Sport

Legjenda e Anglisë, deklaron se Granit Xhaka është “çelësi” i Sunderlandit…

Ish-sulmuesi i Manchester United dhe i kombëtares së Anglisë, Wayne Rooney, ka deklaruar se kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, është “ndoshta transferimi më i mirë i sezonit”.

11 Nëntor 2025, 11:45 Nga DOSJA

Legjenda e Anglisë, deklaron se Granit Xhaka është

ANGLI - Sunderland ka shkëlqyer në rikthimin e tij në Premierligë dhe aktualisht renditet në vendin e katërt pas 11 ndeshjeve me 19 pikë, duke qenë në rrugën e duhur për të arritur objektivin kryesor, mbetjen në elitë. 

Ish-mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, ka qenë një faktor kyç në fillimin e Sunderlandit falë përvojës dhe lidershipit të tij. Ai ka luajtur çdo minutë të të gjitha ndeshjeve në ligë, duke shënuar një gol dhe duke dhënë tre asistime.

Këtë sezon, 33-vjeçari kosovar udhëheq skuadrën në disa statistika: asistime, raste të krijuara, prekje topi, pasime të sakta, duele të fituara, topa të rikthyer dhe distancë të përshkuar. Granit Xhaka iu bashkua Sunderlandit këtë verë pas ngjitjes nga Championship, duke ardhur nga Bayer Leverkusen për një shumë fillestare prej 13 milionë paundësh.

Rooney tha në emisionin e tij “The Wayne Rooney Show”: “Kur u kthye në Premier League, e pyesja veten nëse do ia dilte. Sidomos me një ekip të sapo-promovuar, çfarë ndikimi mund të kishte? Por ai ndoshta ka qenë transferimi i sezonit. Ka qenë i jashtëzakonshëm”.

Xhaka zhvilloi 297 paraqitje me Arsenalin, ku fitoi dy Kupa të Anglisë. Megjithatë, ai shpesh ishte një figurë e diskutueshme te “Topçinjtë”. Ai u përjashtua pesë herë me karton të kuq dhe, gjatë gjashtë javëve sa ishte kapiten në vitin 2019, pati një përplasje të hapur me tifozët, gjë që çoi në heqjen e shiritit të kapitenit.

Gjërat ndryshuan nën drejtimin e Mikel Artetas, ku Xhaka u bë një lojtar kyç përpara se të largohej në vitin 2023 drejt Leverkusenit, ku ndihmoi klubin gjerman të fitonte titullin e parë në Bundesliga në sezonin e tij të parë atje.

Rooney shtoi: “Kur pati atë situatë me Arsenalin dhe u përplas me tifozët, ai tregoi karakter të madh, duke u rikthyer për të luajtur sërish për klubin. Ta kalosh atë periudhë dhe të performosh siç bëri, pastaj të shkosh te Leverkuseni dhe të ndihmosh për të mposhtur Bayern Munichun pas më shumë se 10 vitesh, tregon se çfarë lojtari i madh është.

Sunderland ka një skuadër shumë të re. Ai është si një figurë prindërore dhe do të jetë ndihmë e madhe edhe për trajnerin, si kapiten që lidh lojtarët me stafin. Me gjithë transferimet që bënë këtë verë, ai do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme për menaxherin dhe për lojtarët e rinj, duke përdorur përvojën e tij”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll