Aktualitet

Korrupsioni ka emër!

Sepse shifrat nuk na tronditin më. Ndoshta është faji ynë. Ndoshta zgjuarësia e atyre që përpunojnë opinionin publik,

17 Tetor 2025, 21:25 Nga DOSJA
Korrupsioni ka emër!
Besmir Bitraku

Kur lexoni në lajme që jemi një nga vendet më të korruptuara në Europë e në botë…

Çfarë ju thotë kjo? Asgjë.

Sepse shifrat nuk na tronditin më. Ndoshta është faji ynë. Ndoshta zgjuarësia e atyre që përpunojnë opinionin publik,

Por korrupsioni është bërë si… gripi. E dimë që ka rënë grip gjithandej, po kaq. Po shpëtuam – mirë. Po na kapi – do sajohemi.

Kështu e kemi kthyer.

Në “normale”.

Në simptomë shoqërore.

Sot, fëmijës nuk i mësojmë “si të mos vjedhë”. I mësojmë “si të mos kapet”. Ky është mutacioni moral më i frikshëm që mund t’i ndodhë një kombi.

Sepse kjo s’është më thjesht korrupsion. Kjo është dorëzim. Një shoqëri që nuk e lufton më, por e konsideron normale…

Si kafen e mëngjesit, si byrekun e drekës, ashtu dhe korrupsionin e ditës.

Dhe e pranon. Si motin. Si gripin. Si diçka që s’ndryshon dot. Por ka një gjë: korrupsioni ka emër.

Ka fytyrë. Ka adresë. Mediat i kanë denoncuar. Ne te Piranjat i kemi denoncuar. SPAK-u i ka deklaruar, i ka prangosur, në hetim ose në kërkim. Atëherë pse flitet prapë në përgjithësi?

Pse “të korruptuarit” flasin për korrupsionin më shumë se ne?

Pse, kur dikush vjedh në supermarket, del me emër, mbiemër, video… Por kur dikush vjedh shtetin, na dalin me deklarata që fillojnë me “duhet të luftojmë fenomenin e korrupsionit”?

Fenomen?! Jo more.

Ky fenomeni ka Fytyrë! Ka Emër! Është Njeri konkret! Ka një vijë shumë të hollë që ndan të mirën nga e keqja… dhe një tjetër, akoma më të hollë, që ndan të keqen nga indiferenca.

Nëse s’e dallojmë më – dmth kemi kaluar vijën. Nëse s’na bën më përshtypje – jemi bërë pjesë e saj.

Unë nuk po them dilni në protesta, as dilni nëpër fushata me gishta ngritur.

Sepse sistemi që ushqehet nga korrupsioni s’do ju lërë as të dilni në lajme.

Por herën tjetër që do shkosh të votosh… prit 30 sekonda.

Vetëm 30! Dhe në ato 30 sekonda, kujto fytyrat e korrupsionit.

Jo shifrat, jo fjalët. Fytyrat. Emrat. Sepse korrupsioni ka emër./Piranjat.al

besmir bitraku

Sondazh

Poll