Sport

Duka në stadiumin e Vorës: “Projekti që dikur ishte një ëndërr, sot është një realitet”

“Jam shumë i lumtur që sot e shoh drejt përfundimit dhe uroj që të paktën në fillimin e vitit 2026 të shohim ndeshje të futbollit “Abissnet Superiore” këtu në stadium”, - u shpreh Presidenti Duka.

2 Dhjetor 2025, 15:26 Nga DOSJA

Duka në stadiumin e Vorës: “Projekti që dikur ishte

VORE - Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Vorës, Blerim Shera, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve në stadiumin e Vorës, ku po ndërtohet tribuna e re qendrore dhe po kryhen ndërhyrje të rëndësishme infrastrukturore.

Gjatë vizitës, presidenti Duka u shpreh i kënaqur me ritmet e punimeve dhe theksoi rëndësinë e këtij investimi të përbashkët mes FSHF-së dhe Bashkisë së Vorës.

“Ky projekt, që në fillim dukej që ishte një projekt shumë i mirë. Është një projekt që nuk ka filluar sot, por ka filluar me kohë, që me fushën që kemi investuar bashkë me Bashkinë e Vorës, me dy tribunat e tjera. Por realisht, tribuna e sotme dhe me të gjithë ambientet që duhen për një stadium të tillë, është me të vërtetë fantastike.

Dua ta falënderoj kryetarin për bashkëpunimin dhe gjithashtu edhe klubin dhe presidentin e Vorës. Realisht ka qenë iniciator dhe na ka shtyrë ne më shumë për t’u bashkuar në këtë investim dhe projekt. Ajo që i thashë kryetarit është që realisht duket si një ëndërr një stadium i tillë në Vorë.

Dikur mbase nuk është menduar, por sot është realitet. Jam shumë i lumtur që sot e shoh drejt përfundimit dhe uroj që të paktën në fillimin e vitit 2026 të shohim ndeshje të futbollit “Abissnet Superiore” këtu në stadium”, – u shpreh Presidenti Duka.

Kryetari i Bashkisë së Vorës, Blerim Shera, falënderoi presidentin Duka dhe Federatën Shqiptare të Futbollit për mbështetjen e vazhdueshme.

“President, shumë faleminderit. Gjej rastin t’ju shpreh mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që keni dhënë. Jo vetëm në realizimin e parë të fushës stërvitore në Ahmetaq, por edhe në projektin e parë të stadiumit. Por kjo që është sot këtu nuk është më, siç e thatë edhe ju, ëndërr.

U duk si e vështirë në fillim, por është një realitet që dita-ditës po merr formë dhe mezi presim që vetë klubi dhe të gjithë qytetarët të zhvillojmë ndeshjen e parë hapëse këtu në stadiumin e ri. Shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin që kemi bërë deri tani“, - tha Kryetari i Bashkisë së Vorë, Blerim Shera.

Punimet në stadiumin e Vorës po vijojnë me ritme të larta. Investimi parashikon ndërtimin e tribunës së re qendrore, rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes, ambienteve për stafet teknike dhe hapësirave të tjera funksionale, duke garantuar standarde bashkëkohore dhe kushte moderne për zhvillimin e futbollit.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll