Politike

"Në Shqipëri po shtypet pluralizmi politik"/ Berisha: Ky parlament ka nisur në mënyrë të frikshme, duke dalë jashtë çdo konteksti

Lideri i opozitës kritikoi gjithashtu mënyrën se si po procedohet në parlament, duke e cilësuar si një fillim të frikshëm të këtij legjislativi, ku edhe opozita po detyrohet të qëndrojë jashtë çdo konteksti. 

23 Tetor 2025, 10:51 Nga E. D
"Në Shqipëri po shtypet pluralizmi politik"/ Berisha: Ky
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë trajnimit të deputetëve të rinjt u ndal edhe te pluralizmi politik në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se megjithëse vendi ka pluralizëm formal, ai po shtypet në praktikë. Lideri i opozitës kritikoi gjithashtu mënyrën se si po procedohet në parlament, duke e cilësuar si një fillim të frikshëm të këtij legjislativi, ku edhe opozita po detyrohet të qëndrojë jashtë çdo konteksti. 

"Kudo parlamentet janë të ndarë në vendet me pluralizëm. Në vendet moniste nuk ka pluralizëm parlamentar.
Në Shqipëri ka pluralizëm, por shtypet pluralizmi politik. Mënyra se si procedohet është absolutisht e paimagjinueshme për parlamentin. Është e vërtetë se opozita mund ta teprojë në qëndrimet e saj. Por kjo nuk do të thotë kurrë të shkatërrohet parlamenti dhe parlamentarizmi. Dhe në fund të fundit, opozita nuk ka detyrë tjetër përveçse të qëndrojë opozitë. Është një fillim i frikshëm i parlamentit këtë vit.

Është nxjerrë jashtë çdo lloj konteksti. Kurrë nuk mund të ndodhte që programi 4-vjeçar i qeverisë dhe ministrat të votohen për 28 minuta. Asnjë pushtues, edhe pushtuesit që krijojnë një qeveri, nuk i imponojnë një gjë të tillë një parlamenti. Ndaj dhe kjo tregon se ne kemi përsëri një rrugë të vështirë dhe të gjatë për të bërë. Por zhvillimi i parlamentarizmit, konsolidimi i parlamentit është kushti më themelor i një sistemi demokratik.

Për të mbrojtur një sistem demokratik. Së fundmi, do kthehem prapë tek ajo që thashë më parë. Kurrë parlamentari, deputeti, politikani nuk duhet të shkelmojë mbi ndërgjegjen e tij. Atë që ai beson dhe e ka bindje, ai duhet ta mbrojë. Duhet të jetë vetja e tij. Iu uroj shumë suksese dhe iu uroj një karrierë brilante parlamentare. U garantoj se në çdo funksion që të merrni, mision të tillë fisnik si atë të deputetit, nuk do gjeni," tha Berisha./Dosja.al

sali berisha

Sondazh

Poll