Sport

Arteta dhe ribashkimi i veçantë me Granitin: "Xhaka më bëri trajner më të mirë"...

Liderët e ligës, Arsenali, vizitojnë Sunderlandin këtë të shtunë, zbulimi i sezonit me vendin e tyre të katërt në Premier League falë kontributit të një ish-'Topçiu'.

8 Nëntor 2025, 10:00 Nga DOSJA

Arteta dhe ribashkimi i veçantë me Granitin: "Xhaka më

ANGLI - Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, pranoi të premten se Granit Xhaka e ndihmoi të bëhej një trajner më i mirë, pasi ai i shpëtoi karrierën mesfushorit kosovar kur ishte në prag të largimit pas një debati të nxehtë me tifozët e klubit londinez.

Të dy do të takohen përsëri sot kur “Topçinjtë” do të vizitojnë Sunderlandin, ekipin surprizë të sezonit të Premier League.

Xhaka e kishte humbur shiritin e kapitenit të Arsenalit nën drejtimin e trajnerit të mëparshëm, Unai Emery, pasi bëri gjeste të zemëruara drejt tifozëve që e fishkëllyen kur u zëvendësua gjatë një ndeshjeje të Premier League kundër Crystal Palace në tetor 2019.

Arteta e rregulloi marrëdhënien midis Xhakës dhe tifozëve

Megjithatë, kur Arteta mori drejtimin e Arsenalit në dhjetor 2019, ai rigjallëroi si karrierën e Xhakës ashtu edhe marrëdhënien e tij me tifozët e Arsenalit. Mesfushori shqiptar përfundoi duke nënshkruar për Bayer Leverkusen në verën e vitit 2023, ku arriti një dopietë historike të Bundesligës dhe DFB Pokal nën drejtimin e Xabi Alonso në vitin 2024. Në afatin e fundit të transferimeve, ai u bashkua me Sunderlandin e sapongjitur, aktualisht i katërti në tabelë, shtatë pikë pas liderëve të ligës, Arsenalit.

"E shijova çdo minutë që kaluam së bashku. Kur mbërrita, ai po përjetonte një moment të veçantë në jetën dhe karrierën e tij", kujtoi Arteta në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Sunderland. "Ne të gjithë u përpoqëm ta udhëzonim, t'i jepnim një perspektivë të ndryshme, ta bënim të ndihej i dashur dhe i vlerësuar, dhe ai reagoi jashtëzakonisht mirë."

"Ai më bëri një trajner më të mirë. Na ndihmoi të zhvillohemi dhe të përmirësohemi shumë si ekip dhe si klub", shtoi Arteta. "Do të jem përjetësisht mirënjohës sepse kam kujtime të mrekullueshme me të."

Arteta dhe ribashkimi i veçantë me Granitin: "Xhaka më

"Superfuqia" e Xhakës

Pavarësisht marrëdhënies së ndërlikuar të mesfushorit me tifozët, Arteta këmbënguli se klubi gjithmonë e vlerësonte Xhakën nga brenda dhe e përshkroi atë si një prani transformuese në dhomën e zhveshjes.

"Po qesh sepse sapo e imagjinova Granitin, dhe kjo më bën të qesh sepse ai ishte një personazh mjaft i mirë, një personalitet i shkëlqyer, shumë qesharak, super profesional", shtoi Arteta.  "Një nga ata djem që mund të ndryshojnë atmosferën e një dhome zhveshjeje dhe të një ekipi. Kjo është një superfuqi që ai ka."

Largimi i tij, "Një vendim i vështirë"

Lidhur me largimin e Xhakës, i cili luajti për Arsenalin nga viti 2016 deri në vitin 2023, Arteta pranoi se "nuk ishte një vendim i lehtë sepse e dija ndikimin që ai mund të kishte ende. Por sigurisht, kur ke një udhëheqës si ai, ke nevojë që ai të jetë i përgatitur mendërisht dhe i përkushtuar".

Xhaka është rikthyer në Premier League këtë sezon pasi Sunderland, pas promovimit të tyre sezonin e kaluar, e nënshkroi atë për 15 milionë euro. Régis Le Bris, trajneri francez i ‘Maceve të Zeza’, po kërkonte një udhëheqës që mund t'i udhëzonte lojtarët e rinj dhe ata që debutonin në ligën më të lartë të futbollit anglez.

Në moshën 33-vjeçare, Xhaka i ka përmbushur pritshmëritë, me një gol dhe tre asiste, përveç krijimit të mundësive për shënim për shokët e tij të skuadrës. Sunderland është i katërti në renditje pas 10 ndeshjesh, i barabartë me 18 pikë me kampionët Liverpool në vendin e tretë dhe shtatë pikë pas liderëve Arsenal.

"Bazuar në ndikimin që po ka, do të thoja se është një nga transferimet më të mira të sezonit," tha Arteta. "Mendoj se ajo që kanë bërë si klub në vitet e fundit është mbresëlënëse, stabiliteti që tregojnë dhe mënyra se si e kanë filluar sezonin. Jam vërtet i impresionuar."

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll