Bota

Rrëzimi i perandorisë së “El Chapo”-s! Djali i bosit famëkeq meksikan të drogës, Guzman Lopez pranon fajësinë në SHBA

Vëllai i tij, Ovidio Guzman, kishte deklaruar fajësinë në korrik për akuza të ngjashme. Të dy burrat akuzohen për vazhdimin e aktiviteteve të babait të tyre, Joaquin "El Chapo" Guzman, ish-liderit të kartelit Sinaloa.

2 Dhjetor 2025, 08:23 Nga M.L
Rrëzimi i perandorisë së “El Chapo”-s! Djali i bosit
Joaquin Guzman Lopez

MEKSIKË- Joaquin Guzman Lopez, djali i trafikantit famëkeq meksikan “El Chapo” Guzman, është deklaruar fajtor në një proces penal të zhvilluar në Çikago lidhur me akuzat për trafik droge dhe përfshirje në një organizatë kriminale, sipas raportimit të Chicago Tribune.

Edhe vëllai i tij, Ovidio Guzman, kishte pranuar akuzat në korrik, ndërsa të dy konsiderohen si figura kyçe në vazhdimin e rrjetit të krijuar nga babai i tyre, ish-udhëheqësi i kartelit Sinaloa, i cili aktualisht po vuan dënimin e përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë në Kolorado.

Joaquin Guzman Lopez, 39 vjeç, u arrestua në korrik 2024 pasi mbërriti me një avion privat në Teksas, së bashku me Ismael "El Mayo" Zambada, një nga udhëheqësit historikë të kartelit.

Zambada ka pretenduar se u mashtrua të shkonte në SHBA, duke thënë se Guzman Lopez e detyroi të fluturonte drejt territorit amerikan për t’u dorëzuar te autoritetet. Ai gjithashtu është deklaruar fajtor dhe nuk do të përballet me dënimin me vdekje, i cili u përjashtua zyrtarisht nga prokuroria amerikane.

Kapja e dy figurave të rëndësishme ka thelluar përplasjet brenda kartelit Sinaloa, duke ndezur një konflikt të ashpër midis grupit të njohur si “Chapitos” – bijve të El Chapo-s – dhe fraksionit të drejtuar nga Zambada. Sipas të dhënave të autoriteteve meksikane, lufta e brendshme ka shkaktuar të paktën 1.200 të vrarë dhe rreth 1.400 persona të zhdukur.

Qeveria amerikane e akuzon kartelin Sinaloa si furnizuesin kryesor të fentanilit në Shtetet e Bashkuara, një opioid sintetik shumë i fuqishëm që ka shkaktuar mijëra vdekje nga mbidoza vitet e fundit. Përveç fentanilit, dokumentet e akuzës të publikuara në prill 2024 përmendin trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Qendrore dhe Jugore drejt SHBA-së.

Aktakuza i ngarkon gjithashtu “tsapitos” me korrupsion të zyrtarëve publikë, përdorim të dhunës ekstreme, vrasje, rrëmbime dhe sulme kundër rivaleve të tyre, forcave të rendit dhe madje edhe anëtarëve të organizatës së tyre kriminale.

joaquin guzman lopez

Sondazh

Poll