Sport

Ish-legjenda Seedorf sfidon Slottin, pas incidentit me Salah-un: "A do ta rikthesh Mo?"

Një dialog i tensionuar mes dy holandezëve - Trajneri i Liverpoolit refuzoi të përgjigjej për të ardhmen e egjiptianit, pas fitores ndaj Interit

12 Dhjetor 2025, 13:30 Nga DOSJA

Ish-legjenda Seedorf sfidon Slottin, pas incidentit me Salah-un: "A do ta

ITALI - Fitorja 1-0 e Liverpulit ndaj Interit në Ligën e Kampionëve u eklipsua nga tema e Mohamed Salahut që dominoi intervistën e Arne Slottit për Amazon Prime, me legjendën e futbollit Clarence Seedorf, që e kritikoi drejtpërdrejt.

Salah ishte lënë në stërvitje vetëm në Merseyside pas komenteve të tij nxitëse, dhe Slott, pavarësisht fitores së rëndësishme, u detyrua të përballonte presionin e ekspertëve.

Slott fillimisht u përpoq ta zhvendoste fokusin te performanca e ekipit të tij:
"Mendoj se sonte gjithçka duhet të jetë rreth asaj që bëmë këtu, në një stadium si ky, kundër Interit, duke fituar.

E gjithë vëmendja duhet të jetë tek kjo sonte. Mund ta kuptoj plotësisht nëse të premten në konferencën për shtyp të gjitha pyetjet do të jenë rreth Mo, por mendoj se ia vlen të flitet për këta lojtarë tani."

Seedorf: "A keni ndërmend ta riktheni atë?"

Ish-futbollisti e shtyu fort, duke argumentuar se përgjegjësia për zgjidhjen e çështjes i takon trajnerit: "Nuk jam plotësisht dakord me këtë. Ne kemi respekt të madh për ty dhe Mo Salahun... A keni ndërmend ta riktheni atë?

Ky është mendimi ynë, do të doja shumë ta shihja të ndodhte kjo, sepse të gjithë bëjnë gabime në jetë. Gjërat ndodhin dhe gjithmonë duhet të kesh atë frymë (dialogu)."

Slott u përgjigj duke lënë të kuptohet qartë se iniciativa duhet të fillojë me lojtarin: "Në rregull, ju thoni se të gjithë bëjnë gabime në jetë, kështu që gjëja e parë duhet të jetë: a mendon lojtari se ka bërë edhe ai një gabim?"

Biseda vazhdoi, me Seedorf që pyeti përsëri "e si do ta dish nëse nuk flet me të?", të cilës ai iu përgjigj: "Nuk thashë se nuk do të flisja me të, thjesht thashë se fokusi tani duhet të jetë te lojtarët. Pyetja tjetër është: kush duhet të bëjë lëvizjen e parë, unë apo ai?"

Seedorf, megjithëse e mbajti tonin të ulët, por ishte i qartë: “Unë besoj se ekipi, klubi dhe trajneri, kur një lojtar lëndohet për çfarëdo arsye - me të drejtë apo të gabuar - duhet të bëjnë hapin e parë dhe të hapin derën për të parë se çfarë po ndodh vërtet. Ky ishte mendimi im.”

Slott e përfundoi diskutimin me një buzëqeshje dhe frazën: “Në rregull, ky është mendimi juaj!”

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll