Bota

Izraeli largon nga detyra tre gjeneralë të ushtrisë pasi nuk ndaluan pushtimin e Hamasit në tetor të 2023 

Gjithashtu ka vendosur edhe masa disiplinore kundër oficerëve të tjerë të rangut të lartë.

24 Nëntor 2025, 13:40 Nga E.d
Izraeli largon nga detyra tre gjeneralë të
Foto ilustruse

IZRAEL- Ushtria izraelite ka njoftuar shkarkimin e tre gjeneralëve, të cilët mbanin pozicione kyçe gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, për dështimin e tyre për ta parandaluar atë. Gjithashtu ka vendosur edhe masa disiplinore kundër oficerëve të tjerë të rangut të lartë.

"Gjenerali Aaron Haliva, gjenerali Oded Bashiuk dhe gjenerali Yaron Finkelman, i cili në ditën e sulmit të Hamasit ishte përgjegjës për komandën e sektorit jugor të Izraelit, që përfshin Rripin e Gazës, do të lirohen nga detyrat e tyre rezervë dhe nuk do të jenë më pjesë e ushtrisë," tha ushtria izraelite në një deklaratë të lëshuar të dielën në mbrëmje.

Gjenerali Haliva ishte oficeri i parë i ushtrisë që dha dorëheqjen në vitin 2024 duke përmendur përgjegjësitë e tij në tragjedinë e 7 tetorit. Gjenerali Finkelman gjithashtu ka dhënë dorëheqjen për të njëjtat arsye. Nga ana e tij, gjenerali Bashiuk u tërhoq pas luftës 12-ditore që Izraeli nisi kundër Iranit.

Mediat e huaja shkruajnë se sipas deklaratës së ushtrisë, këta tre gjeneralë mbajnë përgjegjësi personale për dështimin e ushtrisë për të parashikuar dhe sprapsur sulmin e nisur nga Hamasi nga Rripi i Gazës më 7 tetor 2023.

Këto masa të njoftuara nga kreu i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir vijnë pas publikimit në fillim të këtij muaji të një raporti nga një komitet ekspertësh të kërkuar nga vetë Zamir, i cili shënon fundin e hetimeve brenda forcave të armatosura mbi dështimet që çuan në 7 tetor 2023./Dosja.al

izrael hamas tetor 2023 

Sondazh

Poll