Aktualitet

Gjykata e Lartë zbardh vendimin: SPAK nuk ka prova kundër Elton Qynos! Gazetari s'ka kryer vepër penale

Gjykata gjithashtu thekson rëndësinë e verifikimit të transkriptimeve nga platformat si SKY ECC, për të siguruar përputhshmërinë me prova të tjera që mund të konfirmojnë apo hedhin poshtë akuzat. 

29 Shtator 2025, 17:33 Nga DOSJA
Gjykata e Lartë zbardh vendimin: SPAK nuk ka prova kundër Elton
Elton Qyno

TIRANË- Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin për gazetarin Elton Qyno. Masa e sigurisë "Detyrim paraqitje" që SPAK vendosi ndaj Qynos është shfuqizuar nga Gjykata e Lartë. Në vendim thuhet se Qyno nuk ka kryer asnjë vepër penale gjatë ushtrimit të detyrës së tij si gazetar.

Gjykata gjithashtu thekson rëndësinë e verifikimit të transkriptimeve nga platformat si SKY ECC, për të siguruar përputhshmërinë me prova të tjera që mund të konfirmojnë apo hedhin poshtë akuzat.  Gjykata e Lartë vëren se artikujt dhe materialet e publikuara në median ku Qyno ushtronte profesionin e tij nuk janë kontestuar nga prokuroria si të pavërteta apo të fabrikuara. 

"Natyrisht, në vijim të hetimeve Prokuroria e Posaçme duhet të verifikojnë me kujdes çdo të dhënë në raport me të hetuarin, duke shmangur çdo ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtat e tij si gazetar, duke argumentuar nëse ekzistojnë apo jo nevojat e sigurimit në raport me faktin penal për të cilën dyshohet. Transkriptimet e përgjimeve të përftuara nga përdorimi i SkyECC apo platformave të tjera, duhen verifikuar me kujdes dhe duhen analizuar nëse përputhen apo jo me prova të tjera, që mund të konfirmojnë vërtetësinë e tyre. Në rastin e lajmeve të cituara nga prokuroria e të referuara nga gjykata, nuk ka një analizë të mirëfilltë nëse gazetari Elton Qyno ka ndërhyrë në këto lajme, ka publikuar të dhëna jo të vërteta apo nëse pas marrjes së përfitimi të parregullt siç pretendon akuza, lajmi është fshirë apo është ndryshuar pjesërisht apo tërësisht. Kolegji në këtë drejtim, vlerëson të drejtë arsyetimin se Gjykatës së Posaçme e Apelit se, "dyshimi i përfitimit të shumave në euro mund të përbëjë një drejtim tjetër të kryerjes së hetimeve që lidhen ushtrimin e ndjekjes penale, mundësi të cilën e vlerëson vetë Prokurori i Posaçëm që drejton hetimet (neni 277/2 i KPP) dhe se pamundësia e caktimit të një mase sigurimi nuk është pengesë e kryerjes së veprimeve të nevojshme, që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale qoftë edhe për të njëjtën vepër penale",  thuhet në vendim.

Rasti i gazetarit Elton Qyno

Në padi, Qyno kërkonte shfuqizimin e vendimmarrjeve që sollën këto vendime, duke i cilësuar ato në shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut. Gazetari Elton Qyno u mor në pyetje në dhjetor 2023 për rrjedhjen në media të materialeve nga një dosje hetimore për një sërë krimesh të rënda, ndërsa pas një kontrolli në shtëpinë e tij, Prokuroria sekuestroi celularët dhe mjetet elektronike.

Qyno e ka kundërshtuar vendimmarrjen si shkelje e të drejtave të tij si gazetar. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi masën e "detyrimit për paraqitje" për Qynon për veprën e korrupsionit pasiv në sektorin privat, mbi bazën e një procedimi të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme për organizatën kriminale të drejtuar nga Suel Çela. Në janar, Gjykata e Posaçme e Apelit e rrëzoi masën e sigurisë së vendosur nga shkalla e parë.

elton qyno

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll