Sport

“100 vjet Besa”, Presidenti Duka: “Besa dhe Kavaja, së shpejti me një stadiumi i ri”…

"Në këtë përvjetor, unë do të doja të falënderoja ato që themeluan klubin Besa, do të doja të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar, t’i shpreh mirënjohjen dhe t’i falënderoj ata që kanë kontribuar në të gjithë këto 100 vite".

26 Tetor 2025, 11:45 Nga DOSJA

“100 vjet Besa”, Presidenti Duka: “Besa dhe Kavaja, së

KAVAJE - Në Kavajë u zhvillua ceremonia festive “100 vjet Besa”, me rastin e përvjetorit të themelimit të klubit sportiv Besa, një nga emrat më të vjetër dhe me ndikim në futbollin shqiptar.

Në këtë ditë të veçantë mori pjesë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili vlerësoi historinë dhe kontributin e klubit në zhvillimin e futbollit shqiptar.

Në ceremoni ishin të pranishëm gjithashtu Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, zyrtarë, ish-lojtarë të klubit, personalitete të njohura, miq të futbollit dhe qytetarë të shumtë.

Gjatë aktivitetit u prezantua një dokumentar kushtuar historisë së klubit, u shpërndanë certifikata nderi dhe u këndua kënga dedikuar ekipit të Besës. Një moment i rëndësishëm ishte prezantimi i projektit për ndërtimin e stadiumit të ri të Kavajës, që do të realizohet falë bashkëpunimit të ngushtë mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Kavajë.

Projekti parashikon ngritjen e një impianti modern të kategorisë 4, sipas standardeve të UEFA-s, me kapacitet prej 8 mijë vendesh dhe kushte bashkëkohore për zhvillimin e ndeshjeve të çdo kategorie.

Në fjalën përshëndetëse gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të klubit Besa të Kavajës, presidenti Duka, vlerësoi historinë, traditën dhe kontributin e këtij klubi në futbollin shqiptar.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar vuri në fokus projektin e stadiumit të ri, i cili tashmë është miratuar, dhe përmirësimin e infrastrukturës për akademitë e futbollit, duke garantuar kushte më të mira për fëmijët dhe komunitetin futbollistik të qytetit.

“Jam shumë i nderuar që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit të falënderoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë për pjesëmarrjen sot në këtë ceremoni, por edhe për kujdesin e tij për futbollin në vend.

Një falënderim shumë të veçantë kryetarit të Bashkisë Kavajë, jo vetëm për organizimin e ceremonisë, por për mbështetjen ndaj futbollit dhe për bashkëpunimin shumë të mirë me stafin e FSHF për ndërtimin e projektit të ri të stadiumit Besa.

Sot jemi për të festuar 100-vjetorin, datëlindjen e 100 të klubit futbollit Besa, të asaj që në Kavajë është paralelisht me fenë, është gjëja më e rëndësishme dhe më e dashur për qytetin. Në këtë përvjetor, unë do të doja të falënderoja ato që themeluan klubin Besa, do të doja të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar, t’i shpreh mirënjohjen dhe t’i falënderoj ata që kanë kontribuar në të gjithë këto 100 vite.

Besa ka qenë një nga klubet më të rëndësishme dhe me kontributet më të mëdha në futbollin shqiptar në kampionate, në ndeshje, në trofe. Ka luajtur disa finale dhe së fundmi nën drejtimin e presidentit, Nexhat Bizhdili, fitoi Kupën e Republikës në vitin 2007, 2010 dhe Superkupën po në vitin 2010.

Ky 100-vjetor është një moment për t’u ndalur, për të reflektuar mbi rrugën e gjatë të kaluar, por edhe për të ëndërruar më shumë për të ardhmen.

Besa dhe qyteti i Kavajës meritojnë shumë më shumë dhe pikërisht për këtë, Bashkia, klubi i Besës, Federata e Futbollit dhe gjithë komuniteti do bëjnë të pamundurën që të ofrojnë kushte më të mira, futboll më të mirë dhe më cilësor”, tha presidenti Duka.

Ceremonia festive u mbyll me përzgjedhjen e “11 lojtarëve të shekullit” të klubit Besa, një moment simbolik që përmbylli një mbrëmje të mbushur me emocion dhe krenari për futbollin kavajas.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll