Politike

Kërkoi të ishte prezent në mbledhje, Komisioni i Ligjeve rrëzon Erion Veliajn

Vendimi që Veliaj të mos dëgjohet sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u mor vetëm me votat e këshilltarëve të Partisë Socialiste.

23 Shtator 2025, 13:38 Nga I.A
Kërkoi të ishte prezent në mbledhje, Komisioni i Ligjeve
Erion Veliaj

TIRANË- Komisioni i Ligjeve ka marrë vendimin për të rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Vendimi që Veliaj të mos dëgjohet sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u mor vetëm me votat e këshilltarëve të Partisë Socialiste.

Ndërkohë që në orën 16:00 do të mblidhet Këshilli Bashkiak në Tiranë për të votuar për shkarkimin e Veliajt si kryetar bashkie. Veliaj ka kërkuar që të marrë pjesë në mbledhje dhe të ketë mundësi që të flasë. Por Këshilli Bashkiak i ka kthyer përgjigje duke i thënë se nëse nuk mund të jetë i pranishëm në mbledhje, mund të dërgojë një shkresë me komentet e tij dhe do të lexohet para Këshillit. Veliaj më parë ka lënë të hapur ankimimin e shkarkimit të tij në Gjykatën Kushtetuese të vendit, vendim i cili do të ndalonte mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në Bashkinë Tiranë.

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal./Dosja.al

erion veliaj

Sondazh

Poll