21 Dhjetor 2025, 19:44
Nga I.A

IZRAEL- Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar ndërtimin e 19 vendbanimeve të reja në Bregun e okupuar Perëndimor, një lëvizje që sipas ministrit izraelit të Financave synon të ndalojë themelimin e një shteti palestinez. Vendimi bën që numri i përgjithshëm i vendbanimeve të miratuara në tre vjetët e fundit të arrijë në 69, sipas ministrit të ekstremit të djathtë që udhëheq Ministrinë e Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich.
Ky vendim po ashtu vjen disa ditë pasi Kombet e Bashkuara thanë se zgjerimi i vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndim – që konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar – ka arritur në nivel rekord që nga viti 2017.
“Propozimi i ministrit të Financave, Bezalel Smotrich dhe ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz për të shpallur dhe formalizuar 19 vendbanime të reja në Jude dhe Samari është miratuar nga kabineti”, thuhet në deklaratë, pa specifikuar se kur është marrë vendimi.
Smotrich është një përkrahës i zëshëm i zgjerimit të vendbanimeve dhe edhe vetë një kolon.
“Në terren, ne po e pengojmë krijimin e një shteti palestinez terrorist”, tha ai në deklaratë.
“Do të vazhdojmë të zhvillojmë, të ndërtojmë dhe të vendosemi në tokën e stërgjyshërve tanë, me besim në drejtësinë e rrugës sonë”, shtoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, së voni ka dënuar atë që e përshkroi si zgjerim “të pareshtur” nga Izraeli të vendbanimeve në Bregun e okupuar Perëndimor.
Kjo, sipas tij, “vazhdon të nxisë tensionet, të pengojë qasjen e palestinezëve në tokën e tyre dhe rrezikon paqëndrueshmërinë e një shteti palestinez plotësisht të pavarur, demokratik, të pandarë dhe sovran”, tha ai më herët gjatë këtij muaji.
Që nga fillimi i luftës në Gazë më 2023, thirrjet për themelimin e një shteti palestinez janë shtuar, me disa vende evropiane, Kanadanë dhe Australinë që së fundi kanë lëvizur drejt njohjes formale të një shteti të tillë, duke nxitur reagime dhe qortime nga Izraeli.
Sipas një raporti të OKB-së për zgjerimin e vendbanimeve tha se zgjerimi i tyre ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2017, kur OKB-ja nisi të mblidhte të dhëna për këtë çështje.
“Këto zhvillime po e forcojnë më tej okupimin e paligjshëm izraelit, po shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe po minojnë të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje2.
Duke përjashtuar Jerusalemin Lindor, i cili u okupua dhe u aneksua nga Izraeli në vitin 1967, më shumë se 500.000 izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor, së bashku me afër 3 milionë banorë palestinezë.
Zyra e Smotrichit tha se 19 vendbanimet e sapomiratuara ndodhen në zona që i përshkroi si “tejet strategjike”, duke shtuar se dy prej tyre – Ganim dhe Kadim në veri të Bregut Perëndimor – do të rivendosen pasi ishin zhbërë dy dekada më parë.
Pesë nga 19 vendbanimet ekzistojnë tashmë, por deri më tani nuk kishin marrë status ligjor sipas ligjit izraelit, u tha në njoftim.
Ndërsa të gjitha vendbanimet izraelite në territorin palestinez konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, disa poste të ngritura në mënyrë të paligjshme janë të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit.
Megjithatë, shumë prej tyre më vonë legalizohen nga autoritetet izraelite, duke nxitur frikën për një aneksim të mundshëm të territorit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit të Bregut Perëndimor.
“Izraeli do të humbiste të gjithë mbështetjen nga SHBA-ja nëse kjo ndodh”, tha Trump në një intervistë dhënë së voni për revistën Time.
Izraeli e ka okupuar Bregun Perëndimor më 1967 dhe dhuna atje është rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetor 2023, pas sulmit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ndaj Izraelit./REL
bezalel smotrich israel katz
Bota
21 Dhjetor 2025, 18:11
D.S
foto ilustruese
UKRAINË- Trupat ruse kanë rrëmbyer rreth 50 ukrainas nga një fshat në rajonin Sumy, në kufir...
Bota
21 Dhjetor 2025, 17:55
D.S
foto ilustruese
SHBA- Dhuna online ndaj grave aktive në sferën publike vazhdon të rritet. Sipas një raporti të ri nga U...
Bota
21 Dhjetor 2025, 17:49
I.A
RUSI- Një zyrtar i lartë i Kremlinit ka minimizuar shanset për një përparim të madh në bisedimet e paqes në Ukrain&eum...
Bota
21 Dhjetor 2025, 14:36
D.S
Emmanuel Macron
FRANCË- Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe homologu i tij rus mund të jenë duke zhvilluar bisedime dypal&e...
Bota
21 Dhjetor 2025, 13:16
D.S
SHBA- Uashingtoni ka propozuar negociatat e para ballë për ballë midis Ukrainës dhe Rusisë brenda gjashtë muajsh. Sipas pre...
Bota
21 Dhjetor 2025, 11:11
D.S
Epstein dhe Maxwell
SHBA- Fotografitë e autorit të dënuar të abuzimit seksual me fëmijë, Jeffrey Epstein, dhe part...
Bota
21 Dhjetor 2025, 09:41
E.d
Foto ilustruse
IRAN- Tre afganë që po përpiqeshin të kalonin në Iran kanë vdekur këtë javë nga ekspo...
Bota
21 Dhjetor 2025, 08:32
E.d
Foto ilustruese
ARIKA E JUGUT- Dhjetë persona u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën rëndë pasi një person i a...
Bota
21 Dhjetor 2025, 08:08
E.d
Foto ilustruse
SHBA- 130,000 banorë të San Franciskos u zhytën në errësirë të shtunën në mbrë...
Bota
21 Dhjetor 2025, 08:02
E.d
Foto ilustruse
VENEZUELA- Qeveria amerikane njoftoi të shtunën se kishte sekuestruar një cisternë të dytë nafte n&e...