Sport

Superiorja/ Egnatia mposht me goleadë Bylisin, Teuta fiton me vuajtje ndaj Vorës...

Bakajoko, autori i një trisi golash për Egnatian, e cila mundi me lehtësi mallakastriotët e Bylisit. Teuta fitoi tri pikë në një ndeshje, ku barazimi mund të ishte rezultati më i drejtë

22 Nëntor 2025, 21:57 Nga DOSJA

Superiorja/ Egnatia mposht me goleadë Bylisin, Teuta fiton me vuajtje ndaj

TIRANE - Në mesditë janë mbyllur dy ndeshjet e para të javës së 12-të të kampionatit Abissnet Superiores.

Në Rrogozhinë, Egnatia ka fituar me rezultatin e thellë 5-1 Bylisin, ndërsa një gol i Kotobellit në “Niko Dovana” i ka dhuruar 3 pikë të çmuar Teutës (1-0) përballë Vorës.

Bakajoko ka qënë protagonisti i sfidës në “Egnatia Arena”, duke shënuar 3 gola në portën e Bylisit. Vendasit nisin shumë mirë takimin dhe arrijnë të zhbllokojnë shumë shpejt sfidën me Bakajokon. Bylisi mbetet me 10-të lojtarë, pas Kane largohet me karton të kuq. Bakajoko shënon sërish në portën e mallakastriotëve.

Me fillimin e pjesës së dytë është Yahaya, ai që ndëshkon Bylisin dhe shënon golin e tretë për Egnatian. Vendasit fitojnë një penallti, që kthehet në gol nga Bakajoko, që shënon golin e tretë personal dhe të katërtin për rrogozhinasit.

Bylisi reagon dhe shënon me Mouktar, por Egnatia shënon edhe golin e pestë me Buric. Mbyllet 5-1 sfida në Rrogozhinë. Egnatia ngjitet në kuotën e 22 pikëve, ndërsa Bylisi mbetet në kuotën e 12 pikëve.

Plot me emocione ka qenë edhe sfida e luajtur në “Niko Dovana”, aty ku Vora (si skuadër pritëse, pas marrëveshjes mes klubeve) u përball me Teutën. Durrsakët shënojnë me Arifin në pjesën e parë, por goli anulohet.

Kotobelli shënon golin që vulos fatin e takimit në pjesën e dytë. por minutat shtesë janë dramatike, pasi Vora shënon me Felipen golin e barazimit, që anulohet për një faull në zonë. Mbyllet 1-0 për Teutën, që ngjitet në kuotën e 18 pikëve, ndërsa Vora mbetet 14 pikë në klasifikim.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll