kundërshtim me lirinë e shprehjes. Bashkimi Evropian ka zhvilluar një nga arsenalet më të fuqishme ligjore për rregullimin e sektorit të shërbimeve dixhitale, gjë që duket se shqetëson qeverinë amerikane. Rasti nxjerr në pah tensionet midis SHBA-së dhe BE-së mbi rregullimin e internetit dhe lirinë e fjalës, me secilën palë që akuzon tjetrën për përpjekje për censurë dhe kufizim të lirisë së shprehjes./Dosja.al 

franca shba be

Sondazh

Poll