Sport

VIDEO/ Shqipëria U-21 fiton miqësoren ndaj Moldavisë, vendos eurogoli i Burak Alilit...

Përfaqësuesja U-21 fitoi miqësoren e parë të nëntorit ndaj Moldavisë me rezultatin 1-0.

13 Nëntor 2025, 15:45 Nga DOSJA

VIDEO/ Shqipëria U-21 fiton miqësoren ndaj Moldavisë, vendos

MOLDAVI - Kuqezinjtë U-21 zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në qendrën stërvitore të kombëtares moldave, në Vadul lui Vodă, ndërsa goli i fitores u realizua nga Burak Alili.

Trajneri Alban Bushi e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Giulio Veliaj (GK), Diar Vokrri, Gabriel Ramaj, Elton Fikaj, Arlind Kurti, Fabjan Përndreca, Feta Fetai (C), Aidon Shehu, Burak Alili, Rrok Toma dhe Kevin Dodaj.

Shqipëria e nisi ndeshjen në sulm dhe që në minutat e para ishte pranë golit me Dodajn, por tentativa e sulmuesit kuqezi u ndal nga shtylla.

Pak minuta më vonë, ishte sërish Dodaj që provoi me një goditje me kokë, por u ndal nga portieri. Në minutën e 18-të, Shqipëria zhbllokoi rezultatin me Burak Alilin, i cili realizoi një eurogol nga goditja e dënimit.

Kuqezinjtë U-21 provuan sërish dhe pas një aksioni të mirë i shkuan shumë pranë golit të dytë me Rrok Tomën, i cili u gjend i vetëm përballë portierit, por tentativa e tij u ndal.

Fraksioni i dytë nisi me një rast të rrezikshëm për Moldavinë, megjithatë Shqipëria mori sërish në kontroll lojën dhe u hodh në sulm për të shënuar golin e sigurisë.

Gjatë pjesës së dytë trajneri Bushi aktivizoi edhe Selimajn, Dakën, Ramajn, Koten, Brrutin dhe Bashin.

Në fundin e takimit, kuqezinjtë patën një mundësi të artë shënimi me Selimajn, por goditja përfundoi jashtë. Kuqezinjtë administruan mirë avantazhin deri në fund dhe ndeshja u mbyll me fitoren 1-0 për Shqipërinë U-21.

Përfaqësuesja U-21 do të luajë ndeshjen e dytë miqësore më 17 nëntor ndaj Ukrainës U-21 në “Elbasan Arena”, në orën 18:00.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll